Kronikë

Deri në 35 mijë dollarë për të shkuar në Kanada e SHBA, goditet grupi i kontrabandës së qenieve njerëzore! Tre në pranga (EMRAT+VIDEO)

11 Shtator, 09:59| Përditesimi: 11 Shtator, 14:56

  • Share

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe Agjencinë Federale Amerikane DSS/OCIU pranë ambasadës amerikane kanë goditur një grup kontrabande të qenieve njerëzore. Në kuadër të këtij operacioni të koduar “Rrjeti”, ranë në pranga tre persona Cerkez Nikoci, 62-vjeç; Hazir Maçi, 58-vjeç; dhe Ardjan Pirani.

Policia i ka mbajtur në vëzhgim për disa muaj, ku u zbulua se 58-vjeçari Hazir Maçi ishte “koka” që vepronte, i cili bashkë me persona të tjerë siguronte dokumente udhëtimi të falsifikuara. Sipas policisë, ai u merrte shtetasve shqiptarë nga 20-35 mijë dollarë për t’i dërguar në mënyrë të paligjshme drejt Kanadasë dhe SHBA-së.

Duke përdorur dokumentet false, ai i dërgonte drejt disa vendeve të BE, më pas në vendet e ishujve Karaibe dhe me destinacion final dy vendet e Amerikës veriore. Policia iu sekuestroi edhe shumë të mëdha parash në cash, dokumente të falsifikuara si edhe sende dhe prova të tjerë me interes për hetimin.

Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë përfshirë.

Policia e Shtetit

Goditet një rrjet kontrabande qeniesh njerëzore.

Operacioni policor i koduar "Rrjeti",  nga Policia e Shtetit, agjencitë ligjzbatuese amerikane pranë Ambasadës së ShBA në Tiranë dhe Prokuroria e Tiranës.

Arrestohen 3 shtetas të dyshuar të përfshirë në një rrjet kontrabande qeniesh njerëzore, e njohur ndryshe si dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, shtetasve shqiptarë, drejt Kanadasë, Shteteve të Bashkuara etj.

Njësia e Shërbimeve Hetimore, e cila punon së bashku me Agjencinë Federale Amerikane DSS/OCIU me prezencë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka kryer arrestimin e shtetasve H. M., 58 vjeç, L. M., 58 vjeç dhe C. N., 62 vjeç.

Hetimet disamujore kanë zbuluar se i dyshuari kryesor, shtetasi H. M., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, nëpërmjet sigurimit të dokumenteve të udhëtimit të falsifikuara, ka kontrabanduar disa shtetas shqiptarë, nga Shqipëria drejt disa vendeve të BE, prej andej në vende të ishujve Karaibe dhe më pas në shtete të tjera, me qëllim final premtimin dhe dërgimin e tyre në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu, dyshohet se i dyshuari kryesor, shtetasi H. M., me precedent të mëparshëm në këtë aktivitet kriminal, merrte shuma nga 20 deri në 35 mijë dollarë, me premtimin e dërgimit të tyre në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara.

Gjatë hetimeve dhe pas arrestimit, të dyshuarve iu janë sekuestruar shuma të mëdha parash cash, dokumente të ndryshme udhëtimi false, si dhe sende dhe prova të tjera në interes të hetimit.

Policia e Shtetit gjen dhe një herë rastin të falënderojë Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, partnerët ligjzbatues amerikanë DSS/OCIU këtu në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Tiranë, të cilët kanë koordinuar dhe bashkërenduar ngushtë punën me agjencitë e tyre homologe në Republikën e Kosovës dhe Republikën Domenikane, por dhe me partnerë të tjerë ligjzbatues në Policinë e Kosovës, Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë dhe Itali.

Hetimet vazhdojnë për dokumentimin e mëtejshëm të këtij aktiviteti kriminal dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni ndryshimet që bëri Rama në kabinetin qeverisës?