TIRANË- Dosja për vrasjet e pazbardhura në 21 janar të vitit 2011 do të hetohet e plotë në Prokurorinë e Posaçme. Pas një kërkese të ardhur nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, për tërheqjen e akteve, Prokuroria e Tiranës shpalli këtë të premte moskompetencën, duke ia dërguar të gjithë fashikujt hetimor SPAK-ut, i cili ka regjistruar procedimin pas vendimit të Gjykatës së Lartë.
Mësohet se Prokuroria e Tiranës ishte në pritje të ekspertizës së re mbi plumbin që ka vrarë të riun nga Lezha Aleks Nika. Pak muaj më parë ajo e ka dërguar predhën në një laborator të specializuar në Itali, ku pritet të përcaktohet arma që ka kryer goditjen. Përgjigja ekspertizës nuk ka mbërritur ende, ndërkohë që nga ekzaminimi i parë në SHBA nuk u arrit asnjë rezultat pasi predha ishte e dëmtuar në pjesën e vjaskave të lëna nga tyta e armës.
Asokohe predha u dërgua në një laborator kriminalistik në Virginia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por nga analiza nuk janë përftuar të dhëna për identifikimin e armës që ka kryer qitjen. Për këtë arsye, vrasja e Aleks Nikës mbeti pa autor dhe nuk u përfshi në gjykimin e gardistëve të akuzuar për çështjen e 21 janarit. Pa autor mbeti dhe vrasja e Hekuran Dedës sipas vendimit të gjykatës së apelit.
Në SPAK janë thirrur Rajmonda Nika dhe Mark Nika, bashkëshortja dhe xhaxhai i Aleks Nikës. Rajmonda dëshmoi për 3 orë e pasi doli fjalëpak për mediat, tha se ka folur edhe për fakte të reja para oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Një ditë më vonë më 23 korrik, u thirr në SPAK, Ndrea Prendi ish-kreu i Gardës në janarin e vitit 2011. Prendi u mor në pyetje për rreth 3 orë e 30 minuta. Ndrea Prendi, për të cilin është vërtetuar me vendim gjykate se me armën e shtetit i ka marrë jetën të paktën njërit prej të vrarëve Faik Myrtajt, nuk pranoi të jepte detaje për mediat para SPAK.
Vrasja e Nikës është pa autor pasi drejtësia shqiptare s’ka mundur të faktojë se nga cila armë u qëllua. Nga hetimet e prokurorisë, ka rezultuar se nga pistoleta ‘Beretta model 92-FS me numer P52796Z’, në përdorim nga Komandanti i Gardës asokohe Ndrea Prendi, është qëlluar 11 herë. Ndërkaq, vetëm një herë është qëlluar me pistoletën me armën në përdorim nga shoferi i Prendit. Sipas hetimeve, tyta e pistoletës së Ndrea Prendit është ndryshuar me tytën e pistoletës së shoferit të tij.
Pas Ndrea Prendit në shkallët e SPAK për të dhënë llogari për rolin e tyre me 21 janar pritet të paraqiten edhe ish Kryeministri Berisha dhe ish ministri i Brendshëm Lulzim Basha.
Prokuroria e Posaçme po heton 21 janarin si vrasje shtetërore ndërsa akuzat regjistruara janë shumë të rënda: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim, “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” kryer në bashkëpunim.
Drejtësia shqiptare ka dhënë vetëm 4 vite burg në total për 2 jetë të ndërprera, Faik Myrtajn dhe Ziver Veizin, në mes të bulevardit në demonstratën e 21 janarit, duke i konsideruar ato vrasje nga pakujdesia.