Aktori amerikan Will Smith ka dhënë dorëheqjen nga Akademia e Oscars pasi qëlloi me shpullë në skenë komedianin Chris Rock gjatë ceremonisë të së dielës së kaluar.
“Veprimet e mia në prezantimin e 94-të të çmimeve Oscar ishin tronditëse, të dhimbshme dhe të pafalshme”, thuhet në deklaratën e tij.
Akademia deklaroi se pranoi dorëheqjen dhe do të "vazhdojë të ecë përpara" me procedurat disiplinore.
Smith e goditi Rock pas një shakaje të këtij të fundit për gruan e aktorit.
Më pak se një orë pas incidentit, atij iu dha çmimi i aktorit më të mirë për rolin e tij në "King Richard", ku luajti babain e yjeve të tenisit Venus dhe Serena Williams.
"Lista e atyre që kam lënduar është e gjatë dhe përfshin Chris, familjen e tij, shumë nga miqtë dhe të dashurit e mi, të gjithë ata që janë të pranishëm dhe audienca globale në shtëpi. Kam tradhtuar besimin e Akademisë. I kam hequr të nominuarve dhe fituesve mundësinë e tyre për të festuar dhe për t'u lavdëruar për punën e tyre të jashtëzakonshme. Më është thyer zemra", tha Smith.
Aktori tha se donte të "vinte përsëri fokusin tek ata që meritojnë vëmendje për arritjet e tyre".
Ai përfundoi se "ndryshimi kërkon kohë dhe unë jam i përkushtuar të bëj punën për të siguruar që kurrë më të mos lejoj që dhuna të kapërcejë arsyen".
Presidenti i Akademisë, David Rubin tha se kishte pranuar dorëheqjen e Smith, por do të vazhdonte procedurat disiplinore.