Kronikë

Publikimi i dosjes ‘sekrete’/ Kushtetuesja rrëzon SPAK për rastin ‘Qyno’: Asgjësoni të dhënat e sekuestruara! Ruajtja e burimit, kusht i lirisë së medias! Prokuroria ta zbulonte vetë (VIDEO)

22 Prill, 20:16| Përditesimi: 22 Prill, 23:14

  • Share

TIRANË- Gjykata Kushtetuese rrëzon SPAK për rastin e gazetarit Elton Qyno. Me një vendim unanim, 8 me 0, Kushtetuesja ka vendosur shfuqizimin e vendimeve të gjykatave për sekuestrot e materialeve të gazetarit Qyno dhe në fund asgjësimin e tyre.

Sekuestro e materialeve të Qynos erdhi me urdhër të SPAK, pasi e akuzuan gazetarin se ka nxjerrë komunikime të SkyECC nga një prej fraksioneve të dosjes “Metamorfoza”, që sipas Prokurorisë së Posaçme përputheshin me komunikimet e Nuredin Dumanit me persona të tjerë. Por, me këtë vendim të marrë njëzëri nga anëtarët e Kushtetueses, të gjitha materialet që i janë sekuestruar gazetarit Qyno do asgjësohen dhe nuk do përdoren më si provë në proceset gjyqësore ndaj tij.

Kështu, Kushtetuesja rrëzoi tre prokurorët e posaçëm, Ols Dado, Bledar Maksuti dhe Behar Dibra. Prokurori i parë që ka firmosur kontrollet për gazetarin Qyno është Behar Dibra, por ky i fundit ka hequr dorë nga çështja për shkak se ishte një dosje që po hetohej nga vetë ai. Çështja e Qynos u nda në fraksion dhe hetimin e morën dy prokurorët Maksuti dhe Dado.

Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se sekuestrimi i të dhënave kompjuterike të gazetarit përbënte një ndërhyrje të pajustifikuar dhe jo proporcionale në lirinë e shprehjes, të garantuar nga neni 22 i Kushtetutës dhe neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kushtetuesja thotë se e “e drejta e gazetarit për të ruajtur burimin e informacionit dhe për të mos e zbuluar atë është një nga kushtet e lirisë së medias.” Sipas Kushtetueses, të drejtën për të ruajtur burimet e informacionit gazetari nuk e gëzon si privilegj personal, por si një garanci që i shërben interesit publik dhe funksionimit të medias së lirë.

“Mbrojtja e burimeve të gazetarëve është një prej garancive kryesore të lirisë së medias, si pjesë e lirisë kushtetuese të shprehjes, ndaj urdhërimi i gazetarit për të zbuluar burimet e tij mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën, përveçse kur ekziston një bazë e qartë ligjore që e autorizon atë dhe një interes publik mbizotërues që e dikton atë. E drejta e gazetarit për të mos zbuluar burimet e tyre nuk është privilegj, pasi në thelb mbron jo vetëm lirinë e medias, në kuadër të lirisë së shprehjes, por edhe të drejtën e informimit të publikut”, theksohet në vendimin e shpallur sot nga institucioni më i lartë i drejtësisë.

Një tjetër element i rëndësishëm në arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese është edhe fakti se gazetarit nuk duhej t’i ishte ushtruar presion për të treguar burimin, por se institucioni, pra SPAK, duhej të hetonte dhe të zbulonte si rrodhi dosje sekrete, fraksion i Metamorfozës. Kushtetuesja vlerësoi se “gjykatat e zakonshme nuk kanë arsyetuar në lidhje me faktin se përse marrja e të dhënave të nevojshme për hetimin mund të realizohej vetëm nëpërmjet identifikimit të burimit të gazetarit, si mjet i fundit si edhe përse nuk ekzistonin mjete të tjera alternative për të arritur të njëjtin qëllim.” Po në këtë drejtim, gjykatat nuk kanë arsyetuar në lidhje me urgjencën në sekuestrimin e të dhënave kompjuterike të kërkuesit.

Gjykata Kushtetuese theksoi se ndërhyrja e organeve të drejtësisë në këtë rast ka cënuar drejtpërdrejt rolin e gazetarit si garant i informimit të publikut. Në përfundim, Gjykata vendosi jo vetëm shfuqizimin e vendimeve të mëparshme, por edhe asgjësimin e çdo materiali të sekuestruar, duke ndaluar përdorimin e tyre në çdo proces gjyqësor.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese vetë gazetari Elton Qyno, në një prononcim për mediat e cilësuar vendim pozitiv dhe vuri theksin tek unanimiteti i tij, 8 me 0 në favor të medias.

“Është një vendim që sjell optimizëm në media, pavarësisht se betejën më ra mua që ta zhvilloja përgjatë dy viteve. Gjykata Kushtetuese u impenjua maksimalisht morën praktikat jo vetëm të Strasburgut, por edhe të Gjykatave angleze dhe vendeve të tjera të BE. Vendosën me unanimitet, 8 me zero, në favorin e medias, jo në favorin e Elton Qynos, se Elton Qyno nuk e bëri për hesapet e veta, por për të mbrojtur një kauzë që të tilla gjëra të mos ndodhin nesër, pasnesër, ku të rrëmbehet gazetari në mes të rrugës apo në mes të kafenesë. Më pas t’i bëhet kontrolli banesës, të kontrollohet fizikisht dhe të trajtohet një gazetar që ka mbuluar për 20 vite kronikën e zezë, të trajtohet si kontingjent krimi”, u shpreh ai mes të tjerash.

Vendimi i Kushtetueses vjen në këtë pikë pas gati dy vitesh, kur SPAK në 2023 mori për 7 orë në pyetje gazetarin Qyno dhe prokurori Dibra urdhëroi kontroll në banesën dhe në zyrën e tij, pas hetimeve të nisura nga Prokuroria e Posaçme për nxjerrje të sekretit hetimor.  Sipas SPAK, materialet e publikuara në media nga Qyno, përputheshin me komunikimet e Nuredin Dumanit me persona të tjerë në aplikacionin “Sky” dhe për këtë arsye, Elton Qynos i është kërkuar të tregonte sesi i kishte siguruar materiale të tilla që ishin pjesë e akteve hetimore.

Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:

"Sot në datën 22.04.2025, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim çështjen me kërkues Elton Qyno me objekt shfuqizimin e vendimeve gjyqësore në lidhje me kontrollin personal, të banesës dhe vendit të punës si dhe sekuestrimin e sendeve dhe të dhënave kompjuterike.

Gjykata pasi analizoi kriteret paraprake të kërkesës arriti në përfundimin se kërkuesi legjitimohet dhe ka shteruar mjetet juridike në dispozicion vetëm për kundërshtimin e vendimit që ka lejuar sekuestrimin e të dhënave kompjuterike i cili është kundërshtuar nga kërkuesi deri në Gjykatën e Lartë. Sa i takon lirisë personale, Gjykata konstatoi se ky pretendim nuk ka lidhje me vendimet për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike. Në lidhje me pretendimet e tjera, Gjykata vlerësoi se kërkuesi nuk ka shteruar mjetet juridike në dispozicion.

Për sa i takon themelit të çështjes, Gjykata u ndal në analizën e pretendimit për cenimin e lirisë së shprehjes të garantuar nga neni 22 i Kushtetutës dhe neni 10 i KEDNJ-së. Lidhur me këtë pretendim, Gjykata arriti në përfundimin se liria e shprehjes përfshin, ndër të tjera, edhe lirinë e shtypit. E drejta e gazetarit për të ruajtur burimin e informacionit dhe për të mos e zbuluar atë është një nga kushtet e lirisë së medias. Mbrojtja e burimeve të gazetarëve është një prej garancive kryesore të lirisë së medias, si pjesë e lirisë kushtetuese të shprehjes, ndaj urdhërimi i gazetarit për të zbuluar burimet e tij mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën, përveçse kur ekziston një bazë e qartë ligjore që e autorizon atë dhe një interes publik mbizotërues që e dikton atë. E drejta e gazetarit për të mos zbuluar burimet e tyre nuk është privilegj, pasi në thelb mbron jo vetëm lirinë e medias, në kuadër të lirisë së shprehjes, por edhe të drejtën e informimit të publikut.

Gjykata arriti në përfundimin se vendimet gjyqësore të cilat kanë lejuar sekuestrimin e të dhënave kompjuterike kanë ndërhyrë në lirinë e shprehjes së kërkuesit. Për sa i përket kritereve të kufizimit, Gjykata duke zbatuar testin e nenit 17 të Kushtetutës, vlerësoi se ndërhyrja është bërë me ligj dhe për një interes publik. Megjithatë në kuadër edhe të standardeve të vendosura nga GJEDNJ-ja, Gjykata vlerësoi se ndërhyrja në lirinë e shprehjes nuk është proporcionale. Në këtë kuptim, Gjykata vlerësoi gjithashtu se gjykatat e zakonshme nuk kanë arsyetuar në lidhje me faktin se përse marrja e të dhënave të nevojshme për hetimin mund të realizohej vetëm nëpërmjet identifikimit të burimit të gazetarit, si mjet i fundit si edhe përse nuk ekzistonin mjete të tjera alternative për të arritur të njëjtin qëllim. Po në këtë drejtim, gjykatat nuk kanë arsyetuar në lidhje me urgjencën në sekuestrimin e të dhënave kompjuterike të kërkuesit. Për këto arsye, Gjykata vendosi, njëzëri, shfuqizimin e vendimeve për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike (vendimin e GJKKO-së së Shkallës së Parë nr. 501, datë 13.12.2023 dhe vendimet e gjykatave më të larta që e kanë lënë në fuqi atë).

Po kështu, Gjykata vendosi edhe pranimin e kërkesës për asgjësimin e të gjitha të dhënave kompjuterike të sekuestruara me vendimet e mësipërme të shfuqizuara.

Në lidhje me pretendimin për cenimin e së drejtës për jetë private Gjykata vlerësoi të mos ndalej, për sa kohë ajo gjeti shkelje në lirinë e shprehjes së kërkuesit, duke shfuqizuar vendimet e mësipërme".

Ora 21:53
Kushtetuesja rrëzoi SPAK për rastin e Elton Qynos, Asociacioni i Gazetarëve: Duhet të jenë të lirë të kryejnë detyrën e tyre, pa frikë nga presioni për të zbuluar burimet

1743072000_gjykatakushtetuese.jpg

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi SPAK për rastin e gazetarit Elton Qyno.

Në reagim AGSH thekson se ky është një sinjal i qartë për institucionet e drejtësisë, duke kujtuar se në çdo shoqëri demokratike, gazetarët duhet të jenë të lirë të kryejnë detyrën e tyre pa frikë nga presioni për të zbuluar burimet.

Asociacioni shprehet se mbetet i angazhuar në mbrojtjen e çdo gazetari dhe në promovimin e një ambienti mediatik të lirë, të pavarur në vend. 

‘Mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen Elton Qyno. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë përshëndet vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila me një vendim unanim konfirmoi se sekuestrimi i të dhënave kompjuterike të gazetarit Elton Qyno ka përbërë shkelje të lirisë së shprehjes dhe të të drejtës themelore të gazetarëve për të mbrojtur burimet e tyre të informacionit.

Ky vendim përbën një precedent të rëndësishëm kushtetues dhe një sinjal të qartë për institucionet e drejtësisë që liria e medias dhe mbrojtja e burimeve nuk janë privilegje, por të drejta themelore të garantuara nga Kushtetuta dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut. Asociacioni rithekson se në çdo shoqëri demokratike, gazetarët duhet të jenë të lirë të kryejnë detyrën e tyre pa frikë nga ndërhyrjet shtetërore apo presioni për të zbuluar burimet. AGSH mbetet e  angazhuar në mbrojtje të çdo gazetari dhe në promovimin e një ambienti mediatik të lirë, të pavarur dhe të sigurt në Shqipëri’, thuhet në reagim.

SI.E./A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Miku: 23/04/2025 09:36

    Po ka plot vendime te GJEDNj-se qe konfirmojne se burimi i gazetarit nuk mund te zbulohet. Duhej patjeter te shkonte deri ne Gjykate Kushtetuese per t,i dhene te drejte gazetarit?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni tonet e përdorura deri më tani në fushatën e 11 majit?