Bota

Glasgou, marrëveshja për klimën një fitore e brishtë

14 Nëntor 2021, 20:11| Përditesimi: 14 Nëntor 2021, 20:20

  • Share

197 vende nënshkruan Marrëveshjen për Klimën në fund të takimit të OKB-së në Glasgou të shtunën, duke u zotuar të përshpejtojnë veprimet për trajtimin e ndryshimeve klimatike. Megjithatë, trysnia e minutës së fundit nga Kina dhe India çoi në kufizimin e premtimeve kyçe mbi ndalimin gradual të përdorimit të karburanteve fosile.

Pas dy javë negociatash intensive, 197 vende ranë dakord në fund për një marrëveshje që synon parandalimin e ndryshimeve katastrofike të klimës. Drejtuesi i takimit të OKB-së për klimën e përshkroi atë si një "fitore të brishtë".

“Ne bëmë histori këtu në Glasgou. Dhe tani duhet të sigurohemi që kapitulli tjetër i zbatimit të angazhimeve për të cilat kemi rënë dakord në marrëveshjen për klimën në Glasgou të jetë i suksesshëm”, tha drejtuesi i takimit të OKB-së për klimën, Alok Sharma.

Objektivi i kufizimit të ngrohjes globale në 1.5 gradë Celsius mbi nivelet e periudhës para-industriale, i përcaktuar për herë të parë në vitin 2015, mbetet një shtyllë kryesore e marrëveshjes së Glasgout.

Dhe për herë të parë, pakti i klimës përfshinte një referencë për t'i dhënë fund lëndëve djegëse fosile, por shumë pjesëmarrës u zhgënjyen nga presioni i minutës së fundit nga India dhe Kina që çoi në zbutjen e gjuhës për këtë çështje.

“Si mund të presë dikush që vendet në zhvillim të mund të bëjnë premtime për heqjen graduale të subvencioneve për qymyrin dhe karburantet fosile? Vendet në zhvillim duhet të merren ende me axhendat e tyre të zhvillimit dhe zhdukjen e varfërisë”, tha ministri indian i mjedisit, Bhupender Yadav.

Në tekstin përfundimtar të marrëveshjes thuhet se të gjitha vendet ranë dakord të kthehen në takimin e vitit të ardhshëm me objektiva të përmirësuara për uljen e emetimeve, shumë më të shpejta se ato të ciklit të mëparshëm pesë-vjeçar.

Ata ranë dakord të heqin dorë gradualisht nga qymyri dhe karburantet fosile.

Vendet e pasura ranë dakord të rrisin angazhimet e tyre për financimin e përpjekjeve për parandalimin e ndryshimit të klimës, duke ndihmuar vendet më të varfra në çështjet e klimës dhe në uljen e varësisë nga karboni të ekonomive të tyre.

Aktualisht ekziston një kuptim i ri mbi nevojën që vendet më të pasura të kompensojnë vendet në zhvillim për humbjet dhe dëmet nga ndryshimet klimatike.

Është arritur një marrëveshje për tregun ndërkombëtar të karbonit, ku kuotat ose kreditë e emetimit të dioksidit të karbonit mund të tregtohen midis vendeve.

Janë arritur gjithashtu marrëveshje të veçanta për reduktimin e shpyllëzimit dhe uljen e emetimit të metanit.

Marrëveshja ishte një kompromis i arritur nga 197 vende, disa prej të cilave e nënshkruan atë me hezitim. Ka mendime të ndryshme mbi atë nëse kjo marrëveshje është e mjaftueshme në luftën kundër ndryshimit të klimës.

"Ne jemi në fakt më afër objektivit për të shmangur kaosin klimatik dhe për të siguruar ajër më të pastër, ujë më të sigurt dhe një planet më të shëndetshëm", thotë i dërguari amerikan për ndryshimet klimatike, John Kerry.

“Teksti i marrëveshjes së miratuar ishte një kompromis. Ajo pasqyron interesat, kushtet, kontradiktat dhe gjendjen e vullnetit politik në botë sot. Hapat e parashikuara në marrëveshje janë të rëndësishëm, por fatkeqësisht vullneti politik kolektiv nuk mjaftoi për të kapërcyer disa kontradikta të thella”, thotë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

“Mendoj se marrëveshja është e butë dhe e dobët. Por ajo dërgon një sinjal se përdorimit të qymyrit po i vjen fundi. Pra, kjo është një gjë e mirë. Por ajo nuk i plotëson nevojat e momentit”, thotë drejtorja ekzekutive e organizatës “Greenpeace”, Jennifer Morgan.

Jashtë ndërtesës ku po mbahej takimi, aktivistët e klimës bënë thirrje për veprime më të forta. Disa prej tyre u arrestuan ndërsa po përpiqeshin të tejkalonin barrierat në perimetrin e sigurisë. Takimi i ardhshëm i OKB-së për klimën do të mbahet në Sharm-el-Sheikh të Egjiptit, në vitin 2022./VOA/

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?