Luan Daci

Kërkoi rikthimin në KPA, Gjykata Kushtetuese nuk pranon ankimin e Luan Dacit: Vendimi i KPA nuk shqyrtohet nga ne

9 Qershor 2022, 13:59| Përditesimi: 9 Qershor 2022, 14:23

  • Share

Gjykata Kushtetuese nuk ka pranuar të marrë në shqyrtim ankimin e ish-gjyqtarit të Luan Daci kundër vendimit të shkarkimit nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit. Daci u shkarkua në dhjetor 2021 nga kolegët e tij, pasi më herët u dënua nga drejtësia shqiptare me 1 vit burg për falsifikim dokumentesh e deklarim të rremë.

Sipas vendimit të zbardhur nga ReportTv edhe pse ndaj Dacit kishte një dënim kolegët e KPA e anashkaluan dhe ndërhyrja me 2 shkresa e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të procesit të vettingut, i vuri ata në lëvizje për ta shkarkuar duke e zëvendësuar me një gjyqtar tjetër.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Vendim nr. 60 datë 23.05.2022

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga:

Vitore Tusha, Kryetare

Përparim Kalo, Anëtar

Fiona Papajorgji, Anëtare

në datën 23.05.2022 mori në shqyrtim paraprak kërkesën nr. 2 (L) 2022 të Regjistrit Themeltar, që i përket:

KËRKUES: LUAN DACI

OBJEKTI: Shfuqizimi i vendimit nr. 1 (JD), datë 09.12.2021 të Komisionit Disiplinor të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.                  

BAZA LIGJORE:  Nenet 4, pika 1, 6, 128, 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pika 1, shkronja “i”, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe neni C, pika 16, i Aneksit të saj; nenet 6 dhe 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ); neni 18, pika 3, i ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar (ligji nr. 8577/2000); nenet 16 dhe 17 të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” (ligji nr. 84/2016); neni 100, pikat 1 dhe 2, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” (ligji nr. 96/2016). 

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese (Kolegji), pasi dëgjoi relatoren e çështjes Fiona Papajorgji, shqyrtoi kërkesën, dokumentet shoqëruese dhe diskutoi çështjen në tërësi,

V Ë R E N:

I

Rrethanat e çështjes

1.            Me vendimin nr. 82/2017, datë 17.06.2017 të Kuvendit të Shqipërisë zoti Luan Daci (kërkuesi) është zgjedhur gjyqtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA).

2.            Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr. 56, të vitit 2020, në ngarkim të kërkuesit, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, të parashikuar nga neni 186, paragrafi i parë, i Kodit Penal dhe me vendimin e datës 15.07.2020 kërkuesi është marrë i pandehur, duke iu njoftuar edhe akuza për këtë vepër penale.

3.            Pasi është vënë në dijeni për këto akte, Mbledhja e Gjyqtarëve të KPA-së, me vendimin nr. 14, datë 24.07.2020, në zbatim të nenit C, pika 3, të Aneksit të Kushtetutës, nenit 128, pika 3, shkronja “b”, nenit 179, pika 7 dhe nenit 179/b, pikat 5 dhe 6, të Kushtetutës, ka vendosur pezullimin e kërkuesit nga detyra e gjyqtarit të KPA-së.

4.            Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 32, datë 01.12.2020, ka vendosur: “1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Luan Daci, për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, të parashikuar nga neni 186/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim. 2. Në bazë të nenit 63 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim me kusht që i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale brenda një afati prove prej 12 muajsh.”. Ky vendim është ankimuar nga kërkuesi në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

5.            Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 5, datë 08.03.2021, ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr. 32, datë 01.12.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”. Kundër këtij vendimi kërkuesi ka ushtruar të drejtën e rekursit në Gjykatën e Lartë.

6.            Me shkresat e datave 25.05.2021 dhe 28.05.2021, përfaqësuesi i vëzhguesve ndërkombëtarë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) ka nxitur KPA-në të deklarojë përfundimin e mandatit të gjyqtarit Luan Daci dhe i ka kërkuar të fillojë procedimin disiplinor ndaj tij, duke sugjeruar edhe bazën ligjore të zbatueshme. E vënë në lëvizje me këto kërkesa të ONM-së, KPA-ja ka regjistruar çështjen e juridiksionit disiplinor (JD) nr. 5/2021, datë 31.05.2021. Në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 84/2016 dhe të Rregullores për veprimtarinë e KPA-së është organizuar shorti për zgjedhjen e gjyqtarit hetues dhe të Komisionit Disiplinor.

7.            Gjyqtari hetues, mbi bazën e materialeve të përcjella nga ONM-ja, me vendimin nr. 1, datë 04.06.2021, ka vendosur fillimin e hetimit disiplinor, i cili u është njoftuar ONM-së dhe Komisionit Disiplinor, si dhe është njoftuar gjyqtari Luan Daci për ushtrimin e së drejtës për t`u informuar, mbrojtur dhe dëgjuar. Në datën 14.06.2021 gjyqtari hetues ka zhvilluar seancën e njohjes me aktet dhe dorëzimin e tyre kërkuesit, duke i caktuar edhe afatin për paraqitjen e parashtrimeve me shkrim dhe të provave.

8.            Mbi kërkesën e kërkuesit, me vendimin nr. 2, datë 06.07.2021, gjyqtari hetues ka vendosur pezullimin e hetimit disiplinor deri në dhënien e vendimit nga Gjykata e Lartë për rekursin kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

9.            Pasi është njohur me faktin se Gjykata e Lartë ka vendosur mospranimin e këtij rekursi, me vendimin nr. 3, datë 29.10.2021, gjyqtari hetues ka vendosur rifillimin e hetimit disiplinor, duke ia njoftuar atë kërkuesit, Komisionit Disiplinor dhe ONM-së.

10.          Me vendimin nr. 4, datë 24.11.2021, pasi është njohur edhe me parashtrimet e kërkuesit, gjyqtari hetues ka vendosur përfundimin e procedurës hetimore dhe i ka dërguar Komisionit Disiplinor raportin për rezultatet e hetimit.

11.          Komisioni Disiplinor i KPA-së, pasi ka marrë në shqyrtim raportin e gjyqtarit hetues dhe parashtrimet e tij, si dhe ka dëgjuar e marrë në shqyrtim parashtrimet e kërkuesit, me vendimin nr. 1 (JD), datë 09.12.2021, në mbështetje të nenit 128, pika 2, shkronja “b”, të Kushtetutës, nenit 17, pika 6, shkronja “a”, të ligjit nr. 84/2016 dhe nenit 105, pika 1, shkronja “dh”, të ligjit nr. 96/2016, ka vendosur: “1. Shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, z. Luan Daci. 2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.”.

12.          Me kërkesën e datës 05.04.2022, kërkuesi Luan Daci i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese (Gjykata) me ankim kushtetues individual, sipas objektit të mësipërm.

II

Pretendimet e kërkuesit

13.          Kërkuesi ka pretenduar se vendimi i kundërshtuar i KPA-së duhet të shfuqizohet për këto shkaqe:

13.1.      Vendimi ka shkelur dhe nuk ka respektuar garancitë e kërkuesit të përcaktuara në nenin C, pika 16, të Aneksit të Kushtetutës, që normon dhe parashikon përmbajtjen e përgjegjësisë disiplinore të anëtarit të institucionit të rivlerësimit sipas ligjit të posaçëm nr. 84/2016, konkretisht neni 16 i tij. Referimi i gabuar jashtë rasteve të përcaktuara dhe të normuara nga kjo dispozitë dhe në tejkalim të tyre ka çuar në një vendim të padrejtë, të paligjshëm dhe në krijimin e një norme të re. Në këtë mënyrë janë cenuar rëndë garancitë e gjyqtarit të KPA-së, i cili nuk i është nënshtruar procedimit disiplinor sipas ligjit, por ndaj tij është dhënë masë disiplinore në mungesë të shkeljes dhe në mungesë të shkaqeve për dhënien e masës disiplinore.

13.2.      Gjatë procedimit disiplinor është cenuar parimi i ligjshmërisë, sepse ka filluar hetimi dhe kërkuesi është proceduar pa ekzistuar fakti-shkelja disiplinore, por në mënyrë artificiale dhe në shkelje të nenit 7 të Kushtetutës, pasi KPA-ja, duke krijuar një normë jashtë kompetencave të saj (ultra vires), ka marrë atributet e ligjvënësit dhe ka “përcaktuar dhe normuar”, duke përfshirë në mënyrë abuzive një rast ekstraligjor.

13.3.      Kërkuesi është dënuar pa ligj, pasi KPA-ja ka zbatuar gabim nenin 128, pika 2, shkronja “b”, të Kushtetutës, që u referohet vetëm gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe jo të KPA-së, për të cilët zbatohen garanci të tjera kushtetuese. Ligjvënësi me nenin C, pika 16, të Aneksit të Kushtetutës dhe ligjin nr. 84/2016, për të eliminuar procedimet disiplinore dhe gjykimet arbitrare, i ka ndarë rastet e procedimit disiplinor të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga ato të institucioneve të rivlerësimit. Kjo ndarje është bërë në nenet 10 dhe 10/a të ligjit nr. 8577/2000, që zbatohen për të parët, dhe nenin 16 të ligjit nr. 84/2016, që zbatohet për të dytët, pra për kërkuesin. Për rrjedhojë, përgjegjësia disiplinore për anëtarët e dy dhomave të Gjykatës Kushtetuese ka referencë të ndryshme ligjore. Neni 128, pika 2, shkronja “b”, i Kushtetutës nuk ka lidhje me anëtarët e institucioneve të rivlerësimit, të cilët dispozitën e mbajtjes së përgjegjësisë disiplinore e kanë të përcaktuar te ligji i posaçëm nr. 84/2016, pikërisht nenet 16 dhe 17, si dhe neni C i Aneksit të Kushtetutës. Për rrjedhojë, kërkuesi nuk është dëgjuar drejtësisht nga KPA-ja në gjykimin e kësaj çështjeje.      

13.4.      Pretendimet e kërkuesit nuk i janë nënshtruar një analize ligjore nga gjyqtari hetues e nga KPA-ja dhe në vendimmarrjen e tyre nuk është bërë asnjë koment, analizë, interpretim ose referim në rastet e përcaktuara si shkelje nga neni 16 i ligjit nr. 84/2016. Pretendimet e parashtruara me shkrim përpara gjyqtarit hetues dhe trupës së KPA-së nuk janë referuar në vendim dhe as shkaqet se përse nuk janë pranuar ato, çka tregon se këto organe kanë qenë paragjykuese.

III

Vlerësimi i Kolegjit

A.            Për juridiksionin e Gjykatës 

14.          Sipas neneve 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pika 1, shkronja “i” dhe pika 2 të Kushtetutës, si dhe nenit 71 të ligjit nr. 8577/2000, çdo individ, person fizik ose juridik, subjekt i së drejtës private dhe publike, mund të vërë në lëvizje Gjykatën për gjykimin përfundimtar të ankesave kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor që cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë.

15.          Kolegji vlerëson se në kushtet kur objekt i ankimit kushtetues individual është vendimi i Komisionit Disiplinor të KPA-së, që ka vendosur shkarkimin e kërkuesit nga detyra e gjyqtarit të po atij organi, duhet të analizohet fillimisht juridiksioni i Gjykatës për shqyrtimin e këtij ankimi.

16.          Neni 179/b, pika 5, i dispozitave kalimtare të Kushtetutës parashikon se gjatë periudhës kalimtare 9-vjeçare Gjykata do të funksionojë me dy kolegje, një prej të cilëve është KPA-ja. Në mbështetje të këtij parashikimi, dispozitat kushtetuese kanë përcaktuar KPA-në si organin e vetëm gjyqësor që shqyrton ankimet e subjekteve që i nënshtrohen procesit të rivlerësimit kalimtar kundër vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (neni F i Aneksit të Kushtetutës), por edhe si organin që shqyrton shkeljet disiplinore të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si dhe ankimet për vendosjen e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe inspektorëve të tjerë (neni 179, pika 7, i Kushtetutës). 

17.          Juridiksioni disiplinor i KPA-së, përfshin edhe shqyrtimin e shkeljeve disiplinore të anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit përgjatë periudhës së ushtrimit të mandatit të tyre kushtetues. Sipas nenit C, pika 16, të Aneksit të Kushtetutës “anëtari i Komisionit, gjyqtari i Kolegjit të Apelimit dhe Komisioneri Publik mban përgjegjësi disiplinore. Rastet e shkeljes disiplinore shqyrtohen nga Kolegji i Apelimit, sipas ligjit”. 

18.          Kolegji vëren se neni C, pika 3, i Aneksit të Kushtetutës parashikon se gjyqtarët e KPA-së gëzojnë statusin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese. Për sa i përket përgjegjësisë së tyre disiplinore, neni 16 i ligjit nr. 84/2016 ka parashikuar rastet që pasjellin përgjegjësinë disiplinore të anëtarit të institucionit të rivlerësimit, ndërsa neni 17 ka parashikuar procedurën disiplinore dhe organin kompetent për caktimin e masës disiplinore, që është Komisioni Disiplinor i KPA-së, i cili në ushtrimin e funksioneve respekton në mënyrë të balancuar parimin e pavarësisë, paanësisë dhe besueshmërisë, si dhe të drejtën për respektimin e jetës private. Ai cakton masën disiplinore në përputhje me legjislacionin që rregullon statusin e gjyqtarëve ose prokurorëve (pika 6 e nenit 17 të ligjit nr. 84/2016), ndërsa anëtari që i nënshtrohet procedimit disiplinor gëzon një sërë të drejtash, si ajo për t`u informuar, për t`u mbrojtur dhe dëgjuar gjatë procedimit disiplinor (pika 7 e nenit 17 të ligjit nr. 84/2016).

19.          Gjykata, ndërkohë, është shprehur disa herë për juridiksionin e saj kushtetues për shqyrtimin e ankimeve kushtetuese individuale kundër vendimeve të KPA-së, si në rastet kur objekt i tyre ka qenë procesi i rivlerësimit kalimtar, ashtu edhe kur ka shqyrtuar çështje që i përkasin juridiksionit disiplinor. Në lidhje me këto të fundit ajo ka vlerësuar se pretendimet që lidhen me procedurat e shkarkimit të gjyqtarëve dhe të subjekteve që barazohen me ta, nuk mund të jenë objekt shqyrtimi në Gjykatë (shih vendimin nr. 17, datë 09.02.2021 të Mbledhjes së Gjyqtarëve).

20.          Kolegji vlerëson se, si organ kushtetues dhe dhomë e Gjykatës, edhe pse me kompetenca të veçanta, KPA-ja ofron të gjitha garancitë që kërkon e drejta për një proces të rregullt ligjor, përfshirë të drejtën e ankimit, në kuptim të nenit 42 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së. Në këtë kuptim, ajo vepron në përputhje me parimet e kushtetutshmërisë dhe procesit të rregullt, duke qenë njëkohësisht edhe interpretuesi i parë i parashikimeve kushtetuese dhe atyre ligjore, duke i dhënë kuptim dispozitave të zbatueshme dhe duke zgjidhur në këtë mënyrë edhe paqartësitë ose dyshimet që mund të lindin prej zbatimit të tyre në praktikë.

21.          Nga ana tjetër, Kolegji rithekson se vetëm për subjektet e rivlerësimit neni F, pika 8, i Aneksit të Kushtetutës parashikon se mund të ushtrojnë ankim në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke kufizuar të drejtën e ankimit brenda sistemit të brendshëm (shih vendimin nr. 2, datë 18.01.2017 të Gjykatës Kushtetuese). Ndërkohë që si Kushtetuta ashtu edhe nenet 16 dhe 17 të ligjit nr. 84/2016 nuk kanë asnjë parashikim për të drejtën e ankimit (ose jo) ndaj vendimeve të Komisionit Disiplinor të KPA-së dhe as për të drejtën e kontrollit të tyre nga Gjykata.

22.          Kolegji, duke pasur parasysh jo vetëm mungesën e një parashikimi të tillë kushtetues, por edhe duke mbajtur në konsideratë mënyrën se si është konceptuar përgjegjësia disiplinore e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit në Kushtetutë dhe ligj, pra procedurën e shqyrtimit të shkeljes disiplinore, mënyrën e organizimit dhe funksionimit të KPA-së, pozicionin e saj kushtetues dhe statusin e anëtarëve, kompetencat dhe bazën ligjore ku mbështetet veprimtaria e këtij organi dhe veçanërisht të drejtat që gëzojnë subjektet që i nënshtrohen procedimit disiplinor, vlerëson se Kushtetuta ka përjashtuar çdo lloj kontrolli të një organi tjetër, përfshirë vetë Gjykatën, ndaj vendimmarrjes së KPA-së. Kufizimi që Kushtetuta i ka bërë këtij juridiksioni kushtetues, duke e deleguar atë, nuk nënkupton se ajo ka lejuar ankimin në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me këto çështje. Parimi i ndarjes së pushteteve, si element i shtetit të së drejtës, kërkon që Gjykata të merret vetëm me çështjet kushtetuese në juridiksion të saj, si dhe të respektojë juridiksionin dhe përgjegjësitë e organeve të rivlerësimit.

23.          Gjykata ka pranuar kufizimin e juridiksionit të saj për shqyrtimin e ankimeve kushtetuese individuale për çështje që lidhen me procesin që zhvillon KPA-ja në ushtrim të kompetencave që ia ka deleguar vetë Kushtetuta (pavarësisht nëse i përkasin juridiksionit të rivlerësimit kalimtar ose atij disiplinor). Referuar përmbajtjes së dispozitave kushtetuese dhe qëndrimit të Gjykatës në çështje të ngjashme, gjatë periudhës kalimtare të ushtrimit të mandatit nga KPA-ja, juridiksioni disiplinor i përket ekskluzivisht kësaj të fundit dhe vetëm në përfundim të këtij mandati kushtetues 9-vjeçar ky juridiksion do t`i kalojë Gjykatës Kushtetuese. 

24.          Për sa më sipër, Kolegji thekson se kërkimet e paraqitura në lidhje me papajtueshmërinë me Kushtetutën të vendimit të KPA-së nuk hyjnë në kompetencën e kësaj Gjykate. Për rrjedhojë, kërkesa e paraqitur nuk plotëson kriteret ligjore për pranimin e saj për shqyrtim në seancë plenare.

PËR KËTO ARSYE,

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në bazë të neneve 31 dhe 31/a, pika 2, shkronja “a”, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar,

V E N D O S I:

Moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare.

Luan Daci, edhe pse kishte një vendim të drejtësisë shqiptare që e ka dënuar dhe një vendim të KPA që e kishte pezulluar ish-gjyqtarin, ai vijonte të shkonte në punë, duke i sfiduar këto vendime. Ai u dënua me 6 muaj burg konvertuar në një vit shërbim prove dhe kushtin që mos ushtrojë funksione publike. Hetimet e SPAK bindën Gjykatën e Posaçme kundër Krimit e Korrupsionit dhe Apelin e GJKKO të dënojë Luan Dacin me akuzën e falsifikimit të dokumenteve për të fituar postin e anëtarit të KPA.

Në dokumentacionin e paraqitur në atë kohë nga gjyqtari i KPA ai fshehu faktin se kur ishte gjyqtar në gjykatën e Tiranës në 1997, KLD-ja me propozim të ministrit të Drejtësisë e shkarkoi nga detyra për shkelje të ligjit dhe paaftësi.

 

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?