Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot kërkesën e Partisë Demokratike për shfuqizimin e ligjit për administrimin e parkut kombëtar të Butrintit duke lënë në fuqi marrëveshjen për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit nga Fondi Shqiptaro Amerikan për Zhvillimin.
Kushtetuesja rrëzoi pretendimet e deputeteve demokrate duke vënë në dukje se kjo marrëveshje nuk cënon as identitetin kombëtar dhe as trashëgiminë kulturore.
Në vendimin e saj gjykata vlerëson se pavarësisht transferimit të kompetencave me natyrë administrative (menaxhuese) tek Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, shteti vijon të ruajë atributet e tij sovrane për sa kohë që ruan pronësinë mbi këtë pasuri ashtu edhe administrimin indirekt, në përputhje me standardet dhe parimet kushtetuese.
Sipas gjykatës pavarësisht se menaxhimi i Butrintit do të realizohet nga Fondi Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, roli i shtetit mbetet parësor në raport me Parkun Kombetar të Butrintit. Por Gjykata Kushtetuese vlerëson se marrëveshja, në tërësinë e saj, ka krijuar mekanizma garantues dhe rendit tre pikat
Së pari, Fondacionit i përket vetëm administrimi i zakonshëm i pasurisë, ndërkohë që çdo veprimtari që kalon kufijtë e administrimit të zakonshëm dhe lidhet me ndërhyrjet ruajtëse dhe mbrojtëse në këtë pasuri i përket shtetit;
Së dyti, çdo akt i Fondacionit është subjekt i kontrollit të drejtpërdrejtë të organeve shtetërore sipas fushës së kompetencës të përcaktuar me ligj. Më konkretisht, Fondacioni nuk përjashtohet nga përmbushja e çdo detyrimi ligjor që ka sipas legjislacionit çdo entitet tjetër shtetëror apo publik, siç janë marrja e lejeve ose licencave përkatëse nga autoritetet kompetente për fillimin e punimeve ndërtimore apo ndërhyrjet ruajtëse dhe mbrojtëse në këtë pasuri, sipas marrëveshjes;
Së treti, marrëveshja përcakton, gjithashtu, detyrimin e Fondacionit për të raportuar në mënyrë periodike për gjendjen e konservimit të pasurisë kulturore, ndërkohë që ministria ngre bordin e monitorimit, i cili mund të ushtrojë kontroll në vend për vlerësimin e gjendjes së konservimit të pasurisë.
Dy vite më parë qeveria shqiptare vendosi që menaxhimi i Parkut Kombëtar të Butrintit të kryhet nga një fondacion i krijuar nga Ministria e Kulturës dhe AADF, për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje. Ligji u miratua nga Kuvendi në maj të vitit 2022 dhe shkaktoi protesta dhe debate të ndezura nga shoqëria civile dhe nga deputetët opozitarë, që dyshojnë për shfrytëzim të paligjshëm dhe antikushtetues të një pasurie të madhe të vendit, e cila mund të dëmtohet nga menaxhimi përmes kësaj forme.
Një grup prej 36 deputetësh opozitarë të drejtuar nga Sali Berisha i kërkuan Gjykatës Kushtetuese që ta shfuqizojë si antikushtetues ligjin mbi administrimin e Parkun Kombëtar të Butrintit. Gjykata Kushtetuese e regjistroi kërkesën e deputetëve opozitarë në 2022, ndërsa u zhvilluan disa seanca në janar, shkurt, korrik, tetor e nëntor 2023.
Njoftimi
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim kërkesën e jo më pak se një të pestës së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, me objekt shfuqizimin e ligjit nr. 50/2022, datë 23.05.2022 “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si dhe pezullimin e zbatimit të tij deri në hyrjen në fuqi të vendimit të kësaj Gjykate.
Gjykata, pasi mori në shqyrtim paraprakishst çështjen e juridiksionit të saj, arriti në përfundimin se ka juridiksion për shqyrtimin e ligjit miratues nr. 50/2022, në kuptim të nenit 131, pika 1, shkronja “a”, të Kushtetutës. Për sa i përket marrëveshjes për administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, pavarësisht natyrës jo normative të këtij akti, Gjykata pranoi juridiksionin e saj për shqyrtimin e tij. Në këtë drejtim, Gjykata pati parasysh jo vetëm se ky akt ka veshje formale me ligj për shkak të miratimit nga Kuvendi, por edhe natyrën kushtetuese të pretendimeve të ngritura nga kërkuesi, të cilat ajo i ka konsideruar si përcaktuese të juridiksionit kushtetues.
Lidhur me pretendimet e paraqitura nga kërkuesi, Gjykata vlerësoi:
Për pretendimin për cenimin e parimit të ligjshmërisë, bazuar në nenin 118 të Kushtetutës, për shkak të dhënies së statutit partner strategjik të AADF-së me një akt nënligjor, Gjykata vlerësoi se nuk ka juridiksion ratione materiae për shkak të natyrës individuale të këtij akti.
Për pretendimin për cenimin e parimit të kontrollit të financave publike Gjykata vlerësoi se është haptazi i pabazuar, pasi bazuar në aktet e administruara dhe qëndrimet e palëve në gjykim ajo arriti në përfundimin se nuk vihet në diskutim ushtrimi i kompetencës së KLSH-së për të kontrolluar financat publike, pavarësisht llojit të entitetit që i administron ato.
Për pretendimin për cenimin e parimit të ndarjes së pushteteve dhe të autonomisë vendore, Gjykata vlerësoi se argumentet e paraqitura kanë të bëjnë me përplasje mes akteve ligjore në fuqi, për rrjedhojë nuk bëjnë pjesë në juridiksionin kushtetues.
Gjykata mori në shqyrtim në themel vetëm pretendimet për cenimin e identitetit kombëtar dhe të trashëgimisë kulturore të lidhur me parimin e shtetit të së drejtës dhe të hierarkisë së akteve ligjore.
Këto pretendime të kërkuesit janë mbështetur në Konventën e Parisit, sipas së cilës shteti duhet të ruajë rolin e tij parësor për mbrojtjen dhe konservimin e pasurisë së trashëgimisë kulturore, kjo e parë edhe në këndvështrimin se Parku Kombëtar i Butrintit bën pjesë jo vetëm në trashëgiminë kuturore kombëtare, për rrjedhojë është pjesë e identitetit kombëtar, por edhe në fondin e pasurisë së trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Gjykata vlerësoi se pavarësisht transferimit të kompetencave me natyrë administrative (menaxhuese) tek Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, shteti vijon të ruajë atributet e tij sovrane për sa kohë që ruan pronësinë mbi këtë pasuri ashtu edhe administrimin indirekt, në përputhje me standardet dhe parimet kushtetuese.
Ndërkohë, Gjykata, për të arritur në përfundimin nëse kompetencat e Fondacionit sipas marrëveshjes bien ndesh me detyrimin konventor për ruajtjen e rolit parësor të shtetit në administrimin e pasurisë së trashëgimisë kulturore kombëtare, e parë kjo në këndvështrimin e ruajtjes dhe konservimit, vlerësoi se marrëveshja, në tërësinë e saj, ka krijuar mekanizma garantues, pasi:
i) së pari, Fondacionit i përket vetëm administrimi i zakonshëm i pasurisë, ndërkohë që çdo veprimtari që kalon kufijtë e administrimit të zakonshëm dhe lidhet me ndërhyrjet ruajtëse dhe mbrojtëse në këtë pasuri i përket shtetit;
ii) së dyti, çdo akt i Fondacionit është subjekt i kontrollit të drejtpërdrejtë të organeve shtetërore sipas fushës së kompetencës të përcaktuar me ligj. Më konkretisht, Fondacioni nuk përjashtohet nga përmbushja e çdo detyrimi ligjor që ka sipas legjislacionit çdo entitet tjetër shtetëror apo publik, siç janë marrja e lejeve ose licencave përkatëse nga autoritetet kompetente për fillimin e punimeve ndërtimore apo ndërhyrjet ruajtëse dhe mbrojtëse në këtë pasuri, sipas marrëveshjes;
iii) së treti, marrëveshja përcakton, gjithashtu, detyrimin e Fondacionit për të raportuar në mënyrë periodike për gjendjen e konservimit të pasurisë kulturore, ndërkohë që ministria ngre bordin e monitorimit, i cili mund të ushtrojë kontroll në vend për vlerësimin e gjendjes së konservimit të pasurisë.
Në përfundim, për sa më sipër, Gjykata, me shumicë votash, vendosi rrëzimin e kërkesës.