Me përfundimin e restaurimeve, tashmë godina e ish Kinostudios është e modernizuar. Ndërkohë që Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit është pajisur me teknologji të avancuar për digjitalizimin e materialeve.
Në kuadër të programit EU4Culture, ndërtesa e ish-Kinostudios, një pikë referimi emblematike për kulturën shqiptare, iu nënshtrua punimeve konservuese, që përfshinë restaurimin e fasadës historike, riparimet e dëmtimeve nga tërmeti dhe përmirësime infrastrukturore. Për godinën e re u deshën një vit punime, ndërsa u investuan 376,000 euro.
Pranë saj, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit përfitoi pajisje moderne për digjitalizim dhe ruajtje të materialeve, me një investim prej rreth 100,000 euro përmes programit EU4Culture.
Në ceremoninë përuruese morën pjesë dhe përfaqësues ndërkombëtarë, mes tyre Komisioneri i Bashkimit Evropian për Drejtësinë Ndërbreznore, Rininë, Kulturën dhe Sportin, Glenn Micallef.
'Ky është misioni im i parë si Komisioner Evropian në Ballkanin Perëndimor dhe jam veçanërisht i lumtur që Tirana, Shqipëria, është ndalesa ime e parë. Jam krenar që sot shënjojmë përfundimin me sukses të dy ndërhyrjeve kryesore të EU4Culture, restaurimin e fasadës së ish-Kinostudios dhe dorëzimin e pajisjeve në Arkivin Kombëtar të Filmit. Ky investim pasqyron angazhimin e fortë të BE-së për të ruajtur trashëgiminë kulturore të Shqipërisë dhe thekson solidaritetin tonë. Promovimi, mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore është një përparësi politike për mua dhe do të jetë një gur themeli i Busullës së Kulturës për Evropën', tha Glenn Micallef.
“Ish-Kinostudio dhe Arkivi i Filmit janë dy institucione të rëndësishme që përfaqësojnë të kaluarën e pasur kinematografike të Shqipërisë dhe qëndrueshmërinë e saj kulturore. Ndërhyrjet e realizuara përmes programit EU4Culture, me mbështetjen bujare të BE-së, kontribuojnë për t’i përgatitur këto site për të ardhmen. Ne si UNOPS, ndjehemi të privilegjuar që ndihmojmë në lidhjen e kujtesës me inovacionin dhe kulturës me zhvillimin e qëndrueshëm', Sabine Kania, drejtore e UNOPS për Shqipërinë dhe Kosovën.
“Restaurimi i ish-Kinostudios dhe Arkivit Qendror të Filmit nuk është thjesht një investim në ndërtesa, por një akt ripërtrirjeje të kujtesës sonë kolektive dhe një hap i guximshëm drejt së ardhmes. Këto hapësira historike po shndërrohen në qendra krijimi, edukimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, duke dëshmuar se kultura nuk është luks, por infrastrukturë jetike për një shoqëri që aspiron të jetë e hapur, e zhvilluar dhe e lidhur me rrënjët e saj', tha Lira Pipa, Zëvëndësministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
E ndërtuar në fillim të viteve 1950, ndërtesa e Kinostudios shërbeu si qendra e kompanisë shtetërore të prodhimit të filmave “Shqipëria e Re”. Sot, ajo është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Dytë, për vlerat e saj arkitektonike dhe kulturore.
Ndërsa pajisjet moderne në Arkivin e Filmit rrisin ndjeshëm kapacitetin për të mbrojtur materialet delikate audiovizive dhe për të përmirësuar aksesin e publikut në përmbajtjen arkivore përmes platformave digjitale. Arkivi, i themeluar në vitin 1947, ruan mbi 4,330 vepra audiovizive, përfshirë filma, dokumentarë, animacione dhe pamje të rralla historike që datojnë që nga vitet 1920.
Komente
