Ka kohë që shqetësimi, frika, dyshimet, qasjet e kundërta për fatin e godinës së Teatrit Kombëtar, kanë pushtuar jo vetëm ekranet, por janë bërë pjesë e natyrshme e përjetimit qytetar, madje është kapur nga politika dhe mediat dhe ka nisur loja “hidh e prit”…
Problemi se çfarë do bëhet me të, do shembet a do ngrihet aty një godinë e re, kjo nuk është vetëm çështje e aktorëve, që paguhen dhe luajnë në skenën e tij. Është një çështje tashmë publike. Aty është respekti ndaj kujtesës dhe historisë, është nevoja për kushte optimale për të shijuar një shfaqje e posaçërisht për të ofruar produkte artistike teatrore cilësore, sikurse është, po aq, edhe nevoja e zhvillimit urban të qendrës së kryeqytetit, një imazh i ri që rreket të ofrohet e sendërtohet.
Sa i takon çështjes së parë, pra, kujtesës, mbamendjes historike, mbetem ndërdyshas. Duket se ka një keqkuptim a ngushtim vështrimi, rëndom i qëllimtë për ta politizuar me enfaza retorike. Afërmendsh, se tek ajo godinë e ndërtuar nga italianët kanë bulbuar institucionet e rëndësishme të kulturës dhe artit: Teatri, Opera dhe Baleti, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, sallat e para të ekspozitave të arteve pamore etj.. Por godina vetë si ngrehinë nuk është TEATRI, d.m.th ajo çka ai përfaqëson dhe sublimon; nuk janë veprat dramatike, shfaqjet, nuk është shpirti i aktorëve i shndërruar në rolet që mbahen mend dhe që i kanë dhënë publikut shqiptar në këta 70 vjet emocione, ide, kënaqësi, hir estetik, lumturi.
Prandaj dhe çdo ekzagjerim, i pasuar me një nostalgji të natyrshme nga aktorët e vjetër, më së pari, që kanë lënë “kockat” dhe “frymën” atje, në atë pluhur gjithsesi “magjik” të skenës, nuk ndërton dot në vetvete një zgjidhje pragmatiste. Aq më pak politika, që e ka thjesht si një instrument për synimet e veta. Nostalgjitë derdhen nëpër biseda, shkruhen në libra, muze, foto, kujtime, filma, madje dhe lot. Ngrehina e një teatri është tjetër gjë dhe teatri si art është tjetër gjë. Unë mendoj se nuk ka qasje godina aktuale e Teatrit Kombëtar, gjithë historia e ndërtimit, funksionit fillestar të saj si “dopolavoro” dhe “sajdisjet” e mëvonshme me shtesa e përshtatje, me teatrin “Globus” në Angli, siç bëhet diku, sepse ai shërben si një muze, atje ka frymuar gjenia e Shekspirit, pra, simboli i vetë teatrit, çka i takon gjithë botës dhe jo vetëm anglezëve.
Pastaj “Globusi” është histori para 400 vjetëve, kur Europa nisi të ndërtojë godina teatrore dhe ta zhvendosë performimin nga rruga apo mjediset publike (sheshe fshatrash, qytetesh, oborre kishash e manastiresh etj.) dhe ta fusë brenda në një sallë të ndërtuar enkas për këtë art. Sot askush nuk dëshiron të bëjë një teatër “Globus”, por një ngrehinë luksi brenda parametrave arkitekturorë futurist dhe zgjidhjeve urbane që kryeqytetet e mëdha të botës kanë. E dyta, a ofron godina e sotme e ezauruar e Teatrit Kombëtar kushte për krijime produktesh artistike sa më të përshtatshme?
A ofron ajo, po aq kushte pune për aktorët? Unë kam qenë disa herë pas perdes së zezë të skenës. Aty mungon dhimbshëm infrastruktura më minimale lidhur me kabinat e aktorëve, agregatet skenikë, dekoret, kostumet, mirëmbajtjen, lagështirën, cilësinë e ajrit, dritën, sigurinë etj., etj.? Duhet rikonstruktuar, është njëri nga mendimet, thuajse sundues.
Pyetja që unë kam është: A ia vlen ky rikonstruksion? A mund të sillet në kushte optimale një ngrehinë e amortizuar? A ndihen mirë aktorët gjatë lojës, kur ndoshta në skena të caktuar, në mes të dimrit, u duhet të rrinë edhe gjysmëlakuriq, me veshje tejet të holla, ose kur në palcë të vapës të veshin pallto dhe qyrk sipas personazheve që luajnë? Po spektatori, a e ndjek dot një shfaqje që zgjat 2 apo 3 orë, në një sallë ku nuk ka ngrohje apo ftohje qendrore, ku ajri nuk qarkullon, ku bie erë lagështi, ku tavanet janë kalbur, muret kanë myk, ku dërrasat kërcasin nga pesha e njerëzve etj.? Çështja e tretë është ngritja ose jo e një teatri të ri si pjesë e zhvillimit urban të kryeqytetit.
A është pamja dhe arkitektura e këtij teatri diçka që ta tërheq syrin? Unë them se jo! Në botë bëhen përherë godina teatrore, trupat zhvendosen, por historia e artit është tjetër dhe godinat janë tjetër. Pra, mjaft me këto ngatërresa! Godinat bëhen për më mirë, për rivitalizimin e komunikimit skenësallë, aktorë-publik, sikurse për rritjen e komoditetit të perceptimit, luksit, imazhit, urbanistikës së qytetit ku ajo vendoset, stilit arkitekturor të kohës etj., etj.. Besoj se ky është qëllimi i një teatri të ri.
…Kam ndjek me interes diskutimin që u bë së fundmi falë këmbënguljes së artistëve dhe opinionit midis komunitetit të artistëve të teatrit dhe kryebashkiakut Erion Veliaj. Është një hap i parë për dëgjimin e njëri-tjetrit si palë të interesuara, për komunikimin si mundësi e gjetjes së një zgjidhjeje që përafron maksimalisht idetë, mendimet dhe alternativat. Nëpër shumë vende të botës që kam shkuar, ca me sytë e mi, ca dhe duke klikuar në “Google”, i shëtita gjithë teatrot kombëtare të shteteve të Europës dhe askund nuk pashë një godinë në këtë gjendje dhe e atij imazhi të varfër arkitekturor që na ofron Teatri Kombëtar i Shqipërisë.
Kudo godinat teatrore qenë të bukura, me materiale të forta guri, të rrumbullakësuara, unike, vetanake, me zgjidhje arkitekturore dhe urbanistike imponuese, që janë kthyer në shenja të vetë qyteteve. Godina aktuale e teatrit tonë është një godinë e mjeruar dhe aspak në nivelin dhe dinjitetin e qendrës së Tiranës. Nëse ajo do të ishte menduar prej italianëve për shumë e shumë vite, si dhe kompleksi i ministrive, Banka Kombëtare, Akademia e Arteve, Universiteti, atëherë po, që mund të diskutohej për mbrojtje a një restaurim të dobishëm.
Por ajo nuk thotë diçka thelbore, koha e ka plakur së tepërmi. E pse duhet mbajtur atëherë?! Kur ndoqëm shpjegimet e arkitektit holandez të njohur në botë dhe pamë imazhet e përftuara të godinës së re të Teatrit Kombëtar, të them të drejtën u entuziazmova. Ato imazhe më lanë mbresa të thella, pse jo më ngopën me polifunksionalitetin, hijeshinë estetike, bukurinë, modernitetin, volumet, konceptin arkitekturor futurist, me katër salla, mjedise të larme pushimi, argëtimi, çlodhjeje, performimi, tubimi etj..
Përherë kisha menduar se aty duhet të ishte një godinë teatri e tipit neoklasik, pasi gjithë blloku i ministrive, ku është i përfshirë Teatri Kombëtar, është i po atij stili, i ulët, thuajse barok etj.. Por duke e menduar me godinat e tjera, besoj se projekti i paraqitur nga arkitekti holandez përshtatet me imazhin e ri modern arkitekturor të krejt qendrës së Tiranës. Nuk ia vlen të mbash ende në këmbë vjetërsira dhe të ushqesh nostalgji, ndryshe asnjë qytet nuk do të kishte zhvillime urbane të vrullshme siç ngjet në kohën tonë. Londra konservatore, a nuk ka në qendër të vet një grup të ngjeshur qiellgërvishtësish? Vetëm përvoja amerikane, japoneze, Singapori dhe Dubai paskan kulla të larta? Vallë, në Tiranën orientale duheshin mbajtur në këmbë ndoca ngrehina qerpiçi, që të ruhej “identiteti” i saj, të shpalleshin “Monument kulture” ca rrugica të ngushta, ca mejhane e ca dyqane ku pihej me nargjile?!
Ajo godinë pupuliti e ndërtuar si “Dopolavoro” nga italianët dhe që u pagëzua si Teatri Kombëtar, për kohën ishte zgjidhje e përshtatshme, më e mundshmja për qesen e shtetit, por koha vetë rrjedh, qyteti ndryshon. Kështu kanë ndryshuar gjithë qytetet në botë, sidomos metropolet. Çdo kohë krijon imazhin e vet urban dhe arkitekturor. Thembra e Akilit dhe gjithë shqetësimi i drejtë i artistëve dhe të tjerëve pas është frika se mos vallë këtu ka një “hile” në mes, se mos premtohet për ngritjen e një godine të re teatri, sa për sy e faqe, dhe në sheshin e tij ndërtohen dy a pesë kulla, se mos na ndodh si ajo batuta e Ndrek Lucës: “Po kjo ishte lojaaaaa!…”.
Dhe si për t’i bishtnuar kësaj frike e këtij mosbesimi, instinktivisht këmbëngulet te rikonstruksioni i godinës ekzistuese. Në debat u përmendën si argumente dhe ca “pazare” të rikonstruktuara. Teksa pyes veten time, menjëherë më vjen në mendje përgjigja: unë si spektator dua një godinë të re, të bukur, që kur të hyj aty, të ndjehem si pjesë e një riti social, sikundër është edhe shkuarja në teatër; të ndjehem mes aromave të parfumit dhe sallave të bukura e plot dritë, jo me erën e mykut dhe lagështirës në hundë apo me objekte të amortizuara, të rrjepura, plasa-plasa.
Ruhet diçka e vjetër dhe që mbart histori, diçka që nuk “përsëdytet”, sidomos kur i ka edhe kushtet e ruajtjes dhe të mbijetesës. Pra, diçka përfaqësuese, domethënëse, e kombit shqiptar dhe e gjeniumit të tij. Në një rast të tillë, mund të bëhen dhe rikonstruksione. Por godina e Teatrit Kombëtar, sipas meje, nuk ka ndonjë vlerë arkitekturore që ta rrëmben syrin, madje, mes godinave të tjera ajo duket tejet e “pangjyrë”, e mjerë, inferiore, kur duhej të ishte, përkundrazi, luksi dhe drita e asaj hapësire urbane, e vetë qytetit. Kur godina duket tejet e “plakur” dhe funksionet i janë mpakur po ashtu, nostalgjia nuk është më një zgjidhje, ca më pak domethënie e trashëgimisë kulturore e historike.
Ajo është, sipas meje, një domethënie e keqkuptuar e kësaj trashëgimie ose, ca më keq, e keqinterpretuar për interesa politike, me dije ose pa dije. Frika se mos artistët flaken nga teatri, mbeten pa “shtëpinë” e tyre plot dinjitet dhe rrasen diku në një tjetër godinë me emrin e çuditshëm “Turbina”, kjo është tjetër gjë. Këtu flitet për godinën, jo për teatrin si art, si komunitet artistësh, si produkt e veprimtari artistike. Do dëshiroja që projektin e paraqitur “zyrtarisht” komunitetit të artistëve nën kujdesin e Kryeministrit Rama, i cili e ka një parahistori të hidhur debatesh dhe kundërshtimesh me aktorët, ta shijoja pa atë “hilen” në mes.
Pra, si një fitore të gjithë komunitetit të artistëve, një fitore kulturore, një fitore të këmbënguljes dhe luftës së vetë artistëve, gjithashtu, pse jo, edhe si një pendesë të qeverisë, shpresoj dhe të vetë Kryeministrit të sotëm. Gjykoj se projekti është një imazh urban e arkitekturor bashkëkohor, që i ngop shijet e brezit të ri. Më në fund, frika, dyshimet, paragjykimet, gjer dhe deliret për të luajtur role protagonistësh të paqenë dhe bartës të “historisë” false, madje duke “recituar” para kamerave, kanë rënë. Nëse ndodh siç u paraqit, kjo do të jetë një godinë jo vetëm e bukur, por shpresoj edhe diçka që lëngatën e gjithë komunitetit të artistëve do ta shndërrojë në lumturi dhe mundësi të shumëfishta krijimtarie. Kam bindjen se nga pikëpamja e inxhinierisë dhe arkitekturës së skenës dhe funksioneve të saj, të sallës dhe akustikës, si dhe problemet e tjera të mirëfunksionimit në raport me performimin teatror, të gjitha këto, shpresoj të kenë zgjidhjet e tyre më oportune në projektin e hartuar, duke tërhequr edhe konsulencën e specialistëve shqiptarë (ndonëse modelet e sallave teatrore janë sot eksperienca tejet të njohura dhe të avancuara, me ekspertiza të ofruara nga njohës të godinave teatrore).
Sa i takon problemit të bashkëpunimit dhe shfrytëzimit të “partneritetit publik-privat”, kjo është një gjë që s’u takon artistëve, por teknicienëve, kontove, parave të mundshme të shtetit për t’u shfrytëzuar në realizimin e projektit. Nëse ka një “hile”, “dredhi” dhe teatrit i zhvaten hapësirat (eksterierët), falë të cilave funksionon edhe si një medium publik me gjithë bukurinë e imazhit dhe zgjidhjeve urbane – këtu do dilnim të gjithë të tradhtuar e të poshtëruar.
A është thjesht një paragjykim i një pjese të konsiderueshme të artistëve ky, një frikë e mosbesim te shteti apo Kryeministri – këtë le ta mundësojë transparenca, hapi i parë i së cilës u hodh me bashkëbisedën e komunitetit të artistëve me kryebashkiakun Erion Veliaj, që duhet thënë se e menaxhoi me tolerancë, respekt dhe kujdes. Le të shpresojmë, më në fund, se një vepër e re, jo vetëm arkitektonike, urbane e sociale, por edhe e shpirtit sipëran, emancipues, argëtues dhe mobiliar të një kombi, siç është arti teatror dhe gjithë idetë e ndjeshmëritë, që ai përcjell te publiku i gjerë, do të nisë së shpejti. Unë nuk jam aq afër dërrasave të skenës sesa aktorët dhe regjisorët që do të punojnë aty e do të sublimojnë vetveten si artistë, si vlera dhe si krijimtari, por gjithsesi nuk jam as dhe larg. Teatri është thelbi i jetës sime, i pasionit dhe punës sime si studiues dhe kritik.
Teatri është sakaq përkatësi e publikut që e ndjek, e shoqërisë, e popullit. Nganjëherë, dyshoj aq fort sa vihem në pikëpyetje përse vallë një pjesë e mirë e aktorëve nuk duan që të ngrihet një teatër i ri mbi teatrin ekzistues, përse duan që ato dy godina të kalbura të funksionojnë ende, të rikonstruktohen apo (e habitshme) të kthehen në muze? Dhe pa bërë naivin apo miopin, gjithsesi, gjithçka më ngjan se buron nga ajo që thashë në kryeherë: frika dhe mosbesimi te Kryeministri Rama se mos vallë do t’i gënjente me një kinse teatër të vockël me hapësira shumë të ngushta, duke përligjur pushtimin dhe gllabërimin e truallit nga kullat e larta që mund të ngrihen diku aty etj..
Pastaj, vjen pjesa e sharjeve politike jo po korrupsioni, jo po oligarkët, jo po hajdutëria, jo po mori kaq para Kryeministri, kaq para ministrja e kaq para kryebashkiaku dhe ai, dhe ai tjetri… Dhe legjenda tirret e shtillet… Por nëse nuk ngjet kështu, gjithë refuzimi, dëshpërimi dhe protestat e një pjese të aktorëve, që duhet thënë se diku-diku mes tyre bën zë dhe keqpërdorimi politik, do të dukeshin të kota, një absurd a keqkuptim i madh, madje edhe qesharake, në mbrojtje të një “arkivoli”. Teatri i bukur, i mirë dhe i madh bëhet në salla të bukura, të mëdha e të rehatshme.
Do të ishim vërtet të lumtur nëse do të ndodhte kështu. Më në fund, kryeqyteti ynë të bëhej me një godinë teatri modern, plot dinjitet dhe me të gjitha kushtet, si për aktorët që luajnë në skenë, ashtu dhe për spektatorët që i ndjekin gjithë ëndje e rehat nga salla…
Ndertesa e teatrit eshte ne radhe te pare kujtese historike e qytetit te Tiranes shembull i arkitektures italiane ne Shqiperi. Ajo duhet ruajtur dhe mbrojtur. Teatri mund te ndertohet diku tjeter ne nje kontekst te ri arkitekturor. Tek bulevardi i ri per shembull. Qeveria po vepron njelloj si me stadiumin Qemal Stafa veper e arkitektit italian Gerardo Bozio.
PërgjigjuAjo godine mund te kthehet ne muzeun e teatrit shqiptar. Fare mire mund te ndertohet nje godine e re ne bulevardin e ri qe po ndertohet ose ne sheshin Skenderbej ne krah te Bankes se Shqiperise
PërgjigjuEdhe Colosseu ne mes te Romes sipas mendjendriturit shotesit te fiqve kryebashkiakut tone te nderuar Erion Veliaj duhet te shembet sepse vjetersire qenka.
Përgjigju