Shtyhet për më 8 Korrik seanca e radhës e gjyqit për shpifje i Adriatik Lapajt ndaj Agron Shehajt lidhur me akuzën se ka marrë 45 mijë euro nga një kompani e Çopjave. Seanca u shty për t’i dhënë kohë avokatit të kreut të partisë Mundësia që të paraqesë provat.
Shehaj e ka akuzuar Lapajn se ka marrë përsipër regjistrimin e një prone që kompania e Çopjave kishte blerë në Ksamil, vendim i cili është dhënë nga vjehrri Alltun Çela, kur ai ishte kryetar i Gjykatës së Sarandës.
Në seancën e sotme Lapaj ishte i pranishëm ndërsa Shehaj u përfaqësua nga avokati. Ky i fundit deklaroi në sallë se i janë drejtuar Kadastrës dhe disa bankave për prova. Avokati tha se kanë kontratat që tregojnë se Lapaj është paguar me 4 mln lekë nga administratorët e kompanisë që është në hetim nga SPAK.
Avokati i Shehajt bëri me dije gjithashtu se i janë drejtuar KPA-së edhe për vendimin e rivlerësimit të vjehrrit të Lapajt, Alltun Çelës.
“I jemi drejtuar Kadastrës për të marrë prova dhe disa bankave, por nuk na japin informacion në lidhje me paditësin. Pretendohet se kemi fyer dhe shpifur në lidhje me administratorët e një kompanie që është në hetim nga SPAK, ku Lapaj ka qenë avokat. Ne kemi kontratat ku ai është paguar nga kjo kompani në vlerën e 4 milionë lekëve për regjistrimin e saj në gjykatë. Kemi edhe disa vendime të Gjykatës së Sarandës që janë përfaqësuar nga viktima akuzuese, por që vendimi është marrë nga vjehrri i tij. I jemi drejtuar edhe KPA për vendimin e rivlerësimit të vjehrrit të Lapajt.”, deklaroi avokati.
Ndërkohë, Lapaj pretendoi se vjehrri i tij nuk ka asnjë lidhje me pronën dhe se nuk e ka përfaqësuar ai në Apel çështjen.
“Vjehrri im nuk ka lidhje me atë pronë që është regjistruar. Unë kam përfaqësuar 35 pronarë dhe jo kompaninë. Kompania ka bërë pagesën se donte të blinte pronën. Momenti i dytë është për një pronë në Ksamil. Nuk është e vërtetë ajo që pretendojnë se këtë çështje e kam përfaqësuar unë në Apel.”
Shehaj e akuzoi Lapajn se kishte marrë 45 milionë lekë nga kompania “Merkaj 3 shpk”, e sekuestruar nga SPAK pasi përdorej për të pastruar paratë e grupit kriminal të “Çopjave”. Ai mohoi akuzat duke thënë se paratë nuk i kishte marrë dhe ishin thjesht detyrime ndaj shërbimeve si avokat ndaj kompanisë në fjalë.
Shehaj publikoi më pas disa dokumente duke thënë se Lapaj ka marrë përsipër regjistrimin e një prone miliona euroshe që kompania e Çopjave kishte blerë në bregdet. Sipas Shehajt, vendimi për pronën është dhënë nga vetë vjehrri i Adriatik Lapajt, Alltun Çela, kur ai ishte kryetar i Gjykatës së Sarandës.
Komente
