Gjykata Speciale në Hagë ka rrëzuar në tërësi mocionin e mbrojtjes së ish-drejtuesve të UÇK-së, përmes së cilit kërkohej rrëzimi i disa akuzave nga aktakuza.
Mocioni përfshinte periudhën për incidentet para majit të vitit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999.
Avokatët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dorëzuan parashtrim të përbashkët duke kërkuar që akuzat për incidentet para kësaj periudhe kohore [para majit '98 dhe pas qershorit '99] të largohen nga aktakuza pasi që të njëjtat bien jashtë periudhës së luftës.
“Ajo çfarë kundërshton mbrojtja nuk është një akuzë por është pjesë e një akuze në formën e fakteve materiale të caktuara që përbëjnë pikat në aktakuzë”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, në seancën e mbajtur në Hagë më 16 korrik.
“Qëndrimi i ZPS-së është që në Kosovë ka ekzistuar një konflikt i armatosur jo ndërkombëtar prej të paktën marsit të vitit 1999 deri në shtator 1999. Mbrojtja parashtron që prokuroria nuk ka vërtetuar që ka ekzistuar konflikt i armatosur në Kosovë para fundit të majit të 98-ës dhe pas 20 qershorit 1999. Rrjedhimisht mbrojtja i kërkon trupit gjykues që të rrëzojë akuzat në aktakuzë që lidhen me krimet e luftës që pretendohet të jenë kryer përpara fundit të majit 98 dhe pas 20 qershorit të 99-ës”, tha Smith.
Smith bëri të ditur se Prokuroria kundërshton parashtrimet e mbrojtjes si dhe parashtron që sipas rregullës 130 duhet të bëhet një vlerësim pikë pas pike i provave.
“Ajo çfarë kundërshton mbrojtja nuk është një akuzë por është pjesë e një akuze në formën e fakteve materiale të caktuara që përbëjnë pikat në aktakuzë. Mbrojtja parashtron se ka autoritet lidhur me interpretimin dhe pikat sipas jurisprudencës së TPNJ-së ku sipas mbrojtjes akuzat të para në raport me të gjitha pikat e aktakuzës janë rrëzuar nga trupet gjykuese. Megjithatë dëshiroj të theksoj se këto janë vendime që janë mbështetur në versionin e vjetër të rregullës 98 të rregullores së TPNJ-së që është ndryshuar në dhjetor të 2004 dhe prej atëherë ndryshimet parashikojnë që pikat do të përdoren në vend të akuzave”, tha Smith.
Kryetari i trupit gjykues tha se nëse do të pranohej mocioni i mbrojtjes, “do të çonte në fragmentarizmin e çështjes”.
“Trupi gjykues nuk është bindur që ai ka autoritet sipas rregullës 130 për të rrëzuar pjesë të akuzave ose fakteve materiale që formojnë pjesë të aktakuzës nëse për shkaqe kohe ose për shkaqe tjera. Mbi këtë bazë, trupi gjykues rrëzon mocionin e mbrojtjes sipas rregullës 130 në tërësinë e vet. Trupi gjykues nuk është e nevojshme të shkojë në themelësinë e argumenteve të mbrojtjes sa i takon periudhës së fillimit dhe përfundimit të konfliktit të armatosur jo kombëtar. Pyetja ose çështja e fushëveprimit kohor ose shtrirjes kohore të konfliktit të armatosur që ka të bëjë me këtë çështje gjyqësore do të trajtohet në fund të gjykimit kur të vendoset për themelësinë e çështjes”, tha Smith.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon Thaçin dhe të tjerët me akuza për krime të pretenduara të luftës. Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023 - gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë. /Kosovapress
Komente

Kjo është një gjykatë e ndyrë e turpshme dhe e pa aftë,kriminelat e Serbisë janë të lirë,luftëtarët e lirisë mbahen në burg....pse them që gjykata është e pa aftë...e mbani mënd sa vjet e mbajtën krye kriminelin Millosheviç dhe nuk e dënuan do deri sa vdiq.
Përgjigju