TIRANE-Ish kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku është marrë i pandehur nga Gjykata e Tiranës. Gjatë seancës së të martës, në gjyqin paraprak të zhvilluar në mungesë të Kajmakut, është vendosur që ai të merret si i pandehur, ku pritet të gjykohet për dy akuza atë të falsifikimit të formularit dhe ushtrim të kompetencave përtej mandatit të tij.
Në seancën që u zhvillua në orën 13:30, prokuroria kërkoi që Kajmaku të gjykohet për falsifikim formulari dhe ushtrim kompetencash në kushtet kur i kishte përfunduar mandati. Agim Kajmaku është ende në kërkim prej 2 muajsh. I pranishëm në seancë ishte avokati i Kajmakut Isuf Shehu, raporton gazetari i Report Tv, Arsen Rusta.
Me Kodin e Ri të procedurës penale para se çështja të gjykohet në themel është një gjyq paraprak, ku verifikohen veprimet e prokurorisë nëse janë bërë të gjitha dhe në mënyrë ligjore. Pas verifikimeve dosja mund të dërgohet në gjyq ose të kthehet për hetime të tjera.
Pak ditë më parë ishte gjykata administrative e cila pezulloi edhe kompetencat e nënkreytarit të Vorës, Genti Picari i cili u vendos në këtë detyrë nga Kajmaku. E pikërisht vendosja e Picarit nga Kajmaku sipas prokurorisë është kryer në ushtrim të kompetencave tej mandatit çka ka sjellë dhe ngritjen e akuzës ndaj tij.
Agim Kajmaku u shkarkua nga KQZ pasi u denoncua nga PD për fshehje të të shkruarës kriminale në Greqi atje ku rezulton se është arrestuar, hetuar e më pas dënuar në mungesë për përdorimin e monedhave të falsifikuara. Ai erdhi në krye të bashkisë Vorës nga zgjedhjet lokale të 30 qershorit aty ku garoi i vetëm për postin e kryebashkiakut.