KORÇË – Drejtuesit e një grupi që merrej me kultivimin dhe trafikimin e lendës narkotike kanabis drejt Greqisë janë "goditur" nga policia përmes operacionit të koduar “Grupi”, ndërkohë që 6 anëtarë të tjerë janë arrestuar më herët.
Në pranga raportohet të kenë rënë Leonard Xhemollari dhe Gentian Muço, të cilët dyshohet se ishin financuesit e kultivimit të kanabisit, si dhe janë shpallur në kërkim Rexhildo Berberi dhe Abidin Guraj, që sipas policisë ishin organizatorë të trafikimit të kanabisit në 4 raste të goditura më parë nga policia.
91.1 kilogramë kanabis dhe 6 kilogramë heroinë është sasia e lëndëve narkotike të cilat janë kapur nga policia në 4 raste të ndryshme, që sollën arrestimin në flagrancë të 6 personave që po i trafikonin, të gjithë anëtarë të nje grupi, i drejtuar nga 4 personat e mësipërm.
“Ngjarja e datës 08.06.2025, në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, ku u arrestua në flagrancë shtetasi Valmir Balliu, banues në Pogradec, me një sasi prej 6 kg lëndë narkotike të llojit heroinë, në një automjet të përshtatur për trafikim.
Ngjarja e datës 27.11.2023, ku në shtetin grek u arrestua në flagrancë shtetasi Lorenco Lika, dhe në Korçë shtetasi Stiliano Pasho, me një sasi prej 26 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, të cilën e kishin trafikuar.
Ngjarja e datës 25.04.2024, në qytetin e Korçës, ku u arrestuan shtetasit Klajdi Shaholli dhe Haxhi Mera, me një sasi prej 12.5 kg Cannabis Sativa, në një automjet të destinuar për trafikim.
Ngjarja e datës 23.09.2023, në qytetin e Pogradecit, ku u arrestua në flagrancë shtetasi Klodian Kllomollari, me një sasi prej 52.6 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, në një automjet të përshtatur për trafikim”,- njofton policia.
Sipas policisë, kanabisi kultivohej në fshatin Polovisht–Maliq dhe magazinohej në fshatin Voskop, Korçë, ku kryhej procesi i tharjes dhe i përpunimit, dhe më pas transportohej drejt Greqisë.
Në cilësinë e provës materiale, pjesëtarëve të grupit iu sekuestruan fenelina policie, pajisje GPS, pajisje gjurmimi, kamera dhe pajisje regjistrimi të fshehta, targa automjetesh, USB, karta memorie, DVR, laptop, dron, kontrata shitblerjeje dhe përdorimi të automjeteve të ndryshme.
Komente
