Ura “Francis Scott Key' në Baltimore të Shteteve të Bashkuara është shembur pasi u godit nga një anije e madhe mallrash të martën në mëngjes (26 mars 2024), dhe si pasojë disa makina ranë në lumin nën të.
Pamjet tregojnë urën e gjatë 2.5 km duke rënë në ujë pas përplasjes nga anija me kontejnerë duke bërë që disa automjete me njerëz brenda të binin në lumë.
Deri më tani raportohet për të paktën 7 të zhdukur në ujë, ndërsa dy persona janë gjetur. Anija goditi njërën prej shtyllave mbajtëse të urës Francis Scott Key. Anija menjëherë më pas u përfshi në flakët dhe u përmbyt.
Dinamika
Policia e Baltimores konfirmoi se ura u shemb pjesërisht edhe pse aktualisht është e paqartë se çfarë shkaktoi goditjen nga anija me kontejnerë Dali, 300 metra e gjatë, me destinacion Colombon në Sri Lanka. Sipas një zyrtari të Rojës Bregdetare të Baltimore, anija po lundronte nën flamurin e Singaporit.
"Një ngjarje që mund të ketë shumë viktima"
Aksidenti u konfirmua nga Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara.
"Të gjitha korsitë janë të mbyllura në të dy drejtimet për shkak të shembjes së urës", shkroi Autoriteti i Transportit në Maryland në X.
Drejtor për komunikim në Departamentin e Zjarrfikësve në Baltimore, Kevin Cartwright tha se ishte shumë herët për të konfirmuar numrin e viktimave, por e përshkroi shembjen e urës si një "ngjarje që mund të ketë shumë viktima".
Cartright tha se forcat e tij tani po përqendrohen në shpëtimin e personave që kanë rënë në lum.
“Jemi përqendruar t'i shpëtojmë këta njerëz", tha Cartwright.
"Nuk ka asnjë të dhënë që të çon në pistën se shembja e urës të jetë rezultat i një akti terrorist ose të jetë bërë me qëllim", tha shefi i policisë së qytetit, Richard Worley, në një konferencë për shtyp .
Uji në portin Baltimore është aktualisht në 9 gradë Celsius sipas Administratës Kombëtare të Oqeanit dhe Atmosferës dhe rreziku për ata që ranë në ujë dhe mbijetuan është hipotermia.
Nuk ka të lënduar në bordin e anijes
Sipas Neë York Times, pronarët e anijes Dali me flamur të Singaporit kanë konfirmuar përmes një komunikimi me email se anija është përplasur me një nga shtyllat e urës Francis Scott Key rret orës 01:30 të mëngjesit. Me të gjithë anëtarët e ekuipazhit, përfshirë dy drejtuesit e anijes në bord,është arritur të kontaktohet dhe nuk ka pasur të lënduar në anije, thuhet në deklaratë. Ndërkohë ende nuk është përcaktuar shkaku i përplasjes dhe pronarët dhe menaxherët e anijes po bashkëpunojnë me autoritetet, thuhet në deklaratë.
Ura e ndërtuar në vitin 1977
E hapur që nga viti 1977, ura Ura Francisc Scott Key, e gjatë 2,5 kilometra mban emrin e autorit të tekstit të himnit kombëtar të Shteteve të Bashkuara. Ura me katër korsi, është një lidhje kryesore në autostradën ndërshtetërore që rrethon qytetin e Baltimorës. Në kohën kur ura u hap, New York Times shkroi se do t'u "siguronte automobilistëve që udhëtonin përgjatë Bregut Lindor të SHBA-së një alternativë tërheqëse". Ura kushtoi 141 milionë dollarë për t'u ndërtuar, kurse sot ka vlerë 735 milionë dollarë.
Maxar ka publikuar imazhe satelitore që tregojnë nga lart përplasjen e anijes me urën “Francis Scott Key”, në portin e Baltimorës. Flitet për 6 të zhdukur. Presidenti i SHBA Joe Biden e quajti ‘aksident të tmerrshëm."
Lindja e diellit nxori në pah dëmet e shkaktuara në portin e qytetit të Baltimorës në SHBA ku anija e mallrave u përplas me urën “Francis Scott Key”, me katër korsi makinash. Përplasja shkaktoi shembjen e saj dhe rënien e makinave dhe njerëzve në ujërat e ftohta të lumit. Incidenti ndodhi rreth orës 1:30 të mëngjesit.
Vazhdojnë operacionet e shpëtimit në lumin Patapsco poshtë urës së shembur rreth 2.5 kilometra e gjatë.
Sipas kanali televiziv ABC News, ekuipazhi i anijes kishte njoftuar autoritetet e Merilendit se kishte humbur kontrollin e anijes gjigande të mallrave pasi motori kishte pësuar avari, ndërsa po dilte nga porti. Zyrtarët e qytetit Baltimorë thanë se të paktën 7 automjete kanë rënë në ujë por nuk mund të ofronin një shifër të saktë.
Wes Moore guvernatori i Maryland në SHBA ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pas shembjes së urës në Baltimore, ndërsa kërkimet për gjetjen e njerëzve të zhdukur në ujë vijojnë.