Gjykata e Lartë për imunitetin e Trump: Presidentët gëzojnë imunitet për aktet zyrtare, jo për ato jo-zyrtare

1 Korrik, 17:45| Përditesimi: 1 Korrik, 17:49

  • Share

Gjykata e Lartë zgjati më tej vonesat në gjyqin penal në Uashington ndaj ish-presidentit Donald Trump, në lidhje me akuzat për përpjekjet për të përmbysur humbjen në zgjedhjet e vitit 2020, duke i dhënë pothuajse fund mundësisë që të zhvillohej një proces gjyqësor përpara zgjedhjeve të nëntorit.

Në një vendim historik, 6 me 3, anëtarët e Gjykatës së Lartë u shprehën për herë të parë se ish-presidentët kanë imunitet absolut nga hetimet për veprimet e tyre zyrtare, si dhe asnjë lloj imuniteti për veprimet jozyrtare. Por, anëtarët e Gjykatës së Lartë ia lanë gjykatës së nivelit më të ulët mënyrën se si do ta zbatonin këtë vendim në rastin e ish-presidentit Trump.

Vendimi i sotëm nënkupton vonesa të mëtejshme përpara se ish-presidenti Trump të përballet me një proces gjyqësor për padinë e ngritur nga prokurori i posaçëm Jack Smith.

Vendimi i Gjykatës së Lartë është i dyti që ka të bëjë me ish-presidentin Trump. Më herët, Gjykata e Lartë vendosi në lidhje me përpjekjet për ta hequr ish-presidentin nga kandidimi në shtete të caktuara për shkak të veprimeve të tij pas zgjedhjeve të vitit 2020. Të dyja këto vendime nxjerrin në pah ndikimin e drejtpërdrejtë që Gjykata e Lartë ka në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Ky është vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë për këtë sesion pune dhe u mor gati dy muaj pasi gjykata dëgjoi argumentet e palëve, një ritëm më i ngadaltë nga ç’është vepruar në të kaluarën për çështje madhore që kanë pasur të bëjnë me presidencën, si p.sh. çështjen e skandalit të Uotergeitit.

Ish-presidenti Trump ka mohuar të ketë bërë ndonjë shkelje dhe ka thënë se ky proces hetimor, ashtu si edhe tre procese të tjera hetimore ndaj tij, janë të motivuara politikisht dhe se janë përpjekje për të ndalur rikthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë./VOA

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?