50 urdhër-arrestet ndaj personazheve të njohur të botës së krimit të lëshuara nga SPAK në megaoperacionin e fundit duke goditur 7 grupe kriminale, kanë zbardhur ngjarje kriminale të rënda, ku janë përfshirë edhe një ish deputet dhe 4 zyrtarë policorë.
Nisur nga ky operacion i SPAK, gazetarja e kronikës Anila Hoxha përmes një postimi në rrjetin social facebook ka dhënë rrëfyer prapaskenat e një interviste që ajo ka zhvilluar me një personazh të këtij rrjeti vite më parë. Ai i ka treguar sesi funksiononte shpërndarja e drogës me përfshirjen e policisë, madje përmend dhe një rast kur droga vidhet dhe raportohet e bllokuar një sasi shumë e vogël.
"Mbasi studiova dosjen e radhës me vrasës hakmarrës, trafikante, ish deputete , dhe shefa policie , kthej kokën pas tek raportimet e mia. Jo shume larg në kohë në emisionin Exclusive investigova rrjetet e shpërndarjes së drogës në Shqipëri. Për personazhin u kujdesa që edhe gjatë intervistës bruto (në rast së nisnin hetimet për ta identifikuar pra për të mos e vrare kush) e filmova me një kapuç ngjyrë mavi. Ai sa kishte dale nga burgu dhe duke me rrëfyer se si funksiononte shpërndarja e kokainës mes te tjerash tha “shefat e policisë e vodhën drogën dhe raportuan një ngarkesë minimale të bllokuar”. Prita hetim ndaj ndonjë shefi atëherë, por përkundrazi shefat e zellshëm bënë reprezalje dhe investigim të thelluar për të zbuluar se cilët ishin “armiqtë”, shkruan ajo.
Gazetarja sjell në vëmendje dhe një tjetër rast ku i përfshirë sipas saj ka qenë një oficer i RENEA-s. Teksa shpreh shqetësimin se policia mbante sekrete për gazetarët e informonte anëtarët e krimit, gazetarja thotë se ka shumë të tjerë që nuk duhet të mbajnë uniformën e shtetit.
“Më vonë kokaine u vodh dhe në periferi te Tiranës. U tha se nder te dyshuarit ishte edhe një oficer i RENEA-s. Disa e ekspozuan si biznesmen. Gjate 2018 - 2019 - 2020 …Policia e prokuroria? Mbanin sekret nga gazetaret, por u jepnin informacion në kohë rekord krimineleve, për targat, ke shoqërojnë, a ka gjurme nga hedhja ne ere e nje shtetasit per te cilin shprehen “do ta dërgojme ne fluturim”, e te tjera. Ka shume te tjerë, qe nuk duhet ta mbajne nje minute uniformen e shenjte te policit. Apo të pretendojnë se janë prokurorë, gjasme biznemenë, gjasme punonjës institucionesh. Vetëm kjo e kthen besim ne ligj dhe ne shtet”, shkruan më tej gazetarja Hoxha.
Nga 50 urdhër-arreste, janë arrestuar 20 persona, nga të cilët 14 në Shqipëri dhe 6 në vende të ndryshme të Europës. 30 të tjerë janë në kërkim. Në 50 banesat e bosëve të krimit janë gjetur miliona euro, flori, armë etj.