Një grua 81-vjeçare daneze u kap me heroinë në aeroportin e Varshavës, në Poloni të dielën. 81-vjeçarja po udhëtonte nga Afrika në Kanada, dhe kishte në valixhen e saj heroinë me vlerë mbi 515.000 dollarë, thanë zyrtarët në Poloni të premten. Megjithatë, ajo tha se nuk ishte në dijeni të drogës brenda valixhes.
Oficerët e doganave në aeroportin Frederic Chopin vendosën të kontrollonin bagazhin e të moshuarës teksa ajo po kalonte tranzit, pasi dyshuan për itinerarin e saj dhe sjelljen e çuditshme.
Në fund të valixhes që kishte me vete 81-vjeçarja u zbuluan pako me pesë kilogramë heroinë.
Gruaja, që udhëtonte nga Malavi dhe Kenia përmes Dohas dhe Varshavës, mohoi çdo keqbërje dhe tha se anëtarët e familjes i kishin dhënë valixhen me dhurata për të afërmit në Kanada, sipas Aleksandra Skrzyniarz, një zëdhënëse e zyrës së prokurorit në Varshavë.
Ajo u ndalua për tre muaj dhe prokurorët kanë hapur një hetim. Sipas ligjit polak, ajo përballet me 15 vjet burg për posedim të paligjshëm të lëndëve narkotike.