Mimoza Margjeka

Gjykata e Posaçme e Apelit lë në fuqi dënimin me 4.6 vjet burg për ish gjyqtaren Mimoza Margjeka

12 Dhjetor 2023, 11:26| Përditesimi: 13 Dhjetor 2023, 16:52

  • Share

Gjykata e Posaçme e Apelit për korrupsionin dhe krimin e organizuar ka lënë në fuqi dënimin me  4 vjet e 6 muaj burg për Mimoza Margjekën, ish gjyqtaren e Apelit Korçë e cila u shpall fajtore për akuzën e korrupsionit.

Në aplikim të nenit 59 të K.Penal është urdhëruar pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim për pjesën e mbetur pa vuajtur të tij, duke e vënë të pandehurën në provë për një periudhë kohe prej 3 (tre) vitesh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryeje vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte të rregullta me Zyrën e Shërbimit të Provës ku ka vëndbanimin e saj. Gjithashtu i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një afat kohor 5 vjeçar.

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin nr. 69, datë 15.12.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe për të pandehurit e tjerë.

Kështu për Arben Carën, bashkëshortin e saj të përfshirë në këtë skemë, u la në fuqi dënim me 4 vite burg, ndërsa për avokatin Skënder Demiri u la në 3 vjet shërbim prove. Gjithashtu, për të pandehurin Klaudio Zhilla dënimi është me 3 vjet burg, si dhe për Nejton Balin 2 vjet e 4 muaj Shërbim Prove.

Vendimi u dha sot (12 dhjetor 2023) nga trupa gjykuese e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi (kryesuese), Florjan Kalaja (anëtar) dhe Engert Pëllumbi (anëtar).

Gjyqtarja Margjeka u shpall fajtore për akuzën 'Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit, dhe i funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” e kryer në bashkëpunim pasi mori një rryshfeti 6 mijë euro për të liruar një të arrestuar për trafik klandestinësh. 

Në shkëmbim të përfitimit të paligjshëm, ka rezultuar se Gjykata e Apelit Korçë ka ndryshuar masën e sigurimit dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Pogradec, nga arrest në burg në atë të garancisë pasurore, për Orion Balin.  Sasinë e parave e mori bashkëshorti i saj.

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?