Gjykata Kushtetuese ka bërë një bilanc të veprimtarisë së saj gjatë vitit 2022, duke theksuar se ka pasur një rritje të numrit të kërkesave që mbërrijnë për shqyrtim. Një njoftimin e publikuar, bëhet me dije se gjatë vitit 2022 janë regjistruar 291 kërkesa në total për t’u shqyrtuar. Mes tyre ka pasur edhe kërkesa të bëra nga deputetët, organizatat dhe gjykatat e juridiksionit të zakonshëm.
“Gjatë këtij viti janë paraqitur dhe regjistruar 291 kërkesa. Gjithashtu, janë marrë në shqyrtim edhe 36 çështje të mbartura nga viti 2021 (gjithsej 327), përqindja më e madhe e të cilave, përkatësisht 84 %, i përket ankimit kushtetues individual, kurse për pjesën tjetër të kërkesave (rreth 16%), Gjykata Kushtetuese është vënë në lëvizje nga deputetët, gjykatat e juridiksionit të zakonshëm (kontrolli incidental), organizatat etj”-thuhet në njoftim.
Gjatë ktij viti që kaloi, Gjykata Kushtetuese ka marrë 238 vendime, nga të cilat 195 janë vendime moskalimi dhe 43 janë vendime përfundimtare. Për sa u përket vendimeve përfundimtare, për 14 çështje të shqyrtuara (33%) është vendosur pranimi i kërkesës; për 9 çështje të shqyrtuara (21%) është vendosur pranimi pjesërisht i kërkesës; dhe për 20 çështje të shqyrtuara (46%) është vendosur rrëzimi i kërkesës.
Mes çështjeve më të rëndësishme për të cilat gjykata Kushtetuese ka dhënë vendimin, ka qenë ajo e ‘përplasjes’ mes Kuvendit dhe Presidentit, ku kërkohej shkarkimi i këtij të fundit. Në njoftim theksohet se gjykata kishte përcaktuar 4 kriteret që duheshin faktuar për të përcaktuar atë që Kuvendi e konsideronte si ‘shkelje të rëndë’ nga Presidenti i Republikës asokohe, Ilir Meta. Në vendimin e publikuar në 16 shkurt të vitit 2022, bëhej me dije se nuk kishte pasur shkelje të rënda të Kushtetutës nga Meta, për të sjellë shkarkimin e tij nga posti i presidentit.
“Rëndësia e këtij vendimi qëndron në faktin që, për herë të parë, Gjykata përcaktoi katër kriteret që duhet të vërtetohen për ta konsideruar “shkeljen e rëndë” të kryer nga Presidenti si shkak për shkarkimin nga detyra të tij, sipas parashikimit të nenit 90 të Kushtetutës. Gjithashtu, Gjykata, duke kontrolluar procedurën e ndjekur nga Kuvendi në procesin impeachment, pati rastin të shprehej rreth standardeve kushtetuese të procesit të rregullt ligjor që i garantohen Presidentit. Në kuptim të analizës së legjitimimit të Kuvendit, Gjykata u shpreh për parimin e vazhdimësisë institucionale, si dhe për momentin e konstituimit të Kuvendit, zëvendësimin e deputetëve, numrin e përgjithshëm të deputetëve, mungesën e vendimeve të organeve kompetente për të deklaruar parregullsinë ose pavlefshmërinë e zëvendësimit të mandateve dhe mundësinë e kësaj legjislature për të arritur kuorumet e nevojshme, në drejtim të vlefshmërisë së ligjeve dhe vendimeve të miratuara( vendimi nr. 1, datë 16.02.2022)”- theksohet në njoftimin e publikuar nga Gjykata Kushtetuese.
Me arsyetimin se veprimet e Metës nuk përbënin shkelje të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese rrëzoi në këtë mënyrë vendimin e marrë nga Kuvendi i Shqipërisë për shkarkimin e Metës nga posti i presidentit në datë 9 qershor të vitit 2021.