Gjykata e Durrësit ka vendosur të mbyllë në qeli Elvis Gaçaj, njërin nga anëtarët e klanit “Duka” në Tiranë të dyshuar nga policia si pjesë e skuadrës prej 9 personave që morën pjesë në vrasjen e ish-policit Santiago Malko. Gaçaj do të qëndrojë në masën e “arrestit në burg” për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municioneve luftarake”, ndërsa ishte i pari që e pësoi nga ndryshimi i Kodit Penal që ashpërsoi dënimet. Gjatë procesit gjyqësor Gaçaj nuk ka pranuar autorësinë e pistoletës me dy karikatorë të mbushur me fishekë, por kjo nuk ndikoi aspak tek gjyqtari i çështjes, për të vendosur lirimin e tij. Bashkë me Gaçaj dje ka dalë para gjykatës së Durrësit dhe miku i tij Klajdi Driza, i cili është liruar nga qelia duke caktuar gjykata masën e detyrimit për tu paraqitur pranë policisë gjyqësore.
E lirë dhe pa masë ka qëndruar e dashura e Elvis Gaçaj, e cila ndodhej brenda në makinën tip BMW, kur policia ka ndërhyrë dhe ka kryer arestimin e tyre. Elvis Gaçaj, person që konsiderohet nga policia e Tiranës si shpërndarësi kryesor i kokainës në kryeqytet dhe pjesë e klanit “Duka”, është arrestuar në Durrës falë një operacioni të kryer nga policia e këtij qyteti. Gaçaj njihet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe është dyshuar si pjesë përbërëse e skuadrës 9 anëtarëshe, që morën pjesë në gjurmimin dhe më pas vrasjen e ish-efektivit të policisë së Tiranës, Santiago Malko. Arrestimi i Gaçaj është kryer në mesnatën e djeshme në bulevardin “Taulantia” në Durrës, ku forcat e policisë kanë kapur Gaçaj nën shoqërinë e të dashurës së tij dhe shokut Klajdi Driza.
“Shqiptarja.com” mëson se në momentin që Gaçaj është arrestuar nga policia, ai duhet të ishte në banesën e tij, pasi gjykata e Tiranës dhe më konkretisht gjyqtari Kastriot Gramshi, kishte vendosur për Gaçaj në datën 11 prill 2019 masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi akuzohet nga prokuroria e Tiranës për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municioneve”. Por ndryshe nga sa ka vendosur gjyqtari Gramshi në Tiranë, Gaçaj nuk ka qëndruar në shtëpinë e tij që ndodhet në rrugën Dora Distria në kryeqytet,por ka thyer vendimin e gjykatës, duke dalë jashtë shtëpisë dhe i armatosur rëndë. Gaçaj, u dyshua nga policia e Tiranës si pjesëmarrës në atentatin me disa plumba ndaj Santiago Malkos, shokut të Ervis Martinaj në 27 gusht 2019 të ndodhur në zonën e Porcelanit. Por këto dyshime u rrëzuan nga prokuroria, kur ajo nuk përfshiu emrin e Gaçajt në listën e personat që kishte kërkuar për arrestimin nga policia.
Kështu që Gaçaj ka vazhduar jetën e tij i qetë dhe pa u shqetësuar nga askush dhe duke mbajtur edhe pistoletën moderne në brez së bashku me 26 plumba të kalibrit 9 mm. Arma e zjarrit prodhim Çek, është gjetur dhe sekuestruar në rrugë nga policia e Durrësit dhe jo në makinë apo në trupin e tre personave të ndaluar. Kjo pasi, njëri nga personat që ndodhej në makinë sapo ka kuptuar që po ndiqej nga policia,ka hedhur nga dritarja pistoletën dhe dy karikatorë dhe mjeti është larguar me shpejtësi. Një patrullë policie i është vënë nga pas mjetit tip BMË, duke i bërë herë pas here thirje të qëndrojë por në fakt automjeti ka vijuar të eci me shpejtësi, deri në një moment kur, është bllokuar dhe nga një makinë e dytë policie. Në pranga kanë rrënë Elvis Gaçaj, Klajdi Driza dhe e dashura e Elvis Gaçaj.