Ali Veli dhe Ramazan Jella/ ‘Gjyshërit e mi bamirës, që komunizmi ju mori jetën’

10 Tetor 2023, 20:30| Përditesimi: 10 Tetor 2023, 20:54

  • Share

Kjo është historia e dy pronarëve të mëdhenj të viteve ‘30-‘40 të cilët komunizmi ju rrëmbeu pronat dhe njërin e  burgosi për shumë vite ndërsa tjetrin e vrau në hetuesi.

I pari  Ali Veli, tregtar grosist me të parën anije veliere 250 tonëshe, që tregtonte mallra deri në Egjipt, kishte dhëndër Shefqet Bejën kryetarin e  grupit të deputetëve, dënuar me varje në litar pas “Gjyqit të deputeteve”. Pas vdekjes së Shefqet Bejës, dënohet me burg edhe Ali Veli bashkë me djalin e tij. Personazhi tjetër është Ramazan Jella i vrarë në hetuesi në maj 1948. Ai kishte martuar vajzën e tij të vetme me djalin e Ali Velit.  

Në Tiranën dhe Durrësin e viteve ’40 të gjithë i njihnin familjet e pasura Jella dhe Veli. Këto dy familje përveç miqësisë së hershme dhe më vonë edhe krushqisë mes tyre, pas vendosjes së regjimit komunist do i lidhte edhe fati tragjik i persekutimit të gjatë.

Luli Veli, është një pasardhëse e këtyre dy familjeve dhe ka vendosur të na rrëfejë një histori që i ngjan shumë  një filmi dramatik.  Dy gjyshërit e saj Ali Veli nga babai dhe Ramazan Jella nga nëna, janë fillesa e kësaj historie plot zigzage emocionesh, dramash, humbjesh por edhe dinjiteti, qëndrese dhe krenarie.

Luli tregon se gjyshi nga nëna Ramazan Jella u vra nga komunistët në hetuesi dhe e hodhën e nga dritarja për të ngritur hipotezën se u hodh vetë dhe u vetëvra.

Kjo humbje ishte një goditje e rëndë për të dyja familjet dhe vetëm një prej dramave të mëdha që do të përjetonin. Luli thotë se edhe burri i hallës së saj, Shefqet Beja po ashtu u dënua me vdekje nga komunistët me gjyqin e deputetëve dhe u var në litar.

Ndërsa gjyshi nga babai Ali Veli u arrestua bashkë me të birin Ramazan Velin, të dy at e bir me akuza të paqena, kur në të vërtetë, në prapaskenë luhej loja e grabitjes me dhunë e pasurisë së madhe që ata kishin.

Kjo valë e ashpër goditjeje kishte kthyer përmbys jetën e të gjithëve. Luli atëkohë ishte 5-6 vjeç  dhe kujton se nga jeta luksoze që bënin deri më atëherë do të përfundonin në mjerim të tejskajshëm.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?