Bota

Goditet grupi i ‘skifterëve’ të Edison Pulës! Këngëtarë e pilotë të Formula 1, grabitën sende me vlerë 1 milionë euro në 49 shtëpi VIP-ash në Francë e Belgjikë! 7 të arrestuar

10 Mars, 13:46| Përditesimi: 10 Mars, 21:21

  • Share

Këngëtarë, futbollistë dhe pilotë të “Formula 1” ishin shënjestra kryesore e grupit kriminal shqiptar të udhëhequr nga Edison Pula i bandës së Niklës në Francë dhe Belgjikë, shtëpitë e të cilëve ranë pre e grabitjeve dhe bastisjeve, në kërkim të sendeve me vlerë, sidomos të bizhuterive. Shtatë anëtarë të dyshuar të rrjetit kriminal, përfshirë liderin, Edison Pula, kapur më herët gjatë shkurtit në Liverpul, u arrestuan për 49 vjedhje të banesave luksoze të personazheve publikë. 

"Gjashtë persona të dyshuar si pjesë e një rrjeti kriminal shqiptar, përfshirë edhe drejtuesin e tij, janë marrë në hetim për rreth 50 grabitje në banesa të luksit dhe të personazheve të njohur në Francë dhe Belgjikë", njoftoi këtë të diel, më 9 mars, xhandarmëria franceze.

U vodhën bizhuteri, orë me vlerë, artikuj lëkure luksoze, makina dhe para CASH në një shumë totale e cila dyshohet të ketë shkuar në të paktën 1 milion euro. Arrestimet e grupit që ishte kthyer në makthin e vilave luksoze, u kryen në 2 operacione të ndryshme, i pari më 20 janar në Luksemburg me 2 të arrestuar, ndër 5 të tjerët u kapën së fundmi. 

Personazhe publike dhe biznesmenë në shënjestër

Kriminelët kishin në shënjestër të famshëm ose drejtues biznesi në rajonin e Parisit ose përreth Reims, ndërsa mallin e vjedhur e shisnin kryesisht në Shqipëri. I dyshuari kryesor, Edison Pula, rreth 30 vjeç dhe që besohej se ishte kreu i bandës, ishte në kërkim nga Interpoli që nga janari i kaluar. Ai u identifikua falë ADN-së së tij të pranishme në më shumë se 30 vjedhje të kryera nga qershori 2022 deri në shtator 2024. Pula me miqtë e tij përdorën rrjetet sociale për të gjetur adresat e viktimave të tyre. 

Grupi kriminal përdorte rrjetet sociale për të gjetur adresat e viktimave të tyre. Sipas xhandarmërisë, rrjeti "Nikla" është përgjegjës për gjithsej 49 grabitje. Hetimet janë zhvilluar nga Zyra Qendrore për Luftën kundër Kriminalitetit Itinerant, në bashkëpunim me Seksionin e Kërkimeve dhe Brigadën e Kërkimeve të Reims-it, si dhe Brigadën për Luftën kundër Banditizmit të Policisë Kriminale të Parisit.

Edison Pula është dënuar në Shqipëri me 14 vjet burg për disa vepra penale, nga vrasja me paramendim, te shkatërrimi i pronës, vjedhja me dhunë, arratisje  dhe armëmbjatje pa leje. Në vitin 2016 ai ka qenë një prej personave që i vendosir sasi tritoli Gentian Bejtjes, duke e lënë të plagosur rëndë. Bejtja u vra më 15 mars 2024 në një tjetër atentat të mirëmenduar mafioz. Pula rezulton të jetë arratisur nga burgu i Trevisos në Itali në vitin 2022.

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?