Është shtyrë seanca e parë në themel për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, dhe të pandehurit e tjerë të përfshirë në dosjen e sterilizimit. Shkak për shtyrjen u bë një kërkesë e paraqitur nga avokati i Beqajt, Ermal Yzeiraj, i cili kërkoi nga gjykata që mbrojtjes t’i vihej në dispozicion akti i plotë i rikualifikimit të akuzës nga ana e Prokurorisë.
Sipas avokatit Yzeiraj, mbrojtja nuk është njohur ende me vendimin e prokurorisë për ndryshimin e veprës penale, nga “shpërdorim detyre” në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, si dhe për rëndimin e formës së bashkëpunimit nga “bashkëpunim i thjeshtë” në “grup të strukturuar kriminal”.
“Kërkojmë aktin e shkruar nga ana e prokurorisë për rikualifikimin e akuzës. Ne nuk e dimë qëndrimin zyrtar të prokurorit lidhur me këtë ndryshim. Është një ndryshim që sjell pasoja të rëndësishme në proces dhe në strategjinë mbrojtëse”, u shpreh avokati Yzeiraj gjatë seancës.
Edhe vetë Ilir Beqaj i është drejtuar prokurorit në sallë, duke ngritur pikëpyetje mbi vonesën në dërgimin e këtij dokumenti.
“Deri dje pyeta ata të administratës në Durrës, por më thanë që s’ka ardhur. Keni nisur një vendim të dhjetorit, por jo aktin për rikualifikimin e akuzës. Pse nuk e nisët?”, tha Beqaj, duke kërkuar sqarime nga organi i akuzës.
Nga ana e tij, prokurori Edvin Kondili deklaroi se në dukje bëhet fjalë për një kërkesë për marrje vendimi, por në thelb ajo përkthehet në një kërkesë për shtyrje të seancës. Ai i kërkoi gjykatës gjithashtu pezullimin e afateve të paraburgimit dhe të arrestit shtëpiak për të pandehurit deri në zhvillimin e seancës së radhës.
Prokurori Edvin Kondili: Në dukje kjo është kërkesë për marrje vendimi, por në fakt në thelb është për shtyrje. Ndaj, kërkoj pezullim të afateve të paraburgimit dhe të arrestit shtëpiak për të pandehurit.
Seanca e radhës është caktuar për datën 13 mars, në orën 12:30. Ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe ish zëvendësministri Klodian Rjepaj do të gjykohen për akuza më të rënda se ajo që SPAK kishte dërguar në GJKKO. Ata do të gjykohen për akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën e kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në procedurat e koncesionit dhjetëvjeçar të sterilizimeve kirurgjikale prej 100 milionë eurosh.
Ndërkohë biznesmenin Ilir Rrapaj do të gjykohet për akuzën e vjedhjes dhe të grupit të strukturuar kriminal. Në bankën e të akuzuarve për falsifikim dhe shpërdorim të detyrës do të ulen dhe 6 persona të tjerë teknikë, pjesëtarë të komisionit të ofertave dhe të administratës publike.
Komente
