Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka pranuar kërkesën e Fredi Belerit për të shqyrtuar parregullsitë gjatë arrestimit dhe paraburgimit të tij dy ditë para zgjedhjeve bashkiake në Himarë.
Sipas mediave greke, Gjykata ka lënë afat deri më datë 26 qershor për shqyrtimin e kësaj çështje nga palët për t’’i dhënë një zgjidhje përfundimtare. Ndërkohë, që nëse një marrëveshje nuk arrihet, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut do të ftojë palët të paraqesin argumentet e tyre në gjykatë.
Ndërkohë, lidhur me praniminë e kërkesës nga ana e gjykatës ka reaguar edhe vetë eurodeputeti Fredi Beleri.
“Vendimi paraprak i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me të cilin ankimi im ndaj paraburgimit tim të paligjshëm dy ditë para zgjedhjeve bashkiake në Himarë konsiderohet i vlefshëm në parim, është një shfajësim i parë. Shfajësim, më në fund, për ata që vazhdojnë të luftojnë për shtetin e së drejtës dhe institucionet në Shqipërinë aderuese. Falenderoj avokatin tim, profesor z. Nikos Alivizato, i cili me ekipin e tij trajtoi rastin. Sot u bë fillimi, për të rikuperuar atë që fituam në mënyrë demokratike dhe na privuam me grushte shteti”, është shprehur Beleri.
Ish-kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 Majit 2023, pasi u kap në flagrancë duke blerë vota. Beleri u gjet fajtor nga Gjykata e Posaçme dhe dënimi me dy vite burg u konfirmua në Apel.
Edhe pse në qeli, Beleri fitoi zgjedhjet në Himarë, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shpalli mandatin të pavlefshëm. Për shkak të dënimit Beleri nuk kreu dot betimin si kryebashkiak i Himarës.
Komente
