Në GJKKO do të mbahet sot edhe seanca e radhës gjyqësore për Sali Berishën, dhëndrin e tij Jamarbër Malltez dhe tre të pandehurit e tjerë për aferën “Partizani”. Seanca nis në orën 11:00.
Në seancën e kaluar, në një tjetër përpjekje për të zvarritur procesin, mbrojtësit ligjorë të Berishës dhe Malltezit kërkuan pavlefshmëri absolute të hetimeve, të akteve të marrjes si të pandehur, njoftimit të akuzës, akteve të ekspertimit si dhe të çdo prove të paraqitur nga SPAK. Të njëjtën kërkesë për pavlefshmëri të akteve e parashtruan edhe të pandehurit Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.
Berisha nuk ishte i pranishëm në seancë gjyqësore, por u paraqit në ambientet e SPAK-ut në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, nga ku sulmoi edhe njëherë prokurorinë dhe drejtuesin e saj, Altin Dumani, për të cilin tha se do të largohet nga detyra si një puçist që fjeti mbi dosjet e krimit.
Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj, pak ditë pas zgjedhjeve të 11 majit, dhe pasi u zvarrit për 7 muaj në seancë paraprake. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Edhe Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Fatmir Bektashi është i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, ortaku i Malltezit dhe trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja, dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë dërguar edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.
Komente
