Ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, i thirrur nga mbrojtja e ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, po dëshmon në Hagë në lidhje me procesin penal që po zhvillohet ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në fjalën e tij, Duncan ka theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte hierarki dhe se nuk mendon që Hashim Thaçi ishte kryekomandant i saj.
Sipas tij, fuqinë reale në UÇK e kishin komandantët e zonave, dhe Thaçi, nuk ishte një i tillë.
“Nuk kishin struktura hierarkike, ishin të organizuar ndryshe, nuk mund të shkonim thjeshtë të bisedonim me zotëri Thaçin, apo me gjeneral Çekun dhe të mendonim se e zgjidhëm problemin. Nuk funksiononte kështu. Duhej flisnim me personat që vërtetë kishin kompetenca, dhe ata ishin komandantët e zonave. Fuqinë reale në strukturën e UÇK-së e kishin komandantët rajonalë dhe kjo na u konfirmua kur u takuam me gjeneral Agim Çekun në fillim të negocimit të marrëveshjes, ai na tha që nuk e bëj dot këtë pa praninë e komandantëve të zonave. I besova, ishte ngulmues për këtë çështje. Tha dy gjëra; e para, tha që zotëri Thaçi nuk ishte i disponueshëm dhe për ta bërë një gjë të tillë, Thaçi do të duhej të konsultohej, dhe më pas ai shtoi se unë nuk e bëj një gjë të tillë nëse në negociata nuk marrin pjesë komandantët e zonave”.
Duncan ka treguar se UÇK-ja përbëhej nga njerëz të zakonshëm, secili me profesionet përkatëse, dhe që kishin marrë armët kur nisi lufta.
“Ne i quanim atë ushtria e atyre që nuk kishin asgjë, ky ishte termi që kam përdorur në atë kohë dhe kur kam shkuar në teren kam parë njerëz që kishin pasur një jetë normale, ishin civilë, doktorë, avokatë, njerëz që kishin lënë punën dhe kishin marrë armët, aspiratat e tyre nuk ishin të njëjta dhe kur negocionin me këta njerëz duhet të kuptosh se cili është synimi i tyre, si kanë arritur në këtë pikë, çfarë faktorësh i shtynë deri në atë pikë ku ndodhen, cilat janë aspiratat e tyre dhe interesat e tyre”.
Ai ndër të tjera theksoi se Hashim Thaçi nuk pasqyronte realitetin politik.
“Nuk ishte realiste që zoti Thaçi të njihej si udhëheqësi politik i Kosovës, kishte forca të tjera politike që ekzistonin atje, si LDK-ja, zoti Rugova e të tjerë, ata mund ta kishin zgjedhur atë si udhëheqës të delegacionit në Rambuje por ai nuk kishte atë që quhej legjitimiteti politik në një shoqëri demokratike, nuk ishte zgjedhur nga populli. Të njihej Thaçi si Kryeministër nuk ishte realiste, nuk përfaqësonte realitetin dhe nuk ishte e qëndrueshme nga pikëpamja politike”, tha ai.
I pyetur nga mbrojtja nëse mendon se Thaçi ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së, ose kryekomandant, ai tha: “Jo, sepse mënyra se si silleshin komandantët me të gjatë negociatave, ishte e tillë që ata e trajtonin si krah politik, që kishte një lloj ndikimi, por jo si dikush që kishte kompetenca ushtarake”.
Duncan ishte këshilltar politik i ish-komandantit suprem të Forcave Aleate të NATO-s, Wesley Clark, i cili udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe, më 1999.
Gjithsej në gjyqin që po zhvillohet kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, janë thirrur për të dëshmuar 11 dëshmitarë, të cilët do të paraqiten në Hagë gjatë javëve në vijim.
Fillimisht në gjykatë ka dëshmuar për 3 ditë me radhë, ish-zyrtari amerikan, James Rubin, i cili u shpreh se Thaçi prveçse një përfaqësues politik i Kosovës në Konferencën e Rambujesë, ai nuk kishte asnjë autoritetet për të marrë vendime në emër të UÇK-së.
Dëshmitari i radhës ishte ish-këshilltarit ligjor të delegacionit të Kosovës, Paul Williams, i cili dhe njëherë konfrmoi se Hashim Thaçi nuk merrte vendime apo irmoste marrëveshje pa marrë aprovimin e komandatëve të ushtrisë.
Gjyqi për ish-krerët e UÇK-së ka nisur që prej vitit 2023. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe prej vitesh mbahen të izoluar në dhomat e paraburgimit në Hagë.
Lajm në përditësim...
Komente
