Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese përfundon dëgjimin e argumenteve për Butrintin, vendimi jepet më 30 nëntor

13 Nëntor 2023, 21:00| Përditesimi: 14 Nëntor 2023, 01:47

  • Share

Në Tiranë Gjykata Kushtetuese mbylli sot hetimin gjyqësor për çështjen e Parkut Kombëtar të Butrintit dhe shtyu vendimmarrjen deri më 30 nëntor.

Gjykata bëri të ditur se, deri në atë datë palët e interesuara mund të paraqesin një material të pritshëm me vlerësimet nga UNESCO për këtë çështje.

Një grup prej 36 deputetësh i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese të shfuqizojë si antikushtetues ligjin mbi administrimin e atij Parku Kombëtar, bazuar në një marrëveshje mes ministrisë së Kulturës dhe Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit.

Gjykata mori sot në shqyrtim 3 kërkesa; për shtesë e saktësim të objektit në gjykim, shtyrje të vendimit dhe për largim nga trupa gjyqësore të tre prej gjyqtarëve.

Kërkesën e fundit gjykata e rrëzoi, ndërsa mbylli hetimin gjyqësor dhe e shtyu vendimmarrjen deri më 30 nëntor.

Në seancë gjyqësore kishte përfaqësues nga Avokati i Popullit dhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, të cilët e lanë në vullnetin e gjykatës vendimin për kërkesat e reja të avokatit të deputetëve.

Në seancë ishin dhe përfaqësues nga Kuvendi, nga qeveria, dhe nga Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit.

Ata u shprehën se kërkuesit e procesit po vinin me një seri kërkesash të reja, me një strategji vonesah, për të shkaktuar shtyrjen dhe zvarritjen e kësaj çështje të ndjeshme.

Menaxheri i projektit të Butrintit në Fondacionin Shqiptaro - Amerikan për Zhvillim, Ilir Parangoni, tha për Zërin e Amerikës se ky fondacion po pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe respekton vendimin e saj për çështjen e Butrintit.

Në një prononcim për Zërin e Amerikës Parangoni tha se Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit nuk ka marrë ende nën administrim sitin kulturor të Butrintit përderisa çështja është ende në Gjykatën Kushtetuese.

Ai shtoi se miradministrimi i Butrintit përballet me sfida të reja si numri i madh i vizitorëve, ndryshimet klimaterike, duke qenë pranë detit.

“AADF as nuk merr​ as nuk jep me koncesion pasuri kulturore, që janë nën shtetin shqiptar, që administrohen nga shteti shqiptar. Të gjithë të ardhurat që do të gjenerohen në Butrint do të qëndrojnë në Butrint. Modeli i ri ka për bazë, që të gjithë të ardhurat që do të gjenerohen nga turizmi dhe nga vizitueshmëria e sajtit do të qëndrojnë në Butrint, për t’u investuar në Butrint pa marrë pas as edhe një qindarkë”, tha zoti Parangoni për Zërin e Amerikës.

Ligji mbi marrëveshjen e ministrisë së kulturës me Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit u miratua nga Kuvendi 18 muaj më parë mes debateve të ndezura në Kuvend, ndërsa Gjykata Kushtetuese e regjistroi kërkesën e deputetëve opozitarë plot një vit më parë, ndërsa janë zhvilluar disa seanca në janar, shkurt, korrik, tetor dhe tani në nëntor.

Ligji shkaktoi protesta dhe debate të ndezura nga shoqëria civile dhe nga deputetët opozitarë, që dyshojnë për shfrytëzim të paligjshëm dhe antikushtetues të një pasurie të madhe të vendit, e cila mund të dëmtohet nga menaxhimi privat i kësaj forme.

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?