Gjyqi i Paplekajt/ Dëshmon ‘molla e sherrit’! Avokatja: Në vendngjarje disa pistoleta të kalibrave të ndryshëm! Pronari i servisit: Më kërcënuan t’u jepja makinë

1 Shkurt 2023, 10:31| Përditesimi: 1 Shkurt 2023, 18:32

  • Share

ELBASAN- Gjykata e Elbasanit zhvilloi këtë të mërkurë seancën e radhës ndaj Arbër Paplekajt, i akuzuar për vrasjen politike të Pjerin Xhuvanit 4 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021 në Elbasan. Në seancën me dyer të mbyllura që zgjati më shumë se 2 orë dëshmoi shoku i viktimës, Mehmet Greca, i cilësuar si “molla e sherrit”, pasi ai ishte i pari që u ndalua nga struktura për mbrojtjen e votës, e më pas konflikti degradoi në përdorimin e armës. Pas marrjes në pyetje, avokatja e familjes Xhuvani, Rezarta Tahiraj tha se dëshmia e Grecës zbuloi se në vendngjarje kanë qenë shumë pistoleta të kalibrave të ndryshëm.

“Dëshmia kontribuon në dhënien e një shpjegimi të qartë e logjik se në atë ditë të vrasjes ka qëlluar jo vetëm vrasësi por edhe dy persona të tjerë që gjithsesi duken që i përkasin strukturës paramilitare të mbrojtjes së votës ose bashkëpunëtorëve të tyre eventualë të jashtëm. Deklaratat e Mehmet Grecës përgënjeshtruan se vrasja ishte një reagim për ofendimet e marra nga mjeku Xhuvani. Mehmet Greca në fakt pohoi se viktima është vrarë pa ofenduar vrasësin dhe madje as personat e tjerë”, tha Rezarta Tahiraj, avokate e familjes Xhuvani.

Për avokaten Tahiraj kjo dëshmi e rëndon situatën proceduriale të autorit të dyshuar, ndërsa tha se gjatë seancës Paolo Tupi pronari i një servisi pranë vendit të vrasjes së Pjerin Xhuvanit, dëshmoi seishte kërcënuar nga autori për t’i dhënë një automjet.

“Dëshmitari tjetër deklaroi se për t’u arratisur larg nga Elbasani vrasësi e ka kërcënuar ta vrasë me një armë nëse nuk do t’i kishte dorëzuar një automjet që e përdori më pas. Ky episode, shpjeguar në detaje nga dëshmitari që pësoi rrëmbimin e automjetit tregon përsëritjen e metodës dhe të veprimeve kërcënuese të vrasësit, gjithmonë me një armë në dorë dhe me kërcënimin për ta përdorur atë për të vrarë”, tha Tahiraj.

Gjatë seancës dëshmoi edhe Julian Mata, ndërsa në seancën e radhës që pritet ët mbahet më 8 shkurt, pritet që të vijojë thirrja e dëshmitarëve të tjerë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?