SHBA - Një gjykatëse e Gjykatës Federale të Rrethit në Maryland ka lëshuar një urdhër paraprak ndalues që bllokon përpjekjen e ish-Presidentit Donald Trump për të ndaluar një herë e mirë marrjen e shtetësisë automatike për fëmijët e emigrantëve (pa dokumente ose me status të përkohshëm të imigracionit) që lindin brenda territorit të Shteteve të Bashkuara.
Urdhri, me efekt mbarëkombëtar, u dha nga gjykatësja Deborah L. Boardman, e emëruar në këtë post nga Presidenti Joe Biden. Ky urdhër është më i qëndrueshëm sesa urdhri i përkohshëm 14-ditor i lëshuar më 23 janar nga një gjykatës federal në Seattle.
Në shumicën e rasteve, një urdhër paraprak ndalues mbetet në fuqi derisa çështja të zgjidhet përfundimisht ose derisa të rrëzohet nga një gjykatë më e lartë.
“Urdhri ekzekutiv bie ndesh me tekstin e qartë të Amendamentit të 14-të, kundërshton precedentët e detyrueshëm të Gjykatës së Lartë të vendosur 125 vjet më parë dhe bie në kundërshtim me historinë 250-vjeçare të shtetësisë nga lindja në Shtetet e Bashkuara,” deklaroi gjykatësja Boardman në vendimin e saj.
“Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara e ka refuzuar në mënyrë të përsëritur interpretimin e presidentit mbi klauzolën e shtetësisë të Amendamentit të 14-të. Në fakt, asnjë gjykatë në vend nuk e ka mbështetur ndonjëherë këtë interpretim. Kjo gjykatë nuk do të jetë e para që ta bëjë këtë.”
Paditësit në këtë çështje janë pesë gra shtatzëna pa status ligjor të imigracionit dhe dy organizata jofitimprurëse që mbështesin të drejtat e imigrantëve. Gjykatësja Boardman e justifikoi vendimin për urdhrin ndalues me efekt mbarëkombëtar, duke theksuar se një nga organizatat paditëse ka anëtarë në çdo shtet të SHBA-së, përfshirë qindra gra shtatzëna që mund të lindin në javët në vijim.
Paditësit përfaqësohen nga Instituti për Avokimin dhe Mbrojtjen Kushtetuese pranë Qendrës Juridike të Universitetit Georgetoën. Çështja pritet të vazhdojë në gjykatat më të larta, ndërsa ky vendim konsiderohet një fitore e rëndësishme për mbrojtësit e të drejtave të imigrantëve.
Komente
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)