Ka dy vjet që Dhomat e Gjyqësisë/Drejtësisë në Hagë mbajnë në paraburgim ish-drejtues të lartë të UKC-së dhe të institucioneve të shtetit të Kosovës, sipas disa akuzave të pretenduara. Procesi gjyqësor sapo ka filluar. Supozohet se zanafilla e këtij arrestimi është raporti famëkeq i Dik Marti-t për Këshillin e Evropës. Për turp, ai Këshill e miratoi atë raport. Unë kam mbajtur qëndrim mjaft kritik, publikisht, e pata hedhur poshtë atë raport, në media audiovizive ndërkombëtare, sapo u paraqit në Këshill. Mendoj se zanafilla ka qenë shumë vite para raportit të Dik Marti-t.
Naiviteti i skajshëm i drejtuesve dhe politikanëve të Kosovës në atë kohë bëri që të besohet dhe të miratohet krijimi i atyre dhomave! Ato u ngritën për t‘u marrë specifikisht dhe vetëm me Kosovën. Nuk mund të them nëse ishte detyrim juridik, imponim, apo presion ndaj parlamentit të Kosovës që coi në miratim. Kuptoj ka patur presion shumë të madh.
Ngritja e dhomave, qartë, ishte dhe është politike. Ato dhoma specifikisht dhe vetëm për Kosoven për kohen kur ajo, me trup, shpirt e katandi, ishte e martirizuar, vendos shenjën e barazimit midis kriminelit dhe viktimës që vetëmbrohej! Ky ishte qellimi. Emocionet teorike dhe politike per drejtësinë janë naivitet dhe më i madh, ato sikur të ngecin në fyt.
Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve për ish Jugosllavinë (GjNKJ) u krijua në 1993, në mesin e luftës në ish-Jugosllavi. Gjykata ndërmori një numër veprimesh lidhur me Kosovën. Në atë kohë, Kosova ishte pjesë e ish-Jugosllavisë. Si ishin sfondi, rrethanat dhe zhvillimet që cuan në përfshirjen e asaj Gjykate me Kosovën në vitet 1988-’89? Për arsye te kufizimit publicitar, kapërcehen disa faza të ecurisë deri te raporti i Dik Marti-t.
Plani Vance-Owen u miratua në janar 1993, pas Konferencës të Londrës në 1992 (unë isha anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Londrës).
Pas saj, krijohet GjNKJ me Rezolutën 827 (1993) të Këshillit të Sigurimit (KS), në kuadër të Kapitullit VII të Kartës të OKB-së. Synimi: të rivendosej paqja dhe siguria ndërkombëtare. Ajo Rezolutë miratoi edhe Statutin e Gjykatës, që filloi punë në Hagë më 17 nëntor 1993. Më 4 dhjetor 1994 ajo lëshoi urdhër-arrestin e pare. Mizoritë në Bosnjë-Hercegovinë u ndalën vetëm me nënshkrimin e Marrëveshjes të Dajton-it në Dhjetor 1995.
GjNKJ u bë institucion i drejtësise penale me status të plotë, me infrastrukturën, procedura prokurorie, gjyqësore dhe administrative të nevojshme për të permbushur mandatin. Gjykata kishte tre organe: Dhomat, Zyrën e Prokurorit dhe Regjistrin; kishte dhe një Dhomë Apeli me 5 gjyqëtare, buxhet prej afro 100 milion dollarë dhe 700 punonjës.
Zyra e Prokurorit kishte rol të dyfishtë: të hetonte shkeljet e ligjit humanitar ndërkombëtar dhe të procedonte rastet e shkeljeve të tyre në Gjykatë. Deri në fillim të vitit 1998, veprimet hetimore dhe të prokurorisë u përqëndruan te krimet në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë nga 1991-1995. Përfshirja publike në Kosovë filloi në vitin 1998, kur Prokurori krijoi ekipin e parë hetimor me fokus Kosoven. Këtu është zanafilla.
Përfshirja e Gjykatës me Kosovën daton nga marsi i vitit 1998. Krye-Prokurorja e Gjykatës, Louise Arbour, publikisht tha se juridiksioni territorial dhe temporal (koha kur kanë ndodhur krimet që hetohen) i Gjykatës mbulonte çdo shkelje serioze të ligjit humanitar ndërkombëtar që kishte ndodhur në Kosovë. Ajo theksoi se kishte plotfuqishmëri të hetonte të tilla krime.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1160, më 31 mars 1998, që ”dënonte përdorimin e egzagjeruar të forcës nga forcat e policisë serbe kundër demonstruesve civilë dhe paqësorë në Kosovë“. KS ra dakord që Prokurorja të fillonte të mblidhte informacion mbi dhunën në Kosovë që mund të bjerë nën juridiksionin e Gjykatës. Në vijim, Gjykata kreu hetime në Kosovë për gjashtë muaj rresht.
Prokurorja reagoi ashpër ndaj vendimit të Beogradit për të mos u dhënë viza hetuesve: juridiksioni i Gjykatës nuk kushtëzohej nga pëlqimi i autoriteteve të Beogradit; i takonte gjykatësve të GjNKJ ta interpretonin atë juridiksion dhe KS ta modifikonte ose ta zgjeronte atë.
Ajo informoi Miloshevicin, me shkrim se Prokurorja do të rifillonte hetimet në Kosovë dhe se ajo, personalisht, do të vizitonte zonat ku ishin kryer krimet e pretenduara. Rezoluta 1203, datë 24 tetor 1998, ritheksoi se KS bënte thirrje për hetim të plotë dhe të menjëhershëm të gjithe krimeve si dhe për bashkëpunim të plotë me GjNKJ. Keshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1207, datë 17 nëntor 1998, që i bënte thirrje Beogradit dhe udhëheqësve të komunitetit shqiptar të Kosovës të bashkepunonin potësisht për këtë hetim. Rezoluta 1203 e Keshillit te Sigurimit miratoi misionet e verifikimit të OSBE dhe të NATOs për survejim nga ajri. Prokurorja shkoi në Maqedoni për të hyrë në Kosove. Beogradi nuk e lejoi.
Grupi i Kontaktit (gjashtëshja), miratuar në Konferencen e Londrës, u mblodh në janar 1993 dhe vendosi thirrjen urgjent të negociatave midis palëve në luftim. Kjo çoi në bisedimet fillestare në Rambuje nga 6-23 shkurt, që u pasuan nga raundi i dytë, ne Paris, nga 15-18 mars. Pala kosovare e nënshkroi marrëveshjen e propozuar. Bisedimet u ndërprenë pa nënshkrimin e delegacionit të RFJ; përfunduan në deshtim bisedimet me ndërmjetësim ndërkombëtar. Misioni i OSBE-së u terhoq më 20 mars 1999. Me 24 mars 1999 NATO filloi sulmet ajrore (Operacioni Forca e Aleatëve).
Më 22 maj 1999, Gjykata lëshoi urdhër-arrestet: akuzoi një kryetar shteti në detyrë, dhe një numer zyrtarësh të lartë të qeverisë të RFJ dhe Serbisë, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në lidhje me Kosovën. Ishte akt-akuza e parë në historinë e Gjykatës që akuzonte një kryetar shteti, në mesin e një konflikti, se ka kryer shkelje serioze të ligjit humanitar ndërkombëtar. Ajo ishte e para akt-akuze që lidhej me konfliktin që përfshinte Kosovën në vitin 1999.
Më 3 qershor 1999 u pranua plani i Ahtisarit. Më 9 qershor 1999 NATO pezulloi bombardimet; atë ditë u nënshkrua edhe Marreveshja Tekniko Ushtarake ndërmjet “forces ushtrarake ndërkombëtare” (KFOR) dhe RFJ e Serbisë, që hyri menjëherë në fuqi. Më 20 qershor 1999 u certifikua se forcat serbe ishin larguar nga Kosova. NATO ndërpreu fushatën e bombardimeve. Më 21 qershor 1999 KFOR dhe UCK nënshkruan Marrëveshjen e Cmilitarizimit.
Më 10 qershor 1999 KS miratoi Rezoluten 1244 me 14 vota pro dhe një abstenbim (Kina). U miratua vendosja e ”pranisë ndërkombëtare civile dhe e sigurisë“. Më 12 qershor 1999 Kofi Anan paraqiti konceptin operativ për UNMIK. RFJ e hoqi gjendjen e luftës më 26 qershor 1999.
Baza ligjore për përfshirjen e Keshillit te Sigurimit në Kosovë u formëzua nga rezolutat e KS, sipas Kapitullit VII të Kartës të OKB. Më e rëndësishmja është Rezoluta 827 (1993), më 25 maj 1993, për krijimin e GjNKJ dhe miratimi i Statutit të Gjykatës. Pati një sërë rezolutash të tjera miratuar sipas Kapitullit VII që i paraprinë asaj. Rezoluta 803 (1993) më 22 shkurt 1993 i kërkoi Sekretarit te Pergjithshem të OKB të pergatiste një draft statut per një Gjykatë Ndërkombëtare për ndjekjen penale të personale përgjegjës për shkelje të rënda të ligjit humanitar ndërkombëtar të kryera në territorin e ish-Jugosllavisë që nga viti 1991.
Juridiksioni i GjNKJ për shkelje serioze të ligjit humanitar ndërkombëtar në Kosovë është i pakontestueshëm sipas mandatit të përcaktuar në Rezoluten 827 të KS të OKB. Ajo u riafirmua disa herë nga KS në rezolutat e tij për Kosoven dhe nga vetë Gjykata.
Sekretari i Pergjithshem i OKB propozoi që Gjykata të ngrihej me vendim të KS (Kap. VII i Kartës të OKB). Vendimi do ishte masa e nevojshme për të ruajtur dhe rivendosur paqen dhe sigurinë pasi të përcaktohej se egzistonte kërcënimi i paqes, prishje e paqes ose një akt agresioni. Ashtu u bë.
Krijimi i një gjykate penale ndërkombëtare me rezolutë të KS ishte lëvizje e paprecedent, dhe jo pa rreziqe. Legjitimiteti i krijimit të gjykatës edhe u sfidua, se gjoja Keshilli i Sigurimit kishte tejkaluar kompetencat sipas Kapitullit VII, që nuk autorizonte Këshillin të krijonte një gjykatë penale/krimesh për të trajtuar një kërcënim ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Por, Kapitulli VII në përgjithësi, dhe Neni 41 i Kartës të OKB në vecanti, i japin KS diskrecion të gjerë, ndonëse jo të pakufizuar, për masat e përshtatshme për të adresuar një kërcënim ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Krimet e luftës në ish-Jugosllavi patën përshkallëzuar kërcënimin ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Krijimi i Gjykates nuk ishte jashtë kuadrit të autoritetit, të plotfuqishmërisë të KS, sipas Kap VII. Në dritën e mandatit të Gjykatës, dhe nga këndvështrimi i kompetencave juridike të saj, nuk pati nevojë për rezolutë të vecante të KS për të autorizuar Gjykatën që të përfshihej në Kosovë.
Keshilli i Sigurimit në mënyrë të përsëritur, konfirmoi juridiksionin e GjNKJ (vecanërisht të Prokurorit) mbi gjithë territorin. Me Rezoluten 1160, më 31 mars 1998, KS i kërkoi Prokurorit të fillointe të mbidhte informacion lidhur me dhunën në Kosovë që mund të binte nën juridiksionin e Gjykatës. Me Rezolutën 1203, më 24 tetor 1998, KS bëri thirrje “për hetim të menjëhershëm dhe të plotë, përfshire supervizim dhe pjesëmarrje ndërkombëtare, për të gjithë krimet e kryera ndaj civilëve dhe për bashkëpunim të plotë me Gjykatën Ndërkombeëtare të Krimeve në ish-Jugosllavi, përfshirë gatishmërinë për t‘iu përmbajtur urdhërave, kërkesave për informacion dhe për hetime“.
KS, me Rezoluten 1207, më 17 nëntor 1998, i bëri thirrje autoriteteve të RFJ dhe komunitetit shqiptar të Kosovës që të bashkëpunonin plotësisht me Prokurorin në hetimin e të gjitha shkeljeve të mundëshme brenda juridiksionit të Gjykates. Gjithe shtetet anëtare të OKB janë të detyruara „të pranojnë dhe të zbatojnë vendimet e Këshillit të Sigurimit“, përfshirë ato sipas Kapitullit VII, për cështje që prekin paqen dhe sigurinë ndërkombëtare (Neni 25 i Kartes). Neni 2(7) qartëson se ndërhyrja e KS, sipas Kapitullit VII të Kartës, nuk mund të kundërshtohet nga shtetet anëtare me argumentin se cështjet në fjalë bien nën juridiksionin e brendshëm të vendit. Meqë GjNKJ ishte krijuar sipas Kapitullit VII të Kartes me fuqinë për të proceduar shkeljet serioze në krejt territorin e ish-Jugosllavisë, RFJ nuk mundej ligjërisht të kundërshtonte veprmet hetimore në Kosovë nga Prokurori i GjNKJ.
Asnjë shtet nuk mund të mbështetej në ligjin e brendshëm si justifikim për moszbatim detyrimesh ndërkombëtare. GjNKJ vendosi se nuk kishte nevojë për hapa te tjere, se RFJ kishte pranuar juridiksionin e GjNKJ.
Gjykata kishte mandat të procedonte personat përgjegjës për shkelje serioze të ligjit humanitar ndërkombëtar të kryera në territorin e ish- Jugosllavisë nga viti 1991 që të tilla shkelje të ndaleshin, të mos përsëriteshin, që atyre t‘u jepej fund, që ata që i kishin kryer ato krime të dilnin para drejtësisë dhe që paqa të rivendosej dhe të ruhej. Gjykata kishte juridiksion për katër kategori „shkeljesh serioze të ligjit humanitar ndërkombëtar“ të kryera nga individë në territorin e ish- Jugosllavisë nga viti 1991; shkelje të rënda të Konventave të Gjenevës (Neni 2); shkelje të ligjeve dhe rregullave të luftës (Neni 3); genocid (neni 4) dhe krime kundër njerëzimit (Neni 5).
Vijmë te thelbi i veprimtarisë. Në korrik 1998, Prokurorija sqaroi se i përmbahej fort mendimit se situata në Kosovë përfaqësonte konflikt të armatosur brenda kornizës të mandatit të Gjykatës. Shumë rezoluta të KS u panë si konfirmim i mendimit të Prokurores se konflikti në Kosovë kishte arritur nivelin e intensitetit që të konsiderohej konflikt i armatosur për objektivat e Konventave të Gjenevës të vitit 1949 dhe sipas Nenit 3 të Statutit të Gjykates. Ishte e justifikueshme që të niste aplikimi i ligjit humanitar nderkombëtar.
Në dritën e zhvillimeve, dhe të Nenit 1 dhe 8 të Statutit, Gjykatës i jepej juridiksioni që të nxirrte para gjyqit ata që kishin kryer krime vetëm në territorin e ish-Jugosllavisë. Në këtë kontekst, Kosova mbulohej nga dispozita e juridiksionit gjeografik të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve në ish-Jugosllavi. Gjykata hetonte raporte për krime që ishin kryer edhe pasi pati mbaruar operacioni i NATOs. Prandaj ajo udhëzoi hetuesit e Gjykatës të fillonin hetimin, në bashkëpunim me KFOR dhe UNMIK; ajo konfirmoi se juridiksioni i Gjykatës mbulon gjithë krimet serioze të ligjit humanitar ndërkombëtar të kryera në territorin e ish-Jugosllavisë, përfshire Kosovën, nga viti 1991; ai juridiksion përfshinte edhe shkeljet e bere para dhe pas mbarimit të fushatës të bombardimeve të NATOs më 20 qershor 1999.
Nga sa u arsyetua përmbledhurazi më sipër, logjika ngre pikëpyetjen nëse duhej pranuar krijimi i dhomave specifikisht dhe vetëm për Kosoven; nëse raporti i Dik Martit e ka zanafillën atëherë kur doli, apo shumë vite më parë, në kohën e veprimtarisë të GjNKJ. Asgjë në politikë nuk ndodh rastësisht. Asgjë nuk duhet marrë me ”çmimin që mban pulla“. Bëhet fjalë për çështje delikate, që kërkojnë njohje të thellë, konsultim të gjerë, vendim unanim të mirëinformuar, unitet të faktorit politik.
Ajo gjykatë administroi drejtësi deri kur ish-gjenerali kroat piu helmin në prani të të gjitheve, në mes të seancës gjyqësore dhe në prani të kamerave. Ai vdiq. Gjykata u mbyll me urgjencë brenda pak ditëve pas atij akti. Në mungesë të plotë transparence, nuk u mësuan arsyet përse u mbyll Gjykata, ku shkuan, si përfunduan proceset që ishin në ndjekje, dosjet përkatëse, proceset që ishin në ndjekje e sipër, etj. Të gjitha u mbyllën, u bë sikur u harruan, vetëm me një perjashtim: ato për Kosovën, del qartë, u ndoqen, u plotësuan me ”fakte“ dhe u krijuan Dhomat. Filloi procedimi gjyqësor-politik që shohim sot.
”Politika nuk ka lidhje me moralin“, Niccolo Machiavelli.