Donald Trump gjatë prezantimit të tarifave doganore

Bota

Gjykata e Tregtisë Ndërkombëtare bllokon tarifat doganore reciproke të Trump! Shtëpia e Bardhë: Grusht shteti nga gjyqtarë të pazgjedhur

29 Maj, 07:19| Përditesimi: 29 Maj, 09:39

  • Share

Një tjetër goditje për tarifat doganore të Donald Trump. Gjykata e Tregtisë Ndërkombëtare, një gjykatë federale me seli në Nju Jork dhe kompetencë në çështjet e tregtisë së jashtme dhe doganave, ka anuluar të ashtuquajturat tarifa “reciproke” të vendosura nga administrata, duke i shpallur të paligjshme.

Në vendimin e publikuar të mërkurën, gjyqtarët kanë konstatuar se Trump ka abuzuar me International Emergency Economic Powers Act (IEEPA), ligji i vitit 1977 i përdorur si bazë për vendosjen e tarifave mbi pjesën më të madhe të produkteve të importuara.

“Ky ligj nuk e autorizon presidentin të vendosë një mbitarifë të pakufizuar mbi mallrat që vijnë pothuajse nga të gjitha vendet e botës”, thuhet në vendim.

Tarifat, të paktën 10%, ishin vendosur nga Trump gjatë të ashtuquajturit “Dita e Çlirimit”, me synimin e deklaruar për të balancuar deficitin tregtar të Shteteve të Bashkuara. Por sipas gjykatës, përdorimi i IEEPA-s nuk mund të zëvendësojë kompetencat legjislative të Kongresit, i cili është organi i vetëm i autorizuar për të vendosur për çështje tarifash.

Vendimi erdhi pas një sërë padish të ngritura nga biznese të vogla, si distributori i verërave V.O.S. Selections, dhe nga dymbëdhjetë shtete amerikane të udhëhequra nga Oregoni.

“Vendimi riafirmon se ligjet tona kanë vlerë dhe se politika tregtare nuk mund të varet nga humori i presidentit”, deklaroi Prokurori i Përgjithshëm i Oregonit, Dan Rayfield.

Reagimi i Shtëpisë së Bardhë ka qenë i ashpër, duke paralajmëruar apel ndaj vendimit:

“Nuk u takon gjyqtarëve të pa zgjedhur të vendosin si të përballohet siç duhet një emergjencë kombëtare,” deklaroi një zëdhënës i administratës.

“Presidenti Trump është angazhuar të vendosë Amerikën të parën dhe të përdorë çdo mjet të pushtetit ekzekutiv për të përballuar këtë krizë dhe për të rikthyer madhështinë./La Repubblica

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kuvendi, si e vlerësoni punën e legjislaturës që po mbyllet?