Ilir Toska

Kronikë

Gjykata Kushtetuese me 8 anëtarë, betohet në Presidencë Ilir Toska

26 Shtator 2022, 12:22| Përditesimi: 26 Shtator 2022, 12:26

  • Share

Betohet Ilir Toska, anëtari i tetë i Gjykatës Kushtetuese (nga 9 gjithsej), gjyqatri i cili u zgjodh nga Gjykata e Lartë më 12 shtator. Toska, gjyqtar dhe ish-anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, u betua para Presidentit të Republikës Bajram Begaj. 

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës të emërimit të tij nga Kreu i Shtetit, Gjyqtari Toska me dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, u betua para Presidentit Begaj se: “Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë”.

Presidenti Begaj i uroi suksese zoti Ilir Toska, në detyrën e  re të  anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Në ceremoninë solemne të betimit ishin të pranishëm Kryetarja  e Gjykatës Kushtetuese, znj.Vitore Tusha, zv. Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Sokol Sadushi, Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, z. Sokol Binaj, Këshilltari  Ligjor Rezident i OPDAT pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, z. Constantine Soupios si dhe kreu i Sektorit Politik në Delegacionin e BE-së në Tiranë z. Alexis Hupin si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës. Gjyqtari Toska do të jetë anëtari i tetë i Gjykatës Kushtetuese dhe i dyti përfaqësues i Gjykatës së Lartë në këtë institucion. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, KED përcolli raportin e miratuar dhe listën me dokumentacionin shoqërues të tre kandidatëve që konkurruan për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese të ish-gjyqtarit të shkarkuar Gani Dizdari.

Pas kontrollit të kryer nga KED, në listë ishte renditur i pari, gjyqtari i apelit Ilir Toska. Toska është vlerësuar me 85.44 pikë, ndërsa i ka kaluar të dyja shkallët e vettingut. Në listën e KED e dyta ishte renditur gjyqtarja Manjola Xhaxho me 83.34 pikë, ndërsa e treta gjyqtarja Holta Zaçaj me 82.2 pikë. Pas mungesave të krijuara nga procesi i vettingut, Gjykata Kushtetuese e nisi punën në dhjetor 2020, pasi u plotësua kuorumi me 7 anëtarë. Aktualisht, me shtimin e zotit Toska në radhët e saj, ajo ka në përbërje 8 anëtarë. Gjykata e Lartë propozon dhe ka te drejte emërimi për 3 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, nga 9 që ka gjithsej ajo. 3 përzgjidhen nga presidenti dhe 3 të tjerët nga Parlamenti.

Lista e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese

1. Dr. Vitore Tusha, Kryetare

2. Marsida Xhaferllari, anëtare

3. Dr. Fiona Papajorgji, anëtare

4. Dr. Elsa Toska, anëtare

5. Altin Binaj, anëtar

6. Sonila Bejtja, anëtare

7. Dr. Sandër Beci, anëtar

8. Ilir Toska, anëtar

 

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?