Kërkesat e paraqitura për lirim të përkohshëm nga ish-krerët e UÇK-së Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë rrëzuar nga Apeli i Gjykatës Speciale.
Kurse ish-Presidenti Hashim Thaçi nuk kishte paraqitur kërkesë për t’u liruar.
Më 13 maj 2025, gjykatësi i Procedurës Paraprake në çështjen Thaçi dhe të tjerët i refuzoi kërkesat për lirimin e përkohshëm të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka vënë mbi ta. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023, por ata ndodhen në paraburgim që prej nëntorit të vitit 2020.
Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë është drejt fundit. Prokuroria e ka mbyllur çështjen e saj, ndërkaq dëshmitarët e mbrojtjes pritet të dëgjohen gjatë muajit shtator.
Komente
