Kërkesa e Partisë Demokratike, e firmosur nga 37 deputetë, për të shfuqizuar ligjin për zonat e mbrojtura është rrëzuar këtë të enjte nga Gjykata Kushtetuese. Partia Demokratike pretendonte se ligji cenon zonat e mbrojtura pasi lejon ndërtimet, është korruptiv dhe se favorizonte oligarkët. Por Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se nuk ka argumente që faktojnë në gjë të tillë, përsa kohë ligji nuk ka nisur të zbatohet pasi nuk janë miratuar VKM-të.
Gjykata Kushtetuese është shprehur se nuk cënohen detyrimet ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit, dhe se shfuqizimi i tij mund të kërkohet nëse nga VKM-të që do të miratohen dëmtohet mjedisi.
Ligji për zonat e mbrojtura u dërgua në Kushtetuese nga ligjvënësit demokratë më 1 nëntor të vitit të kaluar. Ai parashikon që në disa prej territoreve të klasifikuara si zona të Mbrojtura, do të mund të ndërtohen struktura akomoduese me qëllim zhvillimin e turizmit apo agroturizmit, por që opozita thotë se rrezikon betonizimin e këtyre zonave.
Në padi thuhej edhe se ligji i heq ‘mburojën’ e deritanishme “zonave të mbrojtura”, duke i hapur rrugën ndërtuesve apo oligarkëve dhe njerëzve me pushtet që të ndërtojnë vilat personale, resortet dhe investimet e tjera.
Gjykata u ndal në mënyrë të posaçme në përputhshmërinë e ligjit objekt shqyrtimi me nenin 108 të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, i cili parashikon se “Palët do të zhvillojnë dhe forcojnë bashkëpunimin në detyrën shumë të rëndësishme të luftës kundër degradimit mjedisor, me synim promovimin e qëndrueshmërisë mjedisore”.
Gjykata vlerësoi se ky nen synon bashkëpunimin në luftën kundër degradimit mjedisor dhe arriti në përfundimin se ligji i kundërshtuar nga Partia Demokratike, duke qenë ligj kuadër, edhe pse shton disa elemente të reja të administrimit të zonave të mbrojtura në raport me ligjin ekzistues, nuk duket të sjellë pasoja konkrete të drejtpërdrejta në këtë drejtim. Duke pasur parasysh se për zbatimin e ligjit do të nxirren VKM-të specifike për shpalljen e zonave të mbrojtura, të cilat do të bëjnë përcaktimet e detajuara përkatëse për secilën zonë, vetëm në atë moment mund të verifikohet mospërputhja me detyrimet ndërkombëtare sipas nenit 108 të MSA-së, pra nëse përmbushet detyrimi për mosdegradim mjedisor.
E vetmja mënyrë për të ndaluar abuzimet me zonat e mbrojtura, nëse do të ketë, është që deputetët, shoqatat etj, menjëherë pasi të dalë një VKM për ndërtime në një zonë të mbrojtur, të kërkojnë shfuqizimin e saj në Gjykatën Kushtetuese.
Por, sipas Gjykatës Kushtetuese, ligji aktual nuk është i zbatueshëm sepse nuk është i plotësuar si kuadër ligjor, pra mungojnë aktet nënligjore (VKM-të). Për sa kohë ligji nuk është i zbatueshëm, nuk ka si të faktohet që do të ketë dëme.
Sa u përket pretendimeve për cenimin e parimit të barazisë përpara ligjit, parimeve të shtetit të së drejtës dhe të hierarkisë së akteve normative, Gjykata vlerësoi, njëzëri, se Partia Demokratike nuk ka dërguar argumente kushtetuese në mbështetje të tyre.
Pas këtij vendimi ka reaguar deputetja e PD-së Ina Zhupa, duke thënë se këtë ligj do ta dërgojnë në Strasburg pasi me lënien në fuqi të tij nga Kushtetuesja do zhduken zonat e mbrojtura.
Në një seancë që nuk zgjati më shumë se 7 minuta, me 74 vota pro të mazhorancës, Kuvendi miratoi më 22 shkurt 2024 ndryshimet në Ligjin për Zonat Mbrojtura, që parashikojnë përcaktimin e kritereve për cilësimin qartë se në cilat hapësira të zonave të mbrojtura mund të ndërhyhet me nevojën për zhvillim të komuniteteve, orientuar nga turizmi dhe agroturizmi.
Ina Zhupa
Deputetja Ina Zhupa, e cila ka ndjekur nga fillimi cështjen e zonave të mbrojtura ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për lënien në fuqi të ligjit nga pamundësia për të marr një vendim, duke u ndarë 4 pro, 4 kundër.
Zhupa e cilëson këtë praktikë në shkelje dhe një dredhi të Gjykatës për të larë duart.
Ajo shprehet: “Kjo praktikë dënohet nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ku në çështjen Marini kundër Shqipërise, 2007 shprehet se “ del në përfundimin se parashikimi për ndarjen e votave në mënyrë të barabartë nuk i shërben sigurisë juridike dhe mund të privojë ankuesin nga e drejta efektive për një vendim përfundimtar për kërkesën e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Kjo fatkeqësi për vendin që lënë në fuqi një ligj antikushtetues dhe dështim për Gjykatën Kushtetuese. Turpi i ngelet gjykatës, ne rrëzohemi pa u rrëzuar me dredhi që nuk respektojnë as standartet europiane”
Ina Zhupa paralajmëron se do e vazhdoj betejën për mbrojtjen e zonave të mbrojtura në Strasburg, nisur edhe nga praktika e ndarjes së votave në mënyrë të barabartë.
Reagimi i plotë:
Dredhitë e Gjykatës Kushtetuese për të larë duart nga shkatërrimi që pret zonat e mbrojtura në Shqipëri nuk na ndalojnë!
Në Strasburg për mbrojtjen e vendit! Nga sot nuk kemi më zona të mbrojtura!
Ndarja 4 me 4, ku 4 gjyqtarët pranojnë që ka shkelje kushtetuese dhe 4 gjyqtarë mendojnë se nuk ka, con në rrëzimin e kërkesën dhe pse nuk ndajnë dot nëse është apo jo antikushtetues. Kjo barazi është përdor dhe në raste të tjera si dredhi për të vendosur pa vendosur, për të ruajtur status quo e qeverisë duke bërë sehir.
Kjo praktikë dënohet nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ku në çështjen Marini kundër Shqipërise, 2007 shprehet se “ del në përfundimin se parashikimi për ndarjen e votave në mënyrë të barabartë nuk i shërben sigurisë juridike dhe mund të privojë ankuesin nga e drejta efektive për një vendim përfundimtar për kërkesën e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese”. Nuk mund të fshihen pas ligjit, ku ska asnjë arsye juridike dhe morale se përse katërshja që mendon se nuk ka shkelje duhet të prevaloj mbi katërshen që argumenton se ka shkelje?!
Për sa më lart do shkohet në Strasburg për të gjetur të drejtën e mohuar nga drejtësia shqiptare.
Është fatkeqësi për vendin që lënë në fuqi një ligj antikushtetues dhe dështim për Gjykatën Kushtetuese. Turpi i ngelet gjykatës, ne rrëzohemi pa u rrëzuar me dredhi që nuk respektojnë as standartet europiane.
Pavarësisht kësaj dua të falenderoj edhe organizatat mjedisore për pjesmarrje në çdo pjesë të procesit dhe që kanë pajisur me materiale gjykatën mbi standartet europiane të mbrojtura dhe nga konventat që bën pjesë Shqipëria. Gjithashtu falenderoj për punën e tyre dy avokatët e nderuar Marash Logu dhe Franci Nuri.
Zonat e mbrojtura do mbrohen, sepse i mbron kushtetuta dhe se ja kemi detyrim brezave të ardhshëm për ti lënë një Shqipëri më të mirë se sot dhe jo të betonizuar dhe të shkatërruar nga babëzia e klientëve të pushtetit.
Komente

Cojeni patjeter ne Strasburg,jam dakord me ju!
Përgjigju