Gjykata Kushtetuese ka pranuar padinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë duke pezulluar ndryshimet në ligjin për kompensimin e pronave.
Në padi kundërshtohet metodologjia e përllogaritjes së kompensimit financiar për pronat ndaj të cilave ka ndryshuar zëri kadastral.
Kushtetuesja pranoi kërkesën e KSHM duke e kaluar për gjykim dhe deri në vendimin final, pezullohet zbatimi i ndryshimeve në ligjin për pronat që u miratuan vitin e kaluar. Kështu vendosi që çështja të kalojë për shqyrtim në seancë plenare publike.
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, sot në datën 08.11.2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen me nr. 18 (K) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkues Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, me objekt: “Shfuqizimi i pikës 2 të nenit 1 dhe pikave 1, 2 dhe 5 të nenit 2 të ligjit nr. 77/2022, datë 17.11.2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave””, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Shfuqizimi i pikave 2, 3/1 dhe 3/2, shkronja “c”, të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 313, datë 24.05.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 223, datë 23.03.2016 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Shfuqizimi i pikës 8 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 313, datë 24.05.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 223, datë 23.03.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar”, në pjesën që shton pikën 16/7 në vendimin nr. 223, datë 23.03.2016 të Këshillit të Ministrave, si e papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Pezullimi i zbatimit të këtyre akteve deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”, bazuar në nenet 32 dhe 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenet 11, pika 3, shkronja “f”, 26 dhe 27 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese,
VENDOSI:
1. Kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike.
2. Pranimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 77/2022, datë 17.11.2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave””.