Policia spanjolle ka goditur një tjetër bandë shqiptare gjatë ditës së djeshme ku 11 persona u arrestuan si të dyshuar për trafikun e drogës që transportohej me në disa makina nga Madridi, të cilat brenda tyre kishin ndarje të posaçme për të fshehur lëndën narkotike.
Si rezultat i operacionit, u sekuestruan 13 kilogramë heroinë dhe deri më tani, konsiderohet si operacioni më i madh gjatë këtij viti, shkruajnë mediat spanjolle.
Hetimet nisën në fillim të vitit 2022, pasi agjentët e policië spanjolle zbuluan një person që merrej me shitjen e sasive të konsiderueshme heroine. Metoda e gjetur për fshehjen e drogës ishte aq e pazakontë, sa u desh të zbulohej me rreze X.
Deri më tani, janë zbuluar plot 10 automjete, brenda të cilave ishte fshehur heroinë.
Përveç heroinës, autoritetet konfiskuan një kilogram hashash, gjysmë kilogram marihuanë, 57 mijë euro para cash, 900 dollarë, peshore precize dhe mjete për trajtimin e drogës. Ata gjetën gjithashtu një bllokues, një pajisje gjeolokimi dhe dokumentacion fals.