Të hënën Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të zgjedhë emrat e gjyqtarëve të rinj në Kushtetuese që do të plotësojnë dy vakancat e krijuara prej vitit 2018.
Në garë janë Eugen Papandile dhe Zhaklina Peto të rikthyer në garë me vendim gjykate, paçka se KED i skualifikoi më herët. Po ashtu garojnë Altin Binaj, Aleksandër Toma, Ilir Haznedari, Orkida Totojani ndërsa më herët KED i ka dhënë dritën jeshile kandidates Sonila Bejtja.
Me përzgjedhjen e dy gjyqtarëve të rinj pritet që KED të kompletojë me kuorum për seancë gjyqësore e vendimmarrëse Kushtetuesen, të cilës i duhen minimumi 6 anëtarë.
Aktualisht ajo ka katër, do të zgjidhen dy dhe më pas tre të tjerë që pritet të vijnë nga Gjykata e Lartë për të plotësuar numrin total me 9 anëtarë. Ambasadorja Yuri Kim gjatë kësaj jave i ka kërkuar politikës të mbaj premtimin për rikthimin në funksion të kësaj gjykate.