TIRANË- Gjyqtari Agron Zhukri më datë 25 mars regjistroi ndryshimet e statutit të miratuara në Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga Sali Berisha. Nga ky moment, Berisha ka marrë rolin e kryetarit të partisë. Në regjistrin e Gjykatës së Tiranës rezulton ende kryetar Luzlim Basha fakt i cili ka krijuar një lloj konfuzioni. Për këto paqartësi Gjykata e Tiranës ka shpjeguar të gjithë procedurën që do ndiqet për regjistrimin e statutit duke nënvizuar se do të pritet vendimi i formës së prerë për shkak se të dy çështjet janë në apel.
Gjykata sqaron se gjyqtarja Blerina Muça ka pranuar në 18 mars të 2022 kërkesën e bërë nga Gazmend Bardhi për njohjen e ndryshimeve në statutin e PD të miratuara në 17 korrik 2021, vendim i cili u ankimua më pas nga vetë Bardhi që kërkoi bashkëngjitjen e ndryshimeve të vendosura nga Kuvendi i thirrur nga Lulzim Basha më 18 dhjetor.
Gjithashtu në Gjykatë është edhe ankimi i Enkelejd Alibeajt kundër vendimit të Zhukrit për regjistrimin e statutit të Berishës.
Për këtë arsye, Gjykata sqaron se çdo pasqyrim në regjistrin e partive politike në Gjykatën e Tiranës do të pritet sqarimi i çështjes në apel, e cila do të ishte një vendim i formës së prerë që do vendosë për fatin e Partisë Demokratike.