Në gjykatën e Lezhës është mbajtur sot seanca e radhës për të pandehurin Ruben Saraiva, i akuzuar për vrasjen me pagesë të biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin dy vite më parë. Kjo vrasje dyshohet se është porositur dhe organizuar nga Edmond Haxhia.
Në seancë gjithashtu për të dëshmuar ka qenë nëna e Edmond Haxhisë dhe një e afërme e tij. Seanca ka zgjatur rreth 60 minuta ndërsa dëshmia e tyre është ndjekur me shumë interes.
Portugezi Ruben Saraiva u shoqërua nga masa të rrepta sigurie ndërsa seanca është shtyrë për tu mbajtur përsëri më datë 7 tetor.
Për Ruben Saraivën Prokuroria e Lezhës ka ngritur akuzat "vrasja për gjakmarrje", e kryer në bashkëpunim dhe "armëmbajtja pa leje", teksa tashmë do të jetë gjykata e cila do të vendosë, nëse kjo çështje do të kalojë për gjykim themeli apo do të kthehet për plotësim hetimesh.
Portugezi Ruben Saraiva u ekstradua në Shqipëri me 31 dhjetor të vitit 2023, pas vendimit të Gjykatës së Marokut, e cila pranoi kërkesën e autoriteteve shqiptare. Prej asaj kohe ai po qëndron në paraburgimin e Tiranës, në pritje për t’u përballur me drejtësinë shqiptare, ndërsa në vazhdimësi e ka mohuar që të ketë lidhje me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin.
Për krimin, të akuzuar janë edhe 4 shtetas britanikë që ndihmuan, si dhe i dyshuari Edmond Haxhia, si organizator dhe porositës i vrasjes me motive gjakmarrjen.
Ardian Nikulaj u ekzekutua më 19 prill 2023 në Shëngjin, në ambientet e lokalit të tij ‘Coral’, në hotelin buzë detit.
Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj ishte në vazhdën e zinxhirit të hakmarrjes që familja e viktimës kanë me fisin Lekstakaj, konflikt ky që ndër vite (që nga 1997) ka shkaktuar bilanc me shumë viktima.
Komente
