TIRANË- Miliona euro ka arritur të përvetësojë Evis Berberi, ish kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili do të përgjigjet para drejtësisë për akuzat e shkeljeve në tendera në katër herë, korrupsion pasiv në 6 raste dhe pastrim parash. Në ditën kur shorti caktonte Bib Ndrecën si gjyqtarin e kësaj çështjeje, SPAK njoftoi konkluzionet nga përfundimi i hetimeve që çoi në gjyq 22 persona dhe 2 kompani, përfshirë ish kreun e ARRSH dhe ortakët e tij Valter Begaj dhe Ervis Lami. Mes të pandehurve është edhe kreu aktual i ARRSH, Gentian Gjyli, apo Erlad Elezi, drejtori aktual i KESH, si edhe dy shoqëritë "Net Group” sh.p.k dhe “DAAM”sh.p.k.
Hetimin më shumë se 2-vjeçar SPAK e ka përqendruar në vërtetimin se Evis Berberi ishte pronar faktik i një kompanie me emrin “DAAM shpk, të cilës i ka dhënë një numër të konsiderueshëm tenderash me vlera të mëdha në pozicionet e Drejtorit të Përgjithshëm për Efeciencën e Energjisë dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Janë 8 tenderat që SPAK thotë se ka bërë hetim të thelluar, me vlera që shkojnë nga 30 mijë euro më e vogla te rreth 2 milionë euro më e madhja në rastin e mbikëqyrjes së punimeve për tunelin e Llogarasë. Të tetë tenderat kapin vlerën e mbi 5 milionë eurove.
Nga hetimi i SPAK rezulton se Evis Berberi, ndonëse kishte kaluar fiktivisht pronësinë e shoqërisë “DAAM” sh.p.k te persona të tjerë, vijonte të ishte pronari de facto i saj, duke e përdorur për të përfituar personalisht nga tenderat publikë. Sipas Prokurorisë së Posaçme, shoqëria “Net Group” në pronësi të Valter Begajt, është përdorur për të devijuar para, drejt një tjetër kompanie, “Daam”, në letër në pronësi të Begajt, por që sipas hetuesve ishte në zotërim indirekt të Berberit.
SPAK thotë se, për të fshehur gjurmët, Berberi në vitin 2019 ka kaluar në mënyrë fiktive pronësinë e “DAAM” te bashkëpunëtorët Brunilda Buli, Valter Begaj dhe Ervis Lami. Ndërkohë, vetë Berberi vijonte të kontrollonte aktivitetin, të vendoste për shpenzimet, punësimet, investimet dhe të drejtonte përdorimin e llogarive bankare të kompanisë. Ai gjithashtu merrte vendimet për pagesa, pagat dhe licencat profesionale për projektim e mbikëqyrje.
Paralelisht me lëvizjet në kompaninë DAAM, Valter Begaj, njeriu i Berberit në kompani, kishte edhe një firmë tjetër të quajtur ‘Net-Group’ shpk, e cila në periudhat kur Berberi ishte në pozicione drejtuese merrte tendera të majmë nga institucionet shtetërore. Jo vetëm si drejtori i ARRSH apo në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm për Efeciencën e Energjisë, por rast edhe si kryetar i komisionit të vlerësimit të ofertave, Berberi thotë SPAK i ka dhënë firmës “Net Group” tendera të ndryshëm. Në gjashtë prej tenderave ai ka kërkuar dhe ka marrë nga Valter Begaj, Evis Lami dhe Brunilda Buli vlerën prej 773 mijë euro, ndërsa për transferimin dhe pastrimin e parave përdoreshin të dyja kompanitë përmes faturave fiktive.
"Nga aktet e administruara rezulton se i pandehuri Evis Berberi, ka vepruar në procedurat e prokurimit të mësipërm, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë dhe Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar. Në në një rast tjetër, nën cilësinë e kryetarit të komisionit të vlerësimit të ofertave, ka favorizuar dhe krijuar privilegje për shoqërinë pjesëmarrëse dhe fituese në këto procedura prokurimi, shoqërinë “Net Group” sh.p.k, në pronësi të të pandehurit Valter Begaj, ku në gjashtë prej këtyre procedurave të prokurimit, i pandehuri Evis Berberi ka kërkuar dhe marrë nga të pandehurit,Valter Bergaj, Evis Lami dhe Brunilda Buli, përfitimin e parregullt në vlerën 77.380.973 (shtatëdhjetë e shtatë milionë e treqind e tetëdhjetë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e tre) lekë", njoftoi SPAK.
Për transferimin e këtyre vlerave të korrupsionit, nga ana e të pandehurit, Evis Berberi, në bashkëpunim me të pandehurit,Valter Begaj, Ervis Lami dhe Brunilda Buli, është ngritur mekanizmi i veprimit përmes faturave fiktive, mes shoqërisë “Net Group” sh.p.k dhe “DAAM” sh.p.k, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, të transferimit dhe zhvendosjes së tyre, që përbëjnë “përfitim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.
Përmes favorizimit apo edhe falsifikimit të dokumenteve dhe raporteve kompania “Net Group” ka përfituar vlerën prej rreth 800 mijë eurosh për punime të cilat nuk i ka kryer.
SPAK thotë po ashtu se "gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit të sipërcituara, janë evidentuar fakte për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në lidhje me veprimet e kundraligjshme të anëtarëve të komisionit të përllogaritjes së fondit limit, njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave, në lidhje me përllogaritjen e fondit limit, hartimin e dokumenteve standarde të tenderit, si dhe për vlerësimin dhe shpalljen fitues të shoqërisë “Net Group”sh.p.k, në kundërshtim me kriteret e përcaktuara, në dokumentet standarde të tenderit, veprime të kryera në shkelje të rregullave të prokurimit publik, me qëllim krijimin e favorizimeve dhe privilegjeve në shtatë procedura prokurimi, për shoqërinë “Net Group” sh.p.k., në një rast tjetër, për shoqërinë “EuroElektra”sh.p.k. Në këto procedura prokurimi, i pandehuri Evis Berberi ka vepruar në bashkëpunim me personat zyrtar të tjerë të autoritetit kontraktor, anëtarë të komisionit për secilën procedurë konkrete, të pandehurit; Gentjan Gjyli, Erald Elezi, Artan Leskoviku, Altin Marko, Bledar Aliaj, Blerta Musabelli, Kamelia Tafaj, Ela Goxhaj, Jetmira Dervishi, Orjon Islamaj, Adrian Kroi, Genti Raça, Adela Kica, Denis Xhoxhi, Gëzim Noni, Adja Strazimiri, Shkëlqim Lusha, Valbona Pepa.
Nga hetimi është evidentuar fakti tjetër penal i falsifikimit të dokumentacionit të përllogaritjes së fondit limit dhe hartimit të dokumenteve standarde të tenderit, pasi rezulton se nuk është kryer dhe administruar në kohën e duhur dokumentacioni që duhej të mbahej nga anëtarët e komisionit të përllogaritjes së fondit limit dhe hartimit të dokumenteve standarde të tenderit, të pandehurit Bledar Aliaj, Blerta Musabelli, Kamelia Tafaj, por që provohet se procesverbalet e testimit të tregut dhe procesvebali i miratimit të dokumenteve standarde të tenderit, janë përgatitur pas përfundimit të procedurave të prokurimit, veprime të kryera në tre raste.
Nga hetimi është evidentuar fakti tjetër penal i falsifikimit të dokumentacionit të paraqitur nga shoqëria, “Net Group”sh.p.k, në tre procedura prokurimi, për të plotësuar kriteret e dokumenteve standarde të tenderit, siç janë kontrata bashkëpunimi për katër inxhinierë që duhet të kryenin shërbimin, si dhe deklarata mbi disponueshmërinë e stafit të konsulentit.
Nga hetimi është evidentuar fakti se shoqëria, “Net Group” sh.p.k, gjatë zbatimit të kontratave të fituara në këto procedura prokurimi, ka përfituar në sajë të paraqitjes së dokumentacionit fiktiv tek autoriteti kontraktor, si raporte, situacione, etj, të cilat rezultojnë se përmbajnë të dhëna të rreme në përmbajtje të tyre, përsa i përket realizimit të shërbimit, i cili nuk është realizuar, në vlerën 80,010,058 (tetëdhjetë milion e dhjetë mijë e pesëdhjetë e tetë) lekë."
Në fund SPAK thotë se gjatë hetimeve të kësaj dosjeje ka sekuestruar kompaninë “DAAM”, 29 mijë metra katrorë tokë arë e ndarë në 4 parcela në pronësi të kësaj kompanie në fshatin Mangull në Tiranë, një pasuri të paluajtshme 5000 m2, 6 makina dhe një motor. Vetëm gjatë kontrollit në banesë të Evis Berberit thotë SPAK u gjetën 15 mijë Euro, 3 mijë paund dhe mbi 14 milionë lekë të vjetra.
Komente

Po ky Gjyli a eshte drejtor aktual i Arrsh, po ky Elezi a eshte drejtor i Kesh... eeee po pse talleni me kete popull merem te pandehur per korrupsion dhe kane ne dor miljona !!!!
Përgjigju