TIRANË- Plotësimin e Gjykatës Kushtetuese me 9 anëtarë, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim e ka cilësuar si një moment historik për Reformën në Drejtësi. Ajo vë theksin se plotësimi erdhi si rezultat i bashkëpunimit mes institucioneve.
“Gjyqtari i 9 u betua në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese arriti funksionalitetin në Dhjetor 2020 me 7 gjyqtarë. Tani, për herë të parë që prej Tetorit 2016, Gjykata Kushtetuese është e plotësuar. Ky është një moment historik i rëndësishëm në implementimin e Reformës në Drejtësi. Gur mbi gur… Kjo ishte si rezultat i bashkëpunimit të institucioneve duke përfshirë Presidencën, Parlamentin, Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, Gjykatë e Lartë. Hapi i radhës: Mezi presim plotësimin e Gjykatës së Lartë në fillim të vitit të ardhshëm në mënyrë që sa më shumë çështje të shqyrtohen në kohën e duhur. Urime dhe suksese”, u shpreh ambasadorja Kim.
Ish-kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi nisi punën zyrtarisht si anëtari i 9-të i Gjykatës Kushtetuese. Ibrahimi u dekretua nga Begaj më 7 dhjetor, ndërsa e merr këtë detyrë për të plotësuar vakancën e krijuar pas mbarimit të mandatit të gjyqtarit Përparim Kalo.
Pas mungesave të krijuara nga procesi i vettingut, Gjykata Kushtetuese e nisi punën në dhjetor 2020, pasi u plotësua kuorumi me 7 anëtarë. Aktualisht, me shtimin e Ibrahimit në radhët e saj, ajo ka në përbërje 9 anëtarë. Gjykata e Lartë propozon dhe ka te drejtë emërimi për 3 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, nga 9 që ka gjithsej ajo. 3 përzgjidhen nga presidenti dhe 3 të tjerët nga Parlamenti.