Gjykata pezullon ankandin për KF Tiranën, përmbaruesi për Report TV: Çështja do hetohet në themel

24 Prill, 12:59| Përditesimi: 24 Prill, 15:45

  • Share

Gjykata e Tiranës ka vendosur këtë të mërkurë (24 prill)  që të pezullojë ankandin për shitjen e aksioneve të klubit të Tiranës, të dalë në treg nga përmbaruesi Baftjar Nela. Lajmin e konfirmon për Report TV përmbaruesi, i cili thotë se 'çështja do gjykohet në themel'.

66% e aksioneve të Tiranës dolën në ankand pasi "Halili sh.p.k" i detyrohet kreditorit Abedin Treza një shifër prej 1.5 milionë eurosh, plus 25 milionë lekë të rinj edhe përqindjet gjatë këtyre viteve, duke qenë se vendimi në fjalë në favor të kreditorit është marrë në 2019. Shuma që presidenti i Tiranës detyrohet është rreth 2.4 milionë euro.

Me vendimin e sotëm të gjykatës, Refik Halili vijon të jetë presidenti i Tiranës me 66 përqind të aksioneve, ndërkohë që 34 përqind i zotëron Bashkia e Tiranës.

Çështja - Familja Preza (Treza) ka fituar të drejtën e dëmshpërblimit nga "Halili shpk" që në 2019 dhe prej kësaj kohe nuk ka marrë asnjë pagesë nga Refik Halili, kreu i "Halili shpk" dhe presidenti i KF Tiranës.

Prej javësh tanimë kuotat (66 përqind që zotëron Halili) e KF Tiranës dolën në ankand për 1.6 milionë euro pasi u bllokuan nga përmbaruesi Baftjar Nela, teksa nuk pati asnjë ofertues në fazën e parë. Ndërkohë që përmbaruesi i cili kishte bllokuar kuotat e KF Tiranës përgatitej për një ankand të dytë, KF Tirana u hodh në kundërsulm dhe bëri një kundërpadi për këtë çështje.

Këtë të mërkurë gjyqtarja e çështjes Alma Hicka ka vendosur që ankandi të anulohet dhe çështja e bllokimit të aksioneve të KT Tiranës dhe dalja e tyre në ankand të hetohet në themel.

Ngërçi - Në datën 13 shtator 2019, shtetasi Abedin Treza (Preza) ka bllokuar 66 përqind të aksioneve në zotërim të Refik Halilit te KF Tirana. Sipas urdhrit të sekuestros, debitori i detyrohet kreditorit 1.5 milionë euro dhe 25 milionë lekë (të rinj), si dhe interesat për çdo ditë vonesë, shumë e cila shkon rreth 2.4 milionë euro.

S.Dh//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?