Arbitri rumun Istvan Kovacs do të jetë gjyqtari kryesor në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026. Kovacs është arbitri më i mirë i UEFA-s, pasi atij iu besua finalja e edicionit të shkuar në Champions League, aty ku PSG mposhti Interin 5-0.
Sipas njoftimit të UEFA-s, Istvan Kovacs do të ndihmohet nga bashkatdhetarët Mihai Marica dhe Ferencz Tunyogi, ndërsa gjyqtar i katërt do të jetë Horatiu Feșnic, po nga Rumania. Në dhomën e VAR-it do të jenë gjyqtarët gjermanë Bastian Dankert dhe Pascal Muller. Sfida e Grupit K do të zhvillohet të shtunën në orën 20:45, në stadiumin “Dubocica” të Leskovacit.
Ndeshja në Serbi është vlerësuar si e një rrezikshmërie të madhe nga FIFA, duke dërguar dy oficerë sigurie. Veç zhvendosjes së sfidës nga Beogradi në Leskovac për shkak të frikës nga huliganët dhe klimës së tensionuar politike, Federata Serbe e Futbollit nuk nxorri në shitje asnjë biletë.
6500 tifozët serbë në Leskovac do jenë me ftesa dhe të përzgjedhur, përfshi futbollistë nga akademitë e futbollit. Serbia është e dënuar që këtë duel ta zhvillojë me reduktim të 20 përqind të kapacitetit të stadiumit.
Pas pesë sfidave të luajtura në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026, Anglia me 15 pikë mban kreun duke lënë pas Shqipërinë me tetë pikë. Serbia me shtatë pikë ndodhet në pozitën e tretë, por ka një ndeshje më pak. Më pas vijnë Letonia (4 pikë) dhe Andorra me zero pikë.
Faximile nga faqja e UEFA-s
Komente
