Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e sotme në Himarë, ku një skaf që drejtohej nga një oficer policie la të vrarë një fëmijë 7 vjeç.
Gledis Nano vendosi që të përjashtojë nga radhët e policisë drejtuesin e skafit Arjan Tase, me detyrë Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan.
Tase u arrestua me urdhër të drejtorit të Prokurorisë në Vlorë, Aurel Zarka.
Oficeri i Policisë ndodhej me pushime në Himarë dhe duke drejtuar një mjet lundrues skaf, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe për pasojë mjeti lundrues ka goditur vajzën 7-vjeçare të familjes Avdia, e cila për shkak të plagëve të marra ndërroi jetë në vendngjarje.
Gjithashtu, Nano ka pezulluar nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, Drejtorin e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Shpëtim Hasanaliaj.
Njëkohësisht, Nano ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamentin për Rendin dhe Sigurinë Publike për të verifikuar zbatimin e porosive të dhëna së fundi nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për shtimin e masave të sigurisë në zonat bregdetare.
Lajmi kryesor:
Gomonia godet për vdekje fëmijën në plazhin e Potamit në Himarë! Shoqërohet drejtuesi, ish-shef policie! Zbardhet dëshmia e autorit: Skafi mori gaz (VIDEO)
D.GJ/ReportTv.al