Gjykata Speciale ka arrestuar ish-komandantin e UÇK-së, Isni Kilaj. Lajmi është bërë i ditur nga Komuna e Malishevës, sipas të cilës aksioni për arrestimin e Kilaj është bërë gjatë mbrëmjes së djeshme duke shkaktuar panik te qytetarët e zonës.
“Komuna e Malishevës, me shqetësim të madh ka marrë informacionin se EULEX-i mbrëmë ka arrestuar ish-kryetarin e Komunës së Malishevës, z.Isni Kilaj. Paraprakisht, policia e EULEX-it ka bastisur shtëpinë e z.Kilaj, e rrjedhimisht ka shkaktuar edhe panik dhe shqetësim të të gjithë qytetarëve”, thuhet në këtë postim.
Komuna i bën thirrje, Gjykatës Specialetë ndërpresë këtë mënyrë të përndjekjes së çlirimtarëve.
“Ne si komunë, besojmë dhe jemi thellë të bindur se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë luftë e pastër dhe mbi të gjitha ka qenë luftë çlirimtare, madje lufta e popullit të Kosovës, është lufta më e pastër që ka ndodhur ndonjëherë në histori të njerëzimit. Ne kërkojmë që Gjykata Speciale, të ndërpresë këtë mënyrë të përndjekjes së çlirimtarëve dhe në të njëjtën kohë, kërkojmë që kjo Gjykatë dhe gjykatat tjera kompetente, përfshi edhe Tribunalin e Hagës, që të merret me ndjekjen, arrestimin dhe dënimin e autorëve të vrasjes së afër 400 civilëve të Komunës së Malishevës gjatë viteve 1998-1999 nga ushtria dhe policia e shtetit të Serbisë”, thuhet në postim.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka thënë dje se po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.