Gjysma e shqiptarëve i duan komisionet hetimore, por treçereku nuk duan bllokimin e Kuvendit.
Skenat e djeshme në selinë e Kuvendit të Shqipërisë ishin të paprecedenta, me deputetë opozitarë që kapërcenin kangjellat rrethuese apo që futeshin nga dritaret. Ato ishin pjesë e koreografisë bllokuese të fraksionit opozitar të Berishës, që pretendon se i është mohuar e drejta kushtetuese për të ngritur komisione hetimore parlamentare.
Një situatë e tillë politike padyshim që e ka rritur vemendjen e opinionit publik shqiptar. Për këtë arësye, Shqiptarja.com angazhoi sondazhistin e Report TV, Eduard Zaloshnja, që të bëjë një sondazh të shpejtë me SMS krejt të rastësishme në gjithë territorin e vendit.
1103 të anketuar nga i gjithë territori i vendit e plotësuan pyetësorin e shpërndarë me SMS krejt të ratësisshme. Kampioni u ripeshua, që të përfaqësojë sa më mirë banorët e rritur, gjeografikisht, demografikisht dhe politikisht.
Rezultatet e sondazhit tregojnë se pothuaj gjysma e shqiptarëve mendojnë se duhen lejuar komisionet hetimore parlamentare të kërkuara nga opozita (37.1% u përgjigjën “Po” dhe 12.7% u përgjigjën “Anoj Po”). Nga ana tjetër, pothuaj treçereku i shqiptarëve janë kundër strategjisë aktuale bllokuese të opozitës ndaj Parlamentit (65.6% janë të vendosur kundër dhe 8.8% anojnë nga kundër).