TIRANË- Në mesin e akuzave dhe padive kundër Federatës Shqiptare të Futbollit, gjykata ka dhënë verdiktin e parë, duke e vlerësuar të manipuluar procesin e zgjedhjeve të 24 janarit për kryetarin e shoqatës së futbollit të Tiranës. Gjykata vendos të njohë kryetar Eduard Prodanin dhe rrëzon Krenar Alimehmeti, kryetarin që mbështet Armand Duka dhe që u zgjodh në një proces të manipuluar me delegatë anonimë.
Padia u dorëzua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në cilësinë e aksionerit të klubit të Tiranës, kundër 2 zyrtarëve, Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Ilir Shulkut, dhe sekretarit të Shoqatës, Ardian Haçit.
Veliaj akuzoi se në ambientet e zyrave të FSHF-së, për kryetarin e shoqatës duhet të votonin vetëm 41 persona, por në sallë ishin 67 anëtarë, shumica prej të cilëve delegatë jo legjitimë, - theksonte bashkia në kallëzim.
Në këtë mbledhje të mbajtur në orën 15.00 të 24 janarit, kryetar u zgjodh Krenar Alimehmeti, i preferuari i Armand Dukës, që paguhet nga Federata si delegat në ndeshje, që për kreun e FSHF-së do të thotë vota të sigurta në zgjedhjet e 2 marsit ku ai kërkon një mandat të gjashtë.
Por vetëm 4 orë më vonë, në 19.00 të së njëjtës ditë, Erion Veliaj mblodhi asamblenë e Shoqatës, dhe ripërsëriti zgjedhjet nga të cilat Prodani u zgjodh kryetar.
"VENDOSI: Me pranimin e kërkesës së shoqatës së Tiranës për të regjistruar në gjykatë vendimin që Asambleja mori në orën 19.00, Gjykata e Tiranës, regjistron kryetar të shoqatës së futbollit të Tiranës, Eduard Prodanin", thuhet në njoftim.
Prodani një reagim për Report Tv tha se ky është vetëm fillimi.
"Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Nje dhunim i tillë i zgjedhjeve nuk kalon dot në asnjë gjykatë që zbaton ligjin dhe parimet e përgjithshme të zgjedhjeve të drejta. FSHF nuk është përballur asnjëherë realisht me drejtësinë për "kasaphanat" e saj zgjedhore. Mendoj se ky është vetëm fillimi", tha ai.
Në vendimin e saj, të cilin Report Tv e siguron, Gjykata vendos të revokojë vendimin e delegatëve të mbledhur në procesin që Duka manipuloi, që do të thotë se Krenar Alimehmeti, nuk njihet më si kryetar.
"Të revokohet çdo vendim nga delegatët e asamblesë, mbledhja në 15.00", thuhet ndër të tjera në vendim.
Shoqata e futbollit të Tiranës dërgon 6 delegatë në zgjedhjet për president të FSHF-së, që do të thotë, 6 vota të humbura për Dukën.
Të mërkurën, përkundër statutit, FSHF mbylli përmes një procesi manipulativ zgjedhjet në 8 shoqatat rajonale të futbollit që kanë gati 50% të votave në asamblenë e 2 marsit. Në gjykatë për manipulimet e federatës janë edhe shoqatat e Durrësit, Gjirokastrës dhe Shkodrës, ndërsa edhe Fieri e Korça kanë patur kundërshti të forta.
Vendimi i Gjykatës së Tiranës për zgjedhjet në Shoqatën Rajonale të Tiranës
Drejtori i Departamentit Ligjor dhe Licencimit në FSHF, Aldi Topçiu, ka reaguar në lidhje me lajmin e publikuar sipas të cilit Gjykata e Tiranës ka regjistruar një tjetër shoqatë futbolli në Tiranë. Për Topçiun, çdokush është i lirë të krijojë shoqata, por kjo nuk do të thotë se ky subjekt është anëtar apo është i njohur nga Federata Shqiptare e Futbollit.
“Jemi informuar sot për vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Tiranës për regjistrimin e një shoqate tjetër në këtë qytet, ashtu si shumë shoqata të tjera që kanë seli në Tiranë. Kjo nuk do të thotë se ky subjekt është anëtar apo është i njohur nga Federata Shqiptare e Futbollit. Duke qenë se ky është një informacion që e kam në mënyrë mediatike, jo në mënyrë zyrtare, ende nuk dimë përmbajtjen apo ekstremitetet e kësaj vendimmarrjeje”, – thotë Topçiu në një deklaratë për mediat.
Ai shton se të gjithë anëtarët duhet të respektojnë statutin e FSHF-së, që është i hartuar në përputhje të plotë me udhëzimet e UEFA-s dhe FIFA-s.
“Çdo anëtar apo anëtarët e anëtarëve të Federatës Shqiptare të Futbollit janë të detyruar të respektojnë statutin. Statut i cili është hartuar në përputhje të plotë me udhëzimet e UEFA-s dhe FIFA-s, miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e FSHF-së me unanimitet, dhe nga vetë Ministria e Arsimit dhe e Sportit dhe e regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Sipas nenit 71 të këtij statuti të gjitha ankesat, pretendimet apo mospajtimet me vendimet e FSHF-së mund të ankimohen në shkallë të fundit, pra pas ezaurimit të shkallëve të brendshme, në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, duke përjashtuar të gjitha gjykatat e zakonshme”, – u shpreh ai.
Më tej, Drejtori i Departamentit Ligjor dhe Licencimit në FSHF shpjegon edhe ecurinë e procesit zgjedhor dhe procedurat që po ndiqen, nën monitorimin e UEFA-s.
“Procesi zgjedhor brenda FSHF-së është sot në një ditë mjaft të rëndësishme, pasi sot është edhe afati përfundimtar për depozitimin nga anëtarët të delegatëve që do t’i përfaqësojnë në Asamble, të propozimeve që ata kanë për postet drejtuese. Ky proces udhëhiqet nga komisioni i verifikimit të asamblesë i zgjedhur dy vite më parë nga Asambleja e Përgjithshme. Është ky komision i cili do të certifikojë procedurat e ndjekura, delegatët dhe kandidaturat për postet drejtuese. Gjithashtu, një komision ekspertësh ngritur nga UEFA do të verifikojë e të certifikojë respektimin korrekt të rregulloreve e statuteve për emërimin e delegatëve, propozimet për kandidatët e organeve drejtuese për katër vitet e ardhshme. Monitoruesit e UEFA-s do të jenë në Tiranë javën e ardhshme. Kjo është edhe një dakordësim politik të nivelit të lartë midis Presidentit të UEFA-s, z. Ceferin dhe Kryeministrit Edi Rama. Dua t’ju kujtoj se kufijtë e veprimtarisë se FSHF-së caktohen vetëm nga Statuti dhe nga asgjë tjetër dhe kam besim se procesi do të vazhdojë pa probleme, me të njëjtin ritëm, me të njëjtin nivel transparence dhe nën mbikëqyrjen e Komisionit të Verifikimit, i cili është zgjedhur nga Asambleja e Përgjithshme në përmbushje të mandatit të tij”, – theksoi Aldi Topçiu në deklaratën për mediat.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj reagoi për herë të parë pasi fitoi betejën ligjore përballë kreut të FSHF-së, Armand Duka.
Ai tha secili duhet të bëjë betejën e vetë në çdo qytet që të pastrohet sporti nga bandat!
"Betejën për Tiranën e fituam! Ju falënderoj të gjithëve nga zemra që besuat e mbështetët kauzën e pastrimit të llumit nga futbolli! Gjykata foli, le ta respektojmë! Por duhet që secili të bëjë betejën e vetë në çdo qytet, të pastrohet sporti nga bandat!", shkruan Velaij.
Eduard Prodani, kandidati që Gjykata e Tiranës i dha sot të drejtë, ka reaguar për Report Tv duke thënë se ky është vetëm fillimi.
"Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Një dhunim i tillë i zgjedhjeve nuk kalon dot në asnjë gjykatë që zbaton ligjin dhe parimet e përgjithshme të zgjedhjeve të drejta. FSHF nuk është përballur asnjëherë realisht me drejtësinë për "kasaphanat" e saj zgjedhore. Mendoj se ky është vetëm fillimi", tha Prodani në një prononcim për Report Tv.