Në Gjykatën e Posaçme është zhvilluar seanca ndaj ish-kryetarit të Bashkisë Shkodër Bardh Spahia, ku SPAK i ka ngritur akuzën e “pengimit të ekzekutimit të vendimit të gjykatës”.
Mark Molla, personi që ka paditur Bardh Spahinë është paraqitur në gjykatë në cilësinë e dëshmitarit të kërkuar nga Prokuroria. Ai ka qenë me herët drejtori i ujësjellësit Shkodër dhe me firmë të Spahisë u largua nga puna. Molla deklaron se është shkarkuar nga detyra pa asnjë vërejtje dhe pa vendim asambleje.
“Gjatë vitit 2022 kam qenë administrator tek ujësjellësi. Kam bërë detyrën mirë. Ujësjellësi ka qenë ndër më të mirët në Shqipëri. Ka pasur 0 fonde. Kam bërë kallëzim penal se ish-kryebashkiaka në detyrë më ka emëruar tre vjet më parë. I jam drejtuar Prokurorisë Shkodër, se jam njohur me shkresa zyrtare dhe jam njohur si njeri pa vlerë. Unë nuk jam lejuar me hyrë në ujësjellës. Kryetari ka shpërdoruar detyrën me largimin nga puna të menjëhershëm pa asnjë qortim, as vërejtje dhe pa vendim asambleje.”, thotë Molla.
Ai thotë se vendimin për largimin nga puna e ka marrë me postë. Molla shprehet se Spahia e nisi “luftën” me metoda komuniste, ndërsa pretendon se gjatë kohës që qëndronte në detyrë nuk ka pasur asnjë ankesë nga qytetarët. Ai gjithashtu shprehet se Spahia vijon edhe sot nëpër media akuzat ndaj tij.
“Fillimisht ka larguar anëtarët e stafit mbikëqyrës rreth muajit qershor. Unë do kisha avokatin tim dhe të konsultohesha, dhe mendoj se duhet të isha palë në proces. Fillimisht jam njohur me një urdhër largimi që më ka ardhur me postë. Janë tre vendimmarrje nga ish kryetari Bardh Spahia. Përveç meje, dhe dy anëtarët e tjerë të stafit të ujësjellësit i janë drejtuar gjykatës. Unë jam vazhduar një periudhë kohe, teksa një ditë ka ardhur në zyrë Ardi Cylybyli me disa njerëz të bashkisë dhe më ka thënë me liruar zyrën. Institucioni atë ditë u ruante nga policia bashkiake dhe policia e shtetit. Atë ditë jam ndjerë keq dhe jam shtruar në spital tre ditë. Nga 320 punonjës ka nxjerrë një urdhër që do futen vetëm 62 persona. Unë s’kam bërë asnjë dorëzim, zyra është thyer me shkresë. Për largimin nga puna jam njoftuar nga posta dhe ma ka sjellë sekretaria e asamblesë. Këto vendimmarrje nuk janë bërë të ditur punonjësve të ujësjellësve. Unë merakun tim e kam pas me shku Bardhi kryetar bashkie dhe filloi luftën jo me burrni por me metodat e tij të ngjashme komuniste. Doja ta shikoja ballë për ballë. Unë mendoj se asambleja ka pasur dijeni për largimin tim. Gjatë vitit 2022, nuk ka pasur asnjë ankesë nga qytetarët.
Në lidhje me rrogat i ka marrë nga data 1 deri në 5 çdo muaj. Edhe në lidhje me klorin asnjë problematikë. Në lidhje me proceset gjyqësore vijon vetëm dëmi ekonomik dhe nuk heq dorë. Edhe sot po shpif në media. Porcese të tjera që lidhen me punën nuk kam hap akoma”, ka deklaruar Molla.
SPAK e çoi për gjykim ish kryebashkiakun e Shkodrës më 26 shkurt. Sipas SPAK, Spahia ka vepruar në shkelje të ligjit duke shkarkuar drejtorin e Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër, pavarësisht se kishte një vendim gjyqësor për pezullimin e këtij akti.
SPAK thotë se Spahia, në cilësinë e kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër dhe njëkohësisht si Kryetar i Bashkisë Shkodër, më 18 korrik 2022 ka marrë vendimin për shkarkimin nga detyra të administratorit Mark Molla dhe emëroi një anëtar të FRPD-së.
Komente
