Liridona Ademaj dhe Naim Murseli

Kosova & Rajoni

Gjyqi për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli pyet vëllain e saj: A është ankuar motra jote për mua?

14 Korrik, 16:57| Përditesimi: 14 Korrik, 17:08

  • Share

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë u mbajt sot seanca e gjykimit për vrasjen e Liridona Ademajt. Seancat e radhës në këtë rast gjyqësor janë caktuar për 22 shtator, 6 dhe 10 tetor.

Gjatë dëshmisë së tij, Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, përshkroi në detaje reagimin e familjes pas ngjarjes, sjelljen e Naim Murselit pas krimit, dhe dëshminë e fëmijëve të Liridonës për natën e vrasjes.

Në seancën, i dyshuari Naim Murseli është përballur me dëshmitarët, përfshirë kunatin e tij, Leonardin.

Murseli: E kam një pyetje për Leonardin, për 12 vjet martesë a është ankuar ndonjëherë motra e tij për mua apo raportin tonë?

Ademaj: Jo nuk është ankuar, përveç qe para disa muajve para se të ndodhte ngjarja, e kishte prekur shumë një aferë tradhtie e Naimit me një të afërm. Por që ajo vet e kishte e zgjidhur këtë punë me të dhe ne nuk e kemi kundërshtuar veprimet e saj.

Murseli: Ju thatë më herët që kinse unë pasna qenë në morg me Kushtrim Kokallën, në sa ora ka qenë kjo vizitë?

Ademaj: Orën nuk e di, veçse këtë e thotë edhe punonjësja aty qe ma tha se në mëngjes kanë ardhur Kushtrimi dhe Naimi.

Murseli: Dy javë para ngjarjes, rreth datës 16 nëntor, a kemi shkuar së bashku në Budva për të festuar ditëlindjen së bashku, ditëlindjen time.

Ademaj: Po, me ftesën e Liridonës.

Murseli: Dhe a vërejte diçka ndryshe gjatë qëndrimit, atij qëndrimi në Budva të Malit të Zi, apo ndonjë krisje në raport?

Ademaj: Jo.

Murseli: Në shtëpinë në Prishtinë, që e kam blerë së bashku me të ndjerën, bashkëshorten time, a ke qenë ndonjëherë në vizitë, Leonard.

Ademaj: Jo.

Murseli: Në aktakuzë prokurorja përmend dy motive, njëra që ka të bëjë me financa, dhe me kinse sigurim jetësor, qe nuk dijet asgjë për atë sigurim jetësor, nuk dihet asgjë më tepër, motivi tjetër që thuhet është kinse Liridona më ka tradhtuar, cilit motiv i beson Leonard Ademaj.

Ademaj: Motivin kinse Liridona të ka tradhtuar, e ke thënë ti vetë, nuk e ka thënë prokuroria. Ndërsa sa i përket sigurimit, e din ti më mirë ku vlen se ja ke bërë vetëm asaj. E din mirë kur i ke thënë babit në shtëpi, 'Hajdar ja kam maru një sigurim Liridonës qe nëse e gjen diçka përfitojmë shumë dhe fëmijët sigurohen. Përveç versionit të tradhtisë, dy versionet tjera i besoj plotësisht.

Murseli: E kam parë deklaratën e Leonard Ademajt në aktakuzë dhe aty thuhet qe djali im i vogël, nuk po e përmendi emrin se është i mitur, aty thuhet që sipas fjalëve të Leonardit qe djali im i thotë dajës të vet se përveç ato qe i pamendi qe hajni ka kërkuar para, djali thotë se mamin e kemi harruar në makinë, a ka qenë kështu Leonard?

Ademaj: Po, atë natë kështu ka thënë, sepse ishte veç katër vjeç dhe nuk e ka ditur se çfarë saktë po ndodhte.

Murseli: A kam qenë unë në prokurori pas intervistimit në polici, disa orë para varrimit?

Ademaj: Unë nuk e di.

Leonard Ademaj tha se për martesën e Naimit dhe Liridonës, mësit ka qenë babai i Kushtrimit. Ai tha se fëmijët e saj kanë kërkuar disa herë që ta fotografojnë varrin dhe të ju dërgojnë atyre por edhe që kanë kërkuar disa herë të vijnë dhe të dërgojnë lule.

Ata asnjëherë nuk e përmendin dhe se në përditësimin e të dhënave thuhet qe kushdo që përmend emrin e babait të tyre, ata nuk duan ta takojnë më", tha Ademaj.

Para kësaj, pas konsultimit me avokatin, Kushtrim Kokalla nuk ka bërë pyetje, i cili paraprakisht kerkoi që të marrë fjalën.

Gjatë kësaj seance, avokati i Naim Murselit, Shemsedin Piraj e ka pyetur Leonard Ademajn, se a ka fjetur ndonjëherë Naimi tek familja e tij.

"Ka bujt, ka nejt me neve zgjuar deri në orët e vona por që mund të them që një apo dy herë maksimalisht", ka thënë Leonard Ademaj.

"E di qe Liridona i mbajke dy puna dhe për Naimin nuk e di", ka shtuar ai.

Në fund të dëshmisë, më 14 korrik, Leonard Ademaj tha se "mesazhi jonë dhe i familjes tonë është i qartë, dënimi nuk na e kthen Liridonën por të paktën le të jetë një shembull për të gjithë ata të cilët tentojnë të bëjnë një krim të tillë”.

“Andaj duke marrë parasysh natyrën e viktimës, po ashtu rrethanat kriminale të cilat i kanë bërë, dënimi të jetë kapital pasi që dënimin populli e ka dhënë vetë".

Vëllai i Liridonës: Fëmijët tregojnë se Naim Murseli e mbajti për dore në momentin e vrasjes

Leonard Ademaj gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën Themelore në Prishtinë, tregoi për takimin me fëmijët e Liridona Ademajt në Suedi.

"Kur kam shkuar në Suedi, kam kërkuar takim me fëmijët, takimi me ta ishte shumë prekës pasi që fëmijët në prezencë të psikologëve më treguan qe kanë qenë në veturë kur u vra Liridona. Fjalët e djalit, janë këto: hajni e ka futur dorën dhe ja ka bërë mamit bam. Po ashtu, tregojnë qartë se si Naim Murseli e mbajti për dore në momentin e fundit të vrasjes. Gjithashtu përditësimin e të dhënëve të tyre, të cilin e marrë unë, fjalët e tyre janë të po këtij lloji".

Gjatë dëshmisë së tij, Leonardi tregoi se në ditën e varrimit e kishin vërejtur ftohtësinë e bashkëshortit të motrës, Naim Murselit.

Ai tha se ishte tronditëse që dyshimet e tyre u vërtetuan.

"Në orën 07:00 të mëngjesit, kemi shkuar në Cërmjan për të pritur ngushëllimet e njerëzve të cilët vinin, aty ishin edhe prindërit e Naimit, Kushtrimit. Njerëzit vinin për të parë në të pame, Naimi nuk ishte aty. E kam thirrur rreth orës 10:00 dhe i kam thënë ‘Ku je qe nuk ke ardhur hala’. Ma ka thënë fëmijët janë duke u marrë në pyetje, rrugës jam duke ardhur. Pasi ka arritur trupi i Liridonës, rreth orës 11:00 ka ardhur edhe Naimi. Dhe pastaj është kryer ceremonia e varrimit, në fakt, gjatë varrimit ajo çfarë binte në sy më së shumti ishte qetësia e Naimit së bashku me Kushtrimin, jo nga mërzia qe prisnim ne të qanin ata, por rrinin shumë të ftohtë por, po ashtu edhe në raport me mediat qe ishin prezent. Pas varrimit, familja jonë, direkt është kthyer në shtëpi, kur kemi mbërri në shtëpi, babai na tha qe miqësia mes nesh dhe familjes së tyre ka mbaruar këtu. Sepse si ka mundësi qe Naimi ka ikur nga vendi i ngjarjes së bashku me fëmijët, ndërsa Liridona ka mbet aty. Nuk ka vonuar gjysmë ore dhe e kemi parë në gazeta që është arrestuar Granit Plava, pas pak minutash kemi marrë vesh edhe për arrestimin e Kushtrim Kokallës", tha ai.

Ai u pyet nga avokati i palës të akuzuarit se gjatë kohës sa ka shkuar në spital, a është telefonuar nga dikush për ngushëllime.

Syla: A ju ka thirr familja e Naim Murselit?

Ademaj: Jo, nuk na ka thirrur.

Syla: Fillimisht lajmin për vrasjen e Liridonës, nga kush e keni marrë?

Ademaj: Nga babai i Kushtrim Kokallës. Ka thirr në telefon dhe ka thënë a e keni parë në lajme se u vra Liridona. Gruaja e parë e babait tim, është halla e Kushtrimit, ndërsa gruaja e dytë është nana biologjike e jona, por pasi kemi jetuar në Zvicër jemi në emër të gruas së parë.

Vëllai i Liridona Ademajt nis dëshminë para gjykatës

Vëllai i Liridona Ademajt, Leonardi, ka nisur të hënën, më 14 korrik, dëshminë në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Liridona Ademaj u vra në moshën 30 vjeçare, më 29 nëntor të vitit 2023, në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

Vëllai i saj foli për natën kritike para trupit gjykues, duke thënë se kishin qëndruar zgjuar deri në mëngjes.

"Në natën kritike, diku rreth orës 10:00, më ka telefonuar bashkëshortja në telefon dhe më ka thënë 'a e nive që e kanë vra Liridonën'. Kur kam shkuar në shtëpi gjendja e prindërve ishte tejet e rëndë, nuk dija se çfarë të bëja, e kam marrë veturën, i kam marrë edhe prindërit me vete dhe kam shkuar në spitalin në Gjakovë. Gjatë rrugës lexoja në gazeta qe po, Liridona është vrarë. Kur kam shkuar në spital u kam thënë mjekëve a mundeni me ju dhënë qetësues prindërve, sepse po flitet se motra ime ka vdekur. Pasi e kanë marrë trajtimin mjekësor kemi vazhduar për në Prishtinë, më saktësisht në QKUK. Kur kemi shkuar në spital aty, kishte policë të shumtë të cilëve ju drejtova me pyetjen 'a mund të di për rastin e Liridona Ademajt, ata më thanë që duhet të shkosh në stacionin policor në Drogodan. Polici më ka treguar me lokacion se ku të shkojë. Kur kam shkuar në polici, aty kishte zyrtar policor dhe njëra nga policet qe ishte ua kumtoi edhe lajmin për vdekjen e Liridonës prindërve. Gjendja ishte tejet e rëndë dhe pas pak minutave aty erdhi edhe ambulanca. Unë kam thënë se ku janë fëmijët dhe Naimi, më kanë thënë janë brenda", tha ai.

Ai përmendi edhe takimin me fëmijët e Liridonës.

"Kur kam pyetur se ku është Naimi, më kanë thënë se është duke dhënë deklaruar. Pas një ore apo një ore e gjysmë, Naimi ka dalë nga policia, ne fëmijët i kishim marrë me veturë, kur ka dalë Naimi nga policia aty ishte prezent edhe Kushtrim Kokalla. Ne e kemi pyetur Naimin se çfarë ndodhi. Ai na tha që 'na ka dalë një hajn me armë dhe na ka kërkuar të holla'. Unë tha i kam nxjerrë të hollat dhe i kam thënë edhe Liridonës nxjerri krejt çfarë ki. Unë i kam hapur dyert dh ju kam thënë djemve me ik. Pasi kemi shkuar diku tha pesë metra e kam dëgjuar një krismë, por unë tha vazhdoja të ikja me fëmijët. Ka ardhur një veturë në drejtim tonin dhe ka dashur të na shkel mua dhe fëmijët. Kam kërkuar ndihmë nga shtëpitë aty por nuk më kanë dhënë ndihmë. Kam shkuar në market, aty i kam thënë pronarit se a mundesh me i shiku fëmijët se po dua të kthehem se ma kanë vrarë gruan. Më kanë thanë jo, rri këtu priti policinë. Pasi ishte mesnatë, fëmijët ishin të lodhur dhe të rraskapitur, se bashku më familjen i kemi marrë në shtëpinë tonë. Naimi ka qëndruar aty bashkë më Kushtrimin", tha ai.

Ai tregoi se të nesërmen, ka provuar të kontaktojë me bashkëshortin e Liridonës, Naim Murselin - i akuzuar për këtë vrasje, pasi, siç tha ai, nuk e dinin se ku ndodhej.

"E kam telefonuar Valon Llukën më ka thënë merre numrin e shoferit që është Naimi dhe kontakto me të. Pasi e kam thirr në telefon shoferin, ai më ka thënë se Naimi gjendet në [hotel]  Sëiss. Jemi nisur së bashku me djalin e axhës, djalin e dajës dhe tezakun, kur kemi shkuar në Sëiss na kanë thënë që Naimi është në dhomë lart. Ai ishte ratë në krevatin e tij, kishte disa sende ushqimore në tavolinë, po ashtu kishte porositur dhe drekën. Nga habia ne mendonim se është i frikësuar dhe kjo është mërzia qe e vuan. I kam thënë mundemi me shku në morg me pa Liridonën, më ka thënë jo, nuk na lejohet. Pasi diku 10 minutave, e kam thirrë personalisht vetë spitalin dhe i kam thënë që jam vëllai dhe nëse kanë përfunduar të gjitha procedurat a mund të vijmë ta shohim trupin. Më kanë thënë po, qe mundeni me e pa. Kemi shkuar në morg , me neve erdhi edhe Naimi dhe shoferi", deklaroi ai.

Vrasja e 30 vjeçares fillimisht ishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”.  Më pas, dy ditë më vonë, policia arrestoi dy persona  - përfshirë bashkëshortin e Liridonës, Naim Murselin. Prokuroria tha më pas se Naim Murseli kishte premtuar 30.000 kompensim për vrasjen e bashkëshortes.

Për vrasjen e Liridona Ademajt akuzohen edhe Kushtrim Kokalla e Granit Plava. Ndërkaq, Tom Dodaj ishte përfshirë në aktakuzë pasi i njëjti ia kishte shitur Murselit armën me të cilën ishte kryer vrasja./Kosovapress

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Përplasja mes Lapajt e Shabanit për mandatin, kush mendoni se ka të drejtë?