Në Gjykatën e Posaçme është shtyrë sërish seanca për shpifje mes biznesmenes Vilma Nushi dhe deputetes demokrate Albana Vokshi. Shtyrja e seancës u bë për shkak se prokurori kërkoi kohë për të marrë informacion nëse ka procedim penal të regjistruar në SPAK për akuzat e ngritura objekt gjykimi. Seanca e radhës do të mbahet më 20 maj në orën 13:30.
Kujtojmë se më 24 prill seanca u shty për shkak të mungesës së prokurorit Elvin Gogaj.
Ndërkohë në seacën e 15 prillit ku ishin të pranishme të dyja palët, Nushi lexoi pretendimet e saj, ku kërkoi dënimin e Albana Vokshit për veprën penale të “Shpifjes”, lidhur me deklaratat që ajo ka bërë në Komisionin hetimor parlamentar për “Sterilizimin”.
Më herët ka patur shtyrje të seancave si pasojë e mungesës së deputetes Vokshi. Vilma Nushi dhe Shoqëria 3P Life Logistic sh.p.k, që ka fituar koncesionin e Check Up, kanë kallëzuar Albana Vokshni për veprën penale të “Shpifjes”. Koncensionari thotë se në 10 vite vlera e projektit është 63 milionë euro në total, dhe jo 130 milionë euro, siç ka akuzuar Vokshi.
Komente
